Home KRYESORE “Identiteti kosovar”?! Çfarë tradhëtie!

“Identiteti kosovar”?! Çfarë tradhëtie!

Nga Flamur TAJARI

Ka plasur ditët e fundit një debat deri diku agresiv për “tradhëtarët” kosovarë të Kombëtares. Ata që në vend të kombit amë kanë zgjedhur amën ku kanë lindur e ku kanë varret e familjes e fisit. Papritur duket se opinioni ndjeu atë që në fakt ka shumë shumë kohë (dekada për të qenë më të saktë) që gatuhet mes shqiptarëve: kurrësesi një identitet i vetëm kombëtar! Fati i keq e do që çuna të talentuar e të dlirë nga këto kulisa të vuajnë mbi shpinë turli lloj nofkash, por tek ta dhe kudo shfaqet, shpërthen e do të shpërthejë më fort në të ardhmen kjo intrigë ogurzezë e krijimit të “identitetit kosovar”.

Tingëllon bukur, tingëllon si një dhuratë e madhe që Perëndimi po i bën një vendi të dalë nga një federatë e lodhur për t’u bërë një protektorat edhe më i lodhur ndërkombëtar…po a nuk është e njejta gjë që ka bërë shekullin e fundit edhe Serbia me këtë tokë shqiptare?

Emri “Serbi” në çast ngjall emocione e komente nervoze e negative. Mbase ndokush, me stilin bolshevik të gjykimit mund të thotë se “po na barazon Serbinë me BE”. Por unë nuk po nisem as nga rruga e as nga shkaqet e as nga motivet (anipse shumë prej tyre puqen me interesat e Beogradit dhe aleatëve të tij), por shoh rezultatin: krijimin e një identiteti kosovar. Që përndryshe do të thotë një identitet ndryshe nga ai shqiptar, një identitet tjetër, me gjasa një identitet pa identitet.

Në rajonin tonë shqiptarët autoktonë jetojnë në 5 shtete. Në Greqi arvanitasit janë të asimiluar. Askush nuk flet më për ta si një realitet i sotëm. Në Mal të Zi faktori shqiptar nuk ka asnjë peshë në politikën e vendit, përveç një dekori të kostumit zyrtar malazez përballë kancelerive perëndimore. Në Maqedoni, përveç asimilimit të butë në shumë territore (si p.sh Ohri), kemi edhe një politikë herë të hapur e të dhunshme, herë të fshehtë antishqiptare, të njohur ndërkombëtarisht. Kosova vazhdon protektorat, ndërsa Shqipëria nuk le rast pa përsëritur se “në kushtet e globalizmit sovraniteti nuk ka më kuptimin e dikurshëm”.

Natyrisht që ky copëzim nuk ka ndodhur as aksidentalisht dhe as pa dijeninë e Fuqive të Mëdha. Ato e kanë projektuar dhe ndërtuar këtë mozaik ballkanik duke thyer copa – copa shqiptarët për 1 – mos i lënë të bëhen faktor, 2 – kënaqur interesat të caktuara.

Murit me kokë nuk i bihet?

Po, natyrshëm. Shtete të vogla si tonat me politikë të korruptuar deri në palcë nuk kanë të ndenjura as ta çojnë nëpërmend prishjen e këtij konfigurimi. Të gjitha energjitë e Tiranës, Prishtinës dhe faktorëve shqiptarë në rajon është të jenë “çuna të mirë” për Brukselin, Berlinin, Nju Jorkun. Dhe për të fituar këtë status janë gati për gjithçka.

Por kjo mund të justifikohet me shumë zorr për politikën zyrtare. Por në asnjë mënyrë për ata që e quajnë veten “patriotë”, “nacionalistë”, “atdhetarë”, “shqipe”, që mallkojnë 25 vjeçarët pse “tradhëtuan” jeshillëkun e Tiranës për atë të Prishtinës. Është kriminale po ashtu për ata “studiues” e “mendimtarë” që në emër të kombit (më shumë se kurrë vlen “streha e fundit e maskarenjve”) lyejnë me vazelinë e na e fusin butë – butë “identitetin kosovar”.

Natyrisht që çdo trevë ka një identitet. Ka një identitet korçar, dibran, pukjan, gjakovar, prishtinas, gjirokastrit, shkupjan, tetovar, strugan….por mbi të gjithë ka një identitet ku të gjithë këta quhen KOMB dhe që të gjithë janë shqiptarë.

Lufta në Kosovë nuk u bë se shkeleshin të drejtat e serbëve aty. As të romve. As të goranëve edhe as të atyre yjeve të tjera që shndrijnë barabartas mbi hartën e atij shteti në sfond blu. Luftuan shqiptarët. Ata u masakruan, ata derdhën gjak, ata u dogjën e u përdhunuar. Borxhi për çlirimin ishte pranimi i atij shteti të sajuar me atë identitet të sajuar si gjoja aglomerat i 6 grupeve etnike! Mirë. Politikë është. Por identitetin jo!

Shumëfishimi i identiteteve shqiptare sipas shteteve ku jetojnë është tradhëtia më e madhe në historinë e këtij kombi. Është platformë dobësimi dhe asimilimi të shqiptarëve si komb duke i katandisur qytetarë të botës, as më pak e as më shumë se dy “yjet” e tjerë të flamurit kosovar: romët dhe egjiptjanët.

Enveri me dhunë e mjeshtëri ia doli ta ambalazhojë bukur “kombin shqiptar”, që shtrëngohej vetëm në 28 mijë km katrorët e RPSSH. Me alibinë e “demodesë”, nacionalizmit të kaluar nga koha dhe të papranueshëm nga Perëndimi, ia hodhi politika e tranzicionit për shumë vjet.

Por agresiviteti i sotëm, aq më tepër lëvizjet nën rrogoz në promovimin e ethshëm të “identitetit kosovar”, një gjëte tjetër nga realiteti, nga identiteti shqiptar, që ata e kanë ruajtur edhe me gjak në kohët më të vështira të dhunës serbe, është alarm i dëshpëruar.

Është një pikpyetje tragjike edhe për diçka tjetër: ore mos vallë ndërkohë ia kanë dalë (apo janë në prag të përfundimit) të tjetërsimit, të shuarjes, të korruptimit të identitetit kombëtar këtu, në Shqipërinë amë?

Share: