Home KRYESORE Nje histori rrenqethese nga Dritan Hila

Nje histori rrenqethese nga Dritan Hila

“Gusht 2004. Për shkak të pushimeve ndodhesha vetëm në Konsullaten e Barit. Policia italiane me njofton se një vajze ishte kapur në kalatat e portit duke dashur te hidhej për tu mbytur.

E kishin çuar në spital, dhe më thanë që ngjante të kishte probleme mendore. Thoshte se e kishin nisur nga Barcelona në karrocerinë e një furgoni dhe e kishin hedhur në portin e Barit. Vajta ta takoja. Ishte trup imët, me flokë të zeza të prera shkurt dhe me sy të veshur nga një perde boshllëku. Nuk dinte të thoshte shume.

Ndoshta edhe trembej pasi fjala “konsull” nuk i thoshte asgjë. Më tha që ishte nga Berati dhe kishte udhëtuar me ditë, javë, muaj (në trurin e saj udhëtimi nuk kishte kufij vendesh dhe kohe) në një furgon të zi ku e rrihnin vazhdimisht. Truri i saj ishte dëmtuar rëndë. As emrin nuk e kujtonte. Drogat që duhet ti kishin dhënë, abuzimet që i kishin bërë, e kishin kthyer në kufomë të gjallë. Për fat nuk e kishin vrarë.

Italianët më thanë që nuk e mbanin dot gjatë në spital. Ndërkohë ne nuk kishim fonde ti prisnim biletën për atdhe. Edhe sot e kësaj dite përfaqësitë diplomatike të vendit që ka 1/3 e popullsisë jashtë, nuk ka fond për raste emergjencash humanitare. Por me ndihmoi agjencia  Aferri dhe vajzat shqiptare që punonin aty për ta nisur me një pagesë minimale. E priti policia e Durrësit. Shpresoj të ketë gjetur prindërit e saj dhe paqe me veten.

Sot më kujtohet edhe një nxënëse e nënës time nga Shkodra. Ajo nuk pati fatin e vajzës nga Berati. Babai i saj u zhyt në borxhe në përpjekjet e fillimeve të kapitalizmit kur mundohej të bënte tregti. Vajzën e bukur, të zgjuar e të ndrojtur, nxënësen e shkëlqyer të sime mëje, e rrëmbyen borxhlinjtë dhe e çuan prostitutë në Itali. Një ditë e gjetën të mbytur në pyjet e veriut të Italisë.

Zot, ki mëshirë për shpirtrat e humbura të femrave shqiptare.

(Më kujtohen këto raste sa herë shoh disa fundërrina të dënuara për trafik njerëzor që i rrinë në krah Kryeministrit, pasi i duhen të fitojë prapë zgjedhjet)”, shkruan Dritan Hila në profilin e tij në Facebook.

Share: