Home KRYESORE A do t’i hapë Shqipëria negociatat me BE?

A do t’i hapë Shqipëria negociatat me BE?

Nga Lavdrim Lita

Dje në Bruksel u mbajt takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u diskutua mbi arritjet dhe progresin e vendit tonë gjatë këtij viti në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve për integrimin. Ky është takimi i fundit përpara miratimit të raportit të progresit të Shqipërisë për 2016 dhe prania e kryeministrit Edi Rama në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel ishte për të kërkuar çeljen e negociatave të kapitujve të antarësimit. Përgjigjia e shefes si diplomacisë së BE, Federica Mogherini ishte se politika shqiptare duhet të implementojë reformat që miraton në parlament dhe se kërkohet prova të vullnetit për të goditur kokat e kriminit të organizuar dhe korrupsionit.

Fjalët e zv.presidentes së Komisionit europian mund të lexohen edhe ndryshe. Janë fjalë që përmbajnë ngarkesën e dyshimeve që kanë disa vende antare të BE për përparimin real që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e 5 prioriteteve. Komisionit Europian mund të rekomandojë hapjen e negociatave në nëntor, por është Këshilli Europian, që përbëhet nga shtetet anëtare, që vendos në dhjetor miratimin apo jo të rekomandimeve.

Qartësisht Gjermania dhe Franca nuk janë të bindura sa duhet për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për të hapur negociatat. Jo vetëm që bizneset gjermane dhe franceze në Shqipëri hasin pasigurinë juridike dhe fizike, siç dëshmojnë anketat e tyre vjetore, por edhe fakti që këto vende hyjnë në fushatë elektorale këto muaj nuk favorizon një mbështetje në opinionin publik dhe partitë politike qeverisë preferojnë të mos prekin këtë temë. Padyshim, autoritet shqiptare do të duhet të lobojnë shumë pranë këtyre vendeve për të marrë një përgjigje pozitive.

Megjithatë referendumi britanik ka shkaktuar shumë paqartësi dhe do të duhet kohë e nevojshme për të kapërcyer “lodhjen nga zgjerimi” të Bashkimit Europian që është bërë një temë toksike për partitë politike. Është e qartë që opinionet publike në Gjermani, Francë, Çeki, Hollandë, Itali apo edhe vende të tjera, nuk janë në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian sepse janë të ndikuara nga debati mbi imigracionin e pandalshëm, terrorizmin dhe rritjen e papunësisë.

Çdo qytetar i Bashkimit Europian do të pyeste veten nëse ka ndonjë dobi reale antarësimi i shpejtë i vendeve të ashtë quajtura kandidate për në BE. Pra, sa të dobishëm jemi ne, si rajon, për institucionet, tregun dhe shoqërinë që përbëjnë Bashkimin Europian? Është një pyetje që elita politike, akademike e mediatike e Tiranës nuk i ka kthyer asnjëherë një përgjigje serioze.

Maksimumi që Tirana zyrtare ka “shitur” në kancelaritë e Europës dhe institucionet e BE-së është toleranca fetare dhe ruajtja e stabilitetit në rajon. Dobia e reale e Shqipërisë si vlerë e shtuar për institucionet, tregun dhe shoqërinë e BE-së nuk është adresuar seriozisht nga vendimmarrësit institucionalë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

Qasja shqiptaro centrike se “ne jemi evropianë, por nuk na duan siç duan sllavët” nuk qëndron. Bashkimi Europian përballet me shumë probleme, dhe nuk ka asnjë arsye madhore të shtojë problemet brenda saj duke bërë një vendim të paarsyeshëm për antarësimin parakohe të Shqipërisë. Së pari, Shqipëria duhet të bëhet e dobishme për veten e saj, dhe së dyti të jetë e dobishme për Bashkimin europian.

Share: