Home KRYESORE Kanabis, plerat… A po qeverisemi nga Mafia!?

Kanabis, plerat… A po qeverisemi nga Mafia!?

Nga Arian Galdini

Në një nga episodet më interesante të serialit Sopranot, është një monet kur dy mafiozë rruge Burt dhe Patsy, shkojnë të gjobisin një lokal të ri të sapondërtuar, në rrugën ku ata ishin përgjegjësit për të mbledhur paratë për ‘mbrojtjen dhe sigurinë’. Por duke qenë se lokali i ri ishte pjesë e një zinxhiri korporativ, nuk kishte pronar por manaxher. Dhe manaxheri u shpjegoi dy mafiozëve gjobëvënës se ai nuk kishte fare qasje tek paratë, e ai nuk mund tu jepte dot atyre asgjë edhe nëse do të dëshironte. Kur Burt dhe Patsy ngritën zërin dhe masën e kërcënimit për manaxherin, ky u shpjegoi atyre se ata edhe mund ta rrihnin, edhe mund ta vrisnin, por kjo nuk është se do ta shqetësonte shumë Korporatën e madhe, e se Korporata do të sillte një tjetër manaxher. Ndërsa u larguan nga lokali duarboshë, njëri prej mafiozëve të rrugës i thotë kokëvarur shokut të tij: ‘Më duket se na iku koha neve djemve të vegjël.’

Kjo skenë ilustron në mënyrë të përsosur edhe ndryshimin e kohëve por edhe lëvizjen nga koha e mafiozëve të vegjël, tek MAFIA e madhe dhe e paarritshme për mendjet dhe sytë e qytetarëve të thjeshtë.

Një nga gjërat e mira që ka ndodhur është se Korporatat e mëdha, e kanë nxjerrë në plan të dytë gangsterrizmin e rrugës të mafiozëve të vegjël që jetojnë me gjobëvënie, kërcënime e grabitje.

Por kjo nuk do të thotë se Korporatat ia kanë dalë mbanë të shmangin fuqinë e bizneseve që kontrollon MAFIA tradicionale dhe e mirëorganizuar prej dekadash.

Kriminelët e organizuar kanë investime afatgjata prej shumë kohësh në biznese legjitime me të dyja synimet, për ti pasur edhe si baza operacionesh e përfitimesh, por edhe për pastrim parash që nxirren nga aktivitetet ilegale si trafiku i drogës, armëve, prostitucioni, kontrabanda, etj.

MAFIA ka për zemër bizneset e parregulluara, të cilat janë të bazuara tek veprimet me para në dorë pra cash. Këto biznese janë të tilla që kërkojnë fuqi dhe stomak për të duruar e përballuar punë e kritere të cilat qytetarët e rregullt e normalë, i shmangin.

Manaxhimi i mbetjeve, psh, është bërë tashmë e gjithënjohur dhe gjithëpranuar se është biznesi më fortësisht e ngushtësisht i ndërlidhur me krimin e organizuar.

Ajo që po ndodh ngado në botë, kohët e fundit, është se Njerëzit e Krimit dhe MAFIAS, që jo domosdoshmërisht të gjithë janë vetë drejtpërdrejtë mafiozë, kanë mbërritur në nivelet më të larta të përfaqësimit politik, institucional, diplomatik, mediatik dhe artistik.

Kjo prani masive e këtyre Njerëzve, ngado e kudo, ka bërë që paradoksalisht përtej profileve të tyre të larta në Ofiqe, TV e gazeta, tek opinion publik të krijohet një perceptim i rrejshëm i një parrezikshmërie apo nevoje publike që ka shoqëria edhe për punët e MAFIAS.

Imagjinoni edhe faktin se jetojmë në kohët digjitale, kur bizneset me para në dorë janë të përballura gjithnjë e më tepër me kufizimet e transparencës, ndaj edhe krahmatja e fuqisë mes Shtetit të së Drejtës dhe MAFIAS, ia ka bërë të domosdoshme kësaj të fundit, ndërhyrjen e fortë me Njerëzit e saj kudo në çdo qelizë të Shtetit dhe shoqërisë.

Sipas disa statistikave, vitet e fundit ka ndodhur një fenomen interesant.

Anëtarësimi në Mafian Italiane, të njohur si Cosa Nostra, thuhet se ka rënë nga 5000 në rreth 3500 vetë, gjatë viteve të fundit. (burimi:l)

Madje edhe numri i vrasjeve është në rënie. Në Itali nga viti 1992 deri në vitin 2012, numri i vrasjeve ra me 80%, e pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në SHBA e vende të tjera ku kemi prani të këtyre organizatave mafioze.
(burimi: http://www.telegraph.co.uk)

Këto statistika kanë krijuar mitin se fuqia e MAFIAs ka rënë. Por jo. Këto statistika kanë krijuar vetëm një mit rrenacak, e nuk paraqesin aspak të vërtetën.

Ndërsa MAFIA i ka zvogëluar veprimet e rrugës dhe terrenit të cilat e bënin shumë të dukshme, të bujshme dhe tejet jopopullore, ajo është përshtatur me kohët e reja dhe ka gjetur shtigjet e saj të hyrjes në ekonominë e madhe të ditëve tona. Sigurisht ka kapur edhe politikën, institucionet, diplomacinë, median dhe artin. Gjithçka funksionon si një orë zviceriane.

A e dini se në Itali, 1 ne 5 restorante, zotërohet nga Krimi i Organizuar? Dhe këtë e thotë organizata më e madhe e biznesit në Itali, Confcommercio.

A e dini se ne Itali, 4 nga organizatat kryesore mafioze zotërojnë 15% të Hoteleve dhe 18% të bareve dhe akullorerive?

A e dini se në Itali, secila nga organizatat kryesore mafioze zotërojnë 1/5 e depozitave bankare, pronave, arit, tregut të antikuarëve, agjensive të udhëtimit, shtëpive të kujdesit për të moshuarit dhe fëmijët, dyqaneve, barve, restoranteve, etj, etj,?

A e dini se në Itali, krimi i organizuar mbledh rreth 20 miliard dollarë fitime vjetore vetëm nëpërmjet gjobëvënies, kërcënimeve dhe fajdeve, 14 miliardë dollarë nga trafiku i drogës, 11.7 miliardë nga lojërat e fatit dhe 7.9 miliardë nga prostitucioni?

Të gjitha këto statistika flasin për një pasuri përallore që MAFIA siguron e mbledh çdo vit, të cilat kërkon e përpiqet ti pastrojë duke synuar ti injektojë në ekonominë legjitime.

Kaq shumë para e kaq shumë fuqi, e bëjnë MAFIAn një rrezik madhor për shtete të mëdha e të vogla. Sidomos për shtete të vogla.

Sidomos për shtete me demokraci të gjymtë, me institucione të dobëta, me qeverisje autokratike, me ekonomi informale dhe të bazuar tek pagesat me para në dorë, e me shoqëri të zhytura në varfëri rraskapitëse.

Perfundimet nxirri vetë.

Shqipëria sot është në ditët e saj më të zeza. MAFIA largon me shkop bejzbolli investitorin serioz që do të sillte 450 milion dollarë në vendin tonë.

Kanabisi është bërë fasulja e re dhe e artë e shqiptarëve. Nëse deri dje ne çmonim fasulen dhe pataten si bukën, gjellën dhe pasurinë tonë, tani kemi kanabisin. Deri dje ushqeheshim vetëm me fasule, patate e trahana, sepse këto janë gatimet e varfërisë. Sot, nuk mbjell më askush as grurë, as misër, as fasule, as domate, as frutore. Të gjithë po mbjellin veë kanabis.

Nëse kjo nuk është dora e MAFIAs që është shtrirë në Shqipëri, më thoni ju, çfarë është…

E ndërkohë në këto 3 vite, kemi patur e fundit të marrezisë që vuri dorën e kontrollit tek lojërat e fatit, kohët e tritolit, bandat e gjobëvënësve, vrasjet dhe grabitjet e personave. Mos harroni se 2 vite më parë u vra bankieri më i rëndësishëm i vendit. Kemi patur lulëzimin e framaceutikës kriminale që e ka mbushur Shqipërinë me ilaçe të skaduara e të falcifikuara, kemi shpërthimin e konçensioneve dhe 3Pve që janë dashuria e re e MAFIAs.

Tani sikur të mos mjaftonte kjo atmosferë e zymtë nga batërdia e kanabisit dhe avionëve rrotëthyer që na bien herë pas here, Qeveria jonë na vjen me një propozim gjenial.

Na risjell ligjin e famshëm të importit të plehrave. Nuk ka ku të vejë më keq. Nuk ka gong e alarm më të madh për një shoqëri.

Mua nuk më shqetëson pabesia dhe fjalëthyerja e Edi Ramës. Sepse unë kurrë nuk kam besuar tek përbetimet e panegjerizmat e tij. Mua më shqetëson harmonia e së keqes. Nga kanabisi tek ligji i importit të plehrave, kemi vetëm një emër që na çon tek Alarmi Kombëtar.

Ky emër është MAFIA.

Kush e kanabisizuar Shqipërinë, mund edhe ta mbysë me plehra e madje edhe me mbetje radioaktive të rrezikshme. Ka 40 vjet që MAFIA nuk lejon ndërtimin e autostradës së Regio Calabrias.

Ka 25 vjet që MAFIA nuk lejon zhvillimin e Shqipërisë. Nëse ne do ti dorëzohemi MAFIAs, atëherë MAFIA do ta zotërojë plotësisht këtë vend. E nëse ndodh kështu, atëherë unë jam i pari që them se duhet ikur një orë e më parë nga ky vend. Por ende jo.

Ende nuk kam ndërmend të iki. Do ta bëj edhe një betejë finale që tia bëj tim biri këtë atdhe më të mirë. Nuk mund ta largoj tim bir nga ky vend, pa e bërë edhe një betejë finale për tia bërë atdheun më të mirë. Uroj që të bëhemi sa më shumë shqiptarë të gatshëm për këtë betejë finale për të mos ia dorëzuar atdheun tonë MAFIAS.

Arian Galdini

Tiranë më,21 shtator 2016

Share: