Home KRYESORE Ne shqiptarët vetëm spiunojme dhe kurre nuk denoncojme!

Ne shqiptarët vetëm spiunojme dhe kurre nuk denoncojme!

Nga Mentor Kikia

Mendoj se në Shqipëri, nuk ishte rastësi dhe as meritë e Enver Hoxhës që u instalua komunizmi më i egër në Evropë. Jo jo! Enveri vetëm sa e ndërtoi makinën grirëse të mishit, ndërsa për ta furnizuar e bënim ne, ne hidhnim njëri-tjetrin aty plot zell.

Ne i mbushëm burgjet me fukarenj që s’kishin asnjë lidhje me disidencën politike. Sepse spiunonim e denonconim njëri-tjetrin vetëm për një fjalë goje, vetëm për një of-shamë në radhën e bukës e të qumështit, në radhën e gjizës, të sallamit e të preshit.

Spiunonte e shpifte vëllai për vëllanë, gruaja për burrin e djali për babanë. Dhe mos më thoni: Eh, regjimi, ai e kishte fajin. Jo jo! Ne, të gjithë barktharë e bythëgrisur, e të gjithë spiunë të ndyrë.

Një miku im, kryetar bashkie, më tregonte një histori më shumë se domethënëse. Një burrë që kishte punuar për të gjatë fushatës, i kërkonte me këmbëngulje takim. “Një çështje me shumë rëndësi”- i kishte thënë.

-Do ia plotësoja kërkesën se i detyrohesha, shpresoja të mos ishte ndonjë gjë e madhe – tregoi.

-Mund ta heqesh filanin nga puna? – Ky kishte qenë halli i tjetrit.
-Do të mundohem – i tha.
-Të falenderoj shumë kryetar, s’do ta harroj kurrë.

Nuk e di, por më duket se ne si popull jemi ta pasionuar dhe kemi në gjak skuthërinë, spiunimin (në kuptimin e keq), servilizmin, ligësinë, nënshtrimin…

Sepse unë nuk shikoj askënd të denoncojë korrupsionin p.sh, as ta refuzojë atë. Të gjithë paguajnë lekë tek mjekët, nëpër gjykata, zyra hipoteke, zyra taksash. Madje ndodh që edhe kur nuk ua kërkojnë, ua fusin vetë në xhep. E mos më thoni se s’ka drejtësi, andaj.

Por sepse e kemi në gjak. Sepse edhe kur kemi një punë të rëndomë për të bërë, nuk pyesim se si bëhet, por kush e ka mik dhe shok nëpunësin apo drejtorin dhe sa para do që ta mbarojë shpejt.

Të gjithë paguajnë rryshfete, dhe nuk flasin, nuk denoncojnë. Ama po të ndërrojë komshiu dritaren e shtëpisë, tani që kjo punë quhet ndërtim pa leje, dhjetë telefonata i shkojnë INUK-ut për një çerek ore.

Ky është një popull që sundohet lehtë. Madje mendoj se është më lehtë ta sundosh dhe shtypësh sesa ta qeverisësh në mënyrë demokratike. Sepse ky është një popull që vetësundohet, vuan nga sindorma e skllavit. I pëlqen të përsekutohet, të vidhet, të zhvatet, të shtypet, të gënjehet, të mashtrohet dhe kënaqësinë nuk e ka kur ngre krye ndaj atij që ia bën këto të liga, por kur e bën fqinjin të jetë me keq se vetja.

I keni lexur si shahen e çirren mes tyre mbështetësit e politikanëve nëpër rrjeter sociale, dhe madje garojnë me kënaqësi se cili nga padronët është më i pasur, duke thënë: I lumtë, plas që është më i pasur se i joti.

Share: