Home KRYESORE Besnik Mustafaj per Edi Rama: Eshtë hakmarrës me njerëzit që nuk e...

Besnik Mustafaj per Edi Rama: Eshtë hakmarrës me njerëzit që nuk e kanë votuar

Politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafaj me anë të një shkrimi në Gazetën Panorama, të titulluar; ‘Hakmarrja e kryeministrit’, e ka cilësuar Edi Ramën si arrogant dhe hakmarrës ndaj njerëzve që nuk e votojnë.

Mustafaj shkruan që në krye të herës se ata që e njohin nga afër Edi Ramën, e tregojnë si një njeri verbërisht hakmarrës. “Në qoftë se ai nuk do të kishte pushtetin që ka, ky do të mbetej një tipar i karakterit të tij, sigurisht një tipar primitiv, por me ndikim vetëm mbi njerëzit që e rrethojnë”, shkruan ai.

Më tej, Mustafaj shkruan se të gjithë shqiptarët patën rast ta shihnin sa shëmtuar u soll ai pak ditë më parë me zonjën Voltana Ademi dhe me çfarë gjuhe rruge iu drejtua qytetares së parë të Shkodrës.

“Ishin bashkuar në një rrethanë gëzimi: po përurohej stadiumi “Loro Boriçi” me ç’rast Kombëtarja jonë e futbollit do të luante dhe një ndeshje miqësore me Marokun. Zonja Ademi, siç i takonte, po bënte detyrën e mikpritëses. Nuk kishte pra asnjë arsye të lidhur me çfarë po ndodhte aty rrotull për ta nxjerrë Kryeministrin e vendit nga binarët e mendjes. Siç del nga faktet, gjithë ai mllef i tij nuk lidhej as me ndonjë hesap të vjetër personal midis tij dhe Voltana Ademit”, shkruan ai.

Sipas tij, ajo lloj urrejtje e papërmbajtur në të vërtetë drejtohej kundër popullit të Shkodrës, i cili nuk e kishte votuar në shumicë as në vitin 2013, në zgjedhjet e përgjithshme dhe as në vitin 2015 në zgjedhjet për pushtetin vendor.

“Voltana Ademi thjesht mishëronte në sytë e Edi Ramës mosbesimin e përsëritur të shkodranëve ndaj tij si udhëheqës politik, gjë kjo e padurueshme për një njeri të dashuruar thellësisht me veten, siç është Kryeministri”, shkruan Mustafaj.

Shkrimtari dhe politikani Besnik Mustafaj shkruan, ndër të tjera, se për të kuptuar më qartë diskriminimin që i bëhet Shkodrës dhe qytetarëve të saj nga qeveria, Mustafaj bën një krahasim. Jo me Tiranën, sigurisht. Por me Divjakën, për shembull.

“Cili shqiptar, i ri a i vjetër, demokrat a socialist, do e merrte me mend se Divjaka merr jo për frymë, por në shifër absolute 5 herë më shumë fonde se Shkodra? Vetëm sepse atje deputet është socialisti i thekur Erion Braçe. Apo Librazhdi? (Nuk është për të qeshur.) Librazhdi merr nga qeveria, në sajë të besimit që i ka dhënë Taulant Ballës, 3 herë më shumë fonde se Shkodra. Krahasimi mund të vazhdonte edhe me Patosin apo me Roskovecin, që marrin po ashtu disa herë më shumë fonde se Shkodra. Shkodra nuk është një rast i shkëputur”, shkruan ai.

Ndërkaq, sipas tij, ky është rasti më ulëritës i hakmarrjes së egër të Edi Ramës ndaj atyre që nuk e kanë votuar./Opinion.al

Share: