Home KRYESORE A po përsëritet skenari i Krimesë në Bosnje e Kosovë?

A po përsëritet skenari i Krimesë në Bosnje e Kosovë?

Sipas të gjitha gjasave, ka marrë udhë realizimi i një skenari serbomadh në shtetin e brishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë veprime në shërbim të realizimit të këtij skenari janë duke u zhvilluar gjysmë legalisht dhe në heshtje. Qëllimi është më se i qartë!

Serbo-çetnikët nën udhëheqjen shpirtërore të Kishës “Shënsaviane”, risynojnë realizimin e aspiratës së tyre të kahershme nga e cila nuk kanë hequr dorë kurrë. Për nga pesha dhe rrezikshmëria për popujt fqinjë jo serbë, realizimi i këtij synimi mund të konsiderohet si hapi i parë, drejt krijimit të Serbisë së Madhe. Serbo-çetnikët këtë herë kanë përgatitur një skenar të veprimeve taktike, shumë më ndryshe nga ai i fundshekullit të XX, ngase edhe rrethanat e sotme dallojnë për shumëçka nga ato të atëhershmet.

Sipas këtij skenari, me siguri të miratuar dhe mbështetur edhe nga rusët, udhëheqja e të ashtuquajturës “Republika Srbska” ka marrë vendim që më 25 shtator 2016, të organizojë një referendum, e bindur se do të fitojë legjitimitetin për t’u shkëputur nga shteti i brishtë i Bosnjë-Hercegovinës, për të ndërmarrë më vonë hapin e dytë, bashkimin me Serbinë.

Në këtë drejtim e kanë fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, me çka e kanë “legjitimuar” mbajtjen e këtij referendumi.

Ashtu si nga shtetet përreth dhe nga Bashkësia Evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet ndërkombëtare, me në krye Këshillin e Sigurimit të OKB-së, as edhe një reagim serioz në raport me rrezikun që po i kanoset jo vetëm regjionit, por edhe Evropës. Të “mençurit” e politikës evropiane dhe nënbishtat e tyre, sidomos ata të Ballkanit, ndihen të relaksuar përballë këtij realiteti, se gjoja “distancomi” i Serbisë nga synimet e klanit të Dodikut, qenkan përjashtim i çfarëdo rreziku!?

Përballë kësaj sjelljeje plot mirëbesim ndaj shovinistëve serbo-çetnikë, të imponohet dyshimi: A thua mos nuk e njohin mirë mendësinë e mykur serbo-çetnike të Beligradit zyrtar apo mos këta të “mençur” e kanë shndërruar në monedhë kusuri në pazarllëqet e tyre edhe territorin e Bosnjës, ngjashëm me atë të trevave etnike shqiptare.

Mendoj, se përgjigja në këto dyshime nuk është diçka e vështirë!

Së pari, si duket nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë, se edhe Serbia po e luan rolin e saj të përcaktuar në këtë skenar, të ngjashëm me shumëçka me atë të Krimesë, ku si Kryetari Tomisllav Nikoliç, ashtu dhe Kryeministri Vuçiç, janë deklaruar para mediave, se gjoja distancohen nga synimet e mikut të tyre shpirtëror, Milorad Dodik. Është me interes të theksohet ngjashmëria e sjelljes, jo vetëm e shtetarëve serbiajan, por edhe e mujsharëve ndërkombëtarë karshi “distancimeve” të Milosheviçit para se të fillonte kasaphana në Kroaci dhe Bosnje;

Së dyti, mund të besohet me bazë se është bërë ndonjë pazarllëk i mujsharëve ndërkombëtarë me Serbinë, me shpresë infantile, se duke i lejuar asaj tani të aneksojë Republika Srbskan dhe nesër Zajednicën në Kosovë, helbete do ta shkëpusin nga prehri i ngrohtë i Rusisë.

Së treti, nënbishtet e tyre të verbëruar nga miopia politike shpresojnë së koti, se mos këtë problem do ta zgjidhë Bashkësia Ndërkombëtare. Por, sipas të gjitha gjasave, ata harrojnë, pse jo edhe qëllimshëm, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dëshmuar, apo as që ka dashtë të dëshmohet, se është e zonja të zgjidhë as edhe një nga problemet e shkaktuara nga konfliktet e përgjakshme në Botë, jo edhe pa fajin e saj, nga ku rrjedhin lumenj gjaku dhe lotësh. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte masakra e boshnjakëve të Srebrenicës, në korrikun e vitit 1995, para hundëve të “paqeruajtësve” holandezë, apo nuk do të ndodhte spastrimi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës nga shqiptarët, natën mes 3-4 shkurtit 2000, para hundëve të KFOR-it francez dhe policisë unmikistaneze…

Në vend të përfundimit të këtij opinioni, po i jap vetës të drejtën të shpreh drojën time: Nuk është larg mendsh të pritet që pas këtij “distancimi” Serbia të shpërblehet me diçka ngjashëm, siç ishte Marrëveshja e Daytonit, ku pas gjenocidit ndaj kroatëve dhe sidomos ndaj boshnjakëve t’i dhurohej 49% e territorit, sa dyfishi i popullatës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, apo siç ishin Marrëveshjet e Rambujesë, e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, si dhe Plani i Ahtisarit, të gjitha këto të favorshme për Serbinë dhe shumë të dëmshme për shqiptarët…!

Share: