Home KRYESORE Pse ambasadori amerikan i frikësohet dhunës ne Kosove?

Pse ambasadori amerikan i frikësohet dhunës ne Kosove?

Nga Enver Robelli

“Frikësohem se Kosova po e pranon dhunën si mjet për të arritur qëllime politike. Kemi parë ngjarje të tilla në Ballkan shumë herë dhe nuk kanë përfunduar mirë për askënd». Kështu ka deklaruar ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, gjatë qëndrimit në Prizren, ku po zhvillohet festivali i filmit Dokufest – me temën bosht: korrupsionin. Ambasadori mund dhe duhet të jetë i shqetësuar për shumë zhvillime në Kosovë, por është me rëndësi që ky shqetësim të jetë edhe i sinqertë dhe gjithëpërfshirës.

Nuk mund të adresohet faji për kaosin politik në Kosovë vetëm te Vetëvendosja, siç po bën ambasadori Delawie. Është shumë lehtë të stigmatizohet Lëvizja Vetëvendosje. Kundër saj prej vitesh është mobilizuar krejt makineria shtetërore, portalet e PDK-së dhe diplomatët e PDK-së, të cilët nuk merren me gjë tjetër përveç se me denoncim dhe njollosje të kësaj partie nëpër zyrat dhe qymezet diplomatike, në workshope, te organizatat ndërkombëtare etj. Me një fjalë: kudo ku u jepet rasti ata e përshkruajnë VV-në si të keqen më të madhe të Kosovës, si rrezik për stabilitetin rajonal dhe global.

Domethënë: Driton Çaushi, një profesionist i shkëlqyer dhe qytetar shembullor i këtij vendi, na qenkësh rrezik për këtë vend, jo Adem Grabovci dhe pronto-mafia e tij? Edhe nëse jemi kundër përdorimit të gazit lotsjellës në betejën politike, prapë duhet pyetur ambasadorin Delawie: a është më i dëmshëm tymi i gazit lotsjellës që davaritet pas pak minutash apo djegia e ardhmërisë së dy milionë qytetarëve të Kosovës, siç po e praktikon PDK prej vitesh në bashkëveprim me Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës?

I dërguari i Washingtonit në Prishtinë mund të shqetësohet për shkak të dhunës «si mjet politik në Kosovë», por edhe më shumë Greg Delawie duhet të brengoset që SHBA-të prej vitesh toleron një pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar në Kosovë. Bashkë me segmente të Bashkimit Europian SHBA-të janë duke i mbyllur sytë para një sistemi thellësisht jodemokratik në Kosovë, me shpresën naive se kështu mund të zgjidhen më shpejt problemet e Kosovës – me vetveten, me shtetësinë e saj, me Serbinë. Apo me Malin e Zi. Sa i përket Malit të Zi: mungesa e debatit politik brenda shoqërisë kosovare, mungesa e transparencës, vendimmarrja arrogante e Hashim Thaçit kur ishte kryeministër, frikësimi i deputetëve se është «kërkesë e miqve ndërkombëtarë» për të marrë këtë apo atë vendim, e kanë prodhuar edhe konfliktin në lidhje me demarkacionin. Të dy palët janë futur në qorrsokak – dhe sa për sy e faqe në mes të qorrsokakut zhvillohet një debat për demarkacionin. Nuk mund të zhvillojë debat me këtë shoqëri një politikan si Thaçi, i cili para se të takojë Hillary Clinton thotë se opozita në Kosovë «ka me plasë». Pra, ai s’paskësh zhvilluar takime për të mirën e Kosovës, por për të zemëruar opozitën. Ky vend nuk është i Hashim Thaçit – ose është po aq i tij sa edhe i çdo qytetari, andaj tallja me qytetarët, mujshia me të cilët ka qeverisur e ka sjellë Kosovën buzë greminës.

Përse, zoti ambasador, e keni toleruar? Pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2010 diplomatët (edhe ata amerikanë) thanë se vjedhja e votës nga PDK kishte marrë përmasa industriale. Deklaratë më të rëndë për një proces zgjedhor zor të dëgjosh në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit. Megjithatë, nga ato zgjedhje doli një qeveri, me të cilën bashkëpunuan Washingtoni dhe Brukseli, madje duke i thënë popullit të Kosovës se ishte kabinet demokratik. Zoti ambasador, mos na e shitni një vëllazëri kriminale si qeveri demokratike, siç bënte njëri nga paraardhësit tuaj, i cili sot është punëtor i kompanisë ndërtimore Bechtel, e cila po ndërton autostrada në Kosovë, por në emër të transparencës publiku nuk po i sheh kontratat. A nuk është krim, zoti ambasador, kur pushteti thotë se autostrada Malishevë-Vërmicë do të kushtojë rreth 400 milionë euro, ndërkohë që shpenzimet i janë afruar një miliardë euro? Kjo mungesë transparence është mbështetur edhe nga SHBA-të. Ndoshta Kosova është tashmë shtet i parëndësishëm përballë krizave të mëdha globale, por kjo s’domethënë që të mbyllen sytë para qeverisjes me metoda kriminale.

Manipulimi i zgjedhjeve, mbushja e administratës publike me militantë partiakë të paaftë, vrasja e kundërshtarëve politikë, kurdisja e tenderëve, keqpërdorimi masiv i parasë publike, luksi vulgar i financuar nga arka e shtetit, instalimi i strukturave parapolitike dhe të nëntokës në shtet – të gjitha këto, zoti ambasador, janë mjete të dhunës.

Por ju po shqetësoheni vetëm për gazin lotsjellës. Gazi lotsjellës po shpërthen për shkak se shtëpia jonë e quajtur Kosovë po digjet e plaçkitet para syve tanë prej vitesh. Duhet të merreni me zjarrvënësit e Kosovës, zoti ambasador. Edhe një pyetje në fund të këtij teksti, zoti Delawie: a do ta ftoni edhe sivjet Adem Grabovcin në Lutjet e Mëngjesit? Mendoj se vitin e kaluar keni bërë mirë që e keni ftuar, fundja s’ka hapur kush më shumë vende pune në këtë vend se Grabovci, ndërkohë që varfëria po thellohet, mbi 100 mijë qytetarë kanë ikur nga ky vend në dy-tri vitet e fundit dhe po aq – në mos më shumë – po kërkojnë rrugë për të ikur diku në Perëndim.

Share: