Home KRYESORE 15 mijë lekë të reja gjobë nëse kapeni pa rrip ne makine

15 mijë lekë të reja gjobë nëse kapeni pa rrip ne makine

Do të hyjnë në fuqi më datë 10 shtator gjobat e reja për mosmbajtjen e rripit të sigurimit në makina, që ishin parashikuar të zbatoheshin nga dita e sotme. Kodi i ri detyron vendosjen e rripit edhe nga pasagjerët dhe gjoba e parashikuar në rast të shkeljes edhe deri në 15 mijë lekë.

“Për të gjitha automjetet e prodhuara pas vitit 1990, janë të detyruar si pasagjerët para edhe ata në pjesën e prapme të mjetit të mbajnë rripin e sigurimit dhe sistemet e fiksimit”, deklaron Taulant Gjoka, shef i Trafikut në Tiranë.

Në rast se ky detyrim i parashikuar në Kodin Rrugor nuk përmbushet pas 10 shtatorit, drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen me gjobë, që me ndryshimet e fundit varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja.

Në fakt, policia kishte parashikuar që aplikimi i këtyre gjobave të niste që këtë të hënë, por për shkak të disa ngjarjeve dhe vijimit të fushatës sensibilizuese është vendosur të shtyhet për 5 ditë.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja në Kodin Rrugor më 18 gusht, penalizohen rëndë me gjobë dhe heqje të patentës drejtuesit e mjeteve që nuk përdorin sistemet fiksuese për fëmijet.

“Nëse jeni drejtues mjeti dhe keni një fëmijë nën 4 vjeç, atëherë duhet të mbahet në sediljen e pasme me sistem fiksimi. Nëse është mbi 4 vjeç mund të rrijë pas vetëm me rrip sigurimi. Por nëse për arsye të ndryshme drejtuesi e do fëmijën në vendin përpara, kategoria nga 4 deri në 12 vjeç duhet të jetë me sistem fiksimi, kur bëhet fjalë për sediljet përpara”, sqaron Gjoka.

Nga vendosja e detyrueshme e rripit të sigurimit përjashtohen mjetet e transportit publik që lëvizin në zonat urbane dhe ku lejohet qëndrimi i udhëtarëve edhe në këmbë./tch

Share: