Home KRYESORE Ju rrëfej për vajzën që dogji dy makinat

Ju rrëfej për vajzën që dogji dy makinat

Nga Lorenc Vangjeli

Është një histori si shumë të tjera. Por është edhe një histori si pak të tjera, që bëri bujë dhe në tre ditët e jetëgjatësisë së saj, ishte padyshim më e klikuara. I kishte te gjitha elementët për të qenë “hit” i portaleve: një dashuri e thyer, një vajzë e re e zhgënjyer, mesnatë, zjarr mbi dy makinat e babait të të dashurit, kamera që xhirojnë natën, tentativë për të fshehur gjurmët ditën dhe më pas, dhjetra e qindra foto të vajzës së re, foto Facebook-u, nga ato me plazh dhe me rroba skijimi.

Media gjeti “heroinën” e saj dhe në tre ditë, gjurmoi, hulumtoi, zhbiroi, zbuloi, sajoi me dhjetra elementë të asaj historie. Për ta lënë më pas me aq sepse ndërkohë kishte ndodhur diçka tjetër që afronte sërish të gjithë elementët e nevojshëm për të qenë “hit”.

Me pak fjalë kjo është historia e vajzës që dogji dy makina në mesnatë dhe u zbulua falë xhirimeve të kamerave të sigurisë.

Ishte vetëm 21 vjeç.

U zbulua shpejt dhe pa ndonjë problem se cila ishte dhe pothuaj nuk kishte më dyshime edhe për motivin se pse e kishte kryer atë akt të pazakontë. Shumë më shpejt se hetimi policor dhe ai penal i prokurorisë, media brenda “tre ditëve të vëmendjes së saj”, e kishte zbardhur plotësisht atë ngjarje.

Kjo ka ndodhur në fillim të prillit.

Vajza u arrestua.

Në javën e tretë të gushtit, pesë muaj më pas, mediat japin lajmin e rradhës. Dosja është mbyllur dhe po dërgohet në gjykatë për hetim gjyqësor. Në pesë muaj, jeta e asaj vajze, e të afërmve të saj, e gjithë personazheve të tjerë të përfshirë në këtë histori, ka kaluar në një labirint të vërtetë dhe një kalvar të frikshëm dhembjeje.

Kush ka provuar të ketë problem me drejtësinë – të çdo lloji – e kupton se sa ndryshon jeta e individit që i duhet të ballafaqohet me perëndeshën me “sy të mbuluar”.

Në këtë rast, historia nuk ka shumë mister deri kur arrihet në fundin e saj.

Me të gjitha gjasat, vajza e re që la viktimë dy makina, por dhe ndryshoi për gjithmonë jetën e saj, do të paraqitet e penduar përpara gjykatës. Do të pranojë materialet e dosjes ashtu siç janë. Do të përlotet në sallë. Do të përfitojë gjykim të shkurtuar. Dhe do të dënohet. Sërish me gjasë me kusht.

Mediat do të ripërsërisin edhe njëherë historinë. Kronika nga dy-tre seancat e gjyqit. Ca intervista me shokët, shoqet apo dhe të tjerë që kanë lidhje me vajzën, të cilët do të bëhen gjithashtu të famshëm dhe do ta ndajnë këtë famë në Facebook.

Në fund, të gjithë do të ikin të lumtur dhe të gëzuar sepse ky i bie të jetë fundi i një përralle që nis keq, por pak a shumë ka një fund të lumtur; I lumtur prokurori, të lumtura statistikat, e lumtur, madje, edhe vetë vajza që mendon se mbyll kështu një kapitull të zymtë të jetës së saj. I lumtur është dhe vetë sistemi që kësaj rradhe ka funksionuar.

E dërmoi atë vajzë dhe e bëri të paguajë për krimin e saj në mesnatë: djegien e dy makinave të babait të ish-të dashurit. Pesë muaj hetim, pesë muaj për të çuar në gjykatë një dosje që media, pa mjetet e sistemit, e zbardhi për tre ditë.

Pesë muaj që fate njerëzore janë përpëlitur kur gjithçka mund të ishte shumë më e shpejtë përballë një tmerri pothuaj të pafundëm me shumë personazhe të përfshirë në të.

Share: