Home KRYESORE Gjashtë ligjet e reformës votohen më 22 shtator, opozita kundër

Gjashtë ligjet e reformës votohen më 22 shtator, opozita kundër

Sesioni i ri parlamentar ka nisur me përplasje mes maxhorancës dhe opozitës. Shkak është bërë përfshirja në kalendarin e punimeve të 6 projektligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi.

Prishja e konsensusit për ligjin e vetingut vazhdon të jetë prezente në raportet mes pozitës dhe opozitës edhe për shqyrtimin e projektligjeve të tjera të paktës së drejtësisë. Dje, maxhoranca ka përfshirë në axhendën e Kuvendit për votim në seancën e 22 shtatorit të gjashtë projektligjet e reformës, por ky fakt është kundërshtuar nga pakica. Sipas burimeve nga opozita, 6 projektligjet e reformës nuk mund të votohen në seancën e 22 shtatorit pasi në këtë mënyrë shkelet Rregullorja e Kuvendit.

Të gjashta nismat ligjore kërkojnë shumicë të cilësuar votash, pra 84 vota, dhe si të tilla nuk mund të futen me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit.

Kalendari i punimeve dhe programi i punës për tri javët e ardhshme ka kaluar pa konsensus në Konferencën e Kryetarëve, çka detyroi kryetarin e Parlamentit ta miratojë atë gjatë nisjes së seancës. “Programi dhe kalendari nuk u miratuan sepse nuk patën konsensus të plotë, pasi patëm abstenim nga ana e opozitës, kështu që do të miratohen me votim”, u shpreh Meta.

Seanca e djeshme e Parlamentit nuk është shoqëruar me diskutime politike. Asnjë prej deputetëve të opozitës nuk ka mbajtur fjalime për të shprehur qëndrime politike Kuvend për kalendarin e punimeve trijavore. Këtë pakënaqësi opozita e ka shprehur me votën abstenim, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve./Opinion.al

Share: