Home KRYESORE Kikia: Kanabizimi masiv do të vrasë rinië, do të rrisë krimin!

Kikia: Kanabizimi masiv do të vrasë rinië, do të rrisë krimin!

Nga Mentor Kikia

Kultivimi i kanabisit është bërë tashmë një çështje më shumë politike sesa ligjore dhe debati është përqëndruar në faktin nëse ka apo jo suport shtetëror e qeveriar ky superbiznes agro-kriminal. Detyra e policisë është kufizuar vetëm në korrjen, duke u shndërruar në agro-polici, ndërsa Ministria e Brendshme krenohet me numrin e bimëve të asgjësuara, duke i krahasuar me vitin e kaluar, si të bëhej fjalë për një rendiment bujqësor.

Parcelat e korrura nuk po trajtohen si vendngjarje kriminale, ose në rastin më të mirë thjeshtë dokumentohen, dhe nuk po hetohet më tej se kush e porositi mbjelljen, kush do ta grumbullonte e kush do ta eksportonte. Bazuar në parimin stalinist se krim është kur vret një njeri, ndërsa kur vret shumë është thjeshtë statisatikë, edhe kultivimi i kanabisit thuajse është dekriminalizuar. Në burgje kanë përfunduar ose punëtorë krahu, ose disa kultivues individualë, pra ata që nuk janë pjesë e zinxhirit të organizuar. Në rastin më të keq, organizatorët e vërtetë të kësaj industrie gjigande, ata që garantojnë farën, financimin e mbjelljes, punëtorët e krahut, përpunimin, magazinimin dhe eskportin, janë dëmtuar pjesërish vetëm nga korrja e lëndës narkotike, por jo nga ndëshkimi ligjor.

Pavarësisht retorikës së qeverisë së sivjet është korrur më shumë sepse kemi zbuluar më shumë, kultivimi i kanabisit njohu një boom thuajse legal këtë vit.

Por cili është rreziku i kësaj sipërmarrjeje kriminale? Nuk mungojnë teoritë se pavarësisht origjinës, paraja nuk është e keqe. Por duhet të jemi të qartë dhe të ftohtë për çfarë po ndodh në Shqipëri. Sipas të dhënave të tregut, të paktën sasia e bimëve që policia thotë se ka korrur, do të kishte prodhuar rreth 600 milion Euro. Megjithatë, kapja e një skafi në Greqi dhe disa kuintalë kanabis, e një tjetri në Itali me 4 ton, mbërritja e avionit për tu ngarkuar në Ishëm, janë tregues se me gjithë korrjet e policisë, në vend ka sasira shumë të mëdha prodhimi.

Por le të kthehemi tek rreziku. Qindra miliona, në mos miliarda Euro, para e kriminalizuar do të hidhet në qarkullim. Ajo do të fuqizojë më tej një kastë njerëzish të botës së krimit, me lidhje të forta politike dhe aksione të mëdha në ekonominë legale, duke dëmtuar ekuilibrat, në dëm të ekonomisë së ndershme. Sasi të konsideriueshme do të investohen për të korruptuar struktura të shtetit, si policia, prokuroria, gjykata, për të krijuar gjithnjë e më shumë lehtësira në këtë biznes.

Duhet të jemi koshiente, se shteti dhe drejtësia shqiptare nuk janë rastësisht më të korruptuarit në Europë. Në këtë vend presioni i parasë së krimit ka qenë shumë i madh, para të cilit nuk ka rezistuart askush deri tani në piramidën shtetërore, duke e bërë korrupsionin tashmë një normë legale. Parë në këtë këndvështrim, kjo është e rëndë në kohën kur po bëhen përpjekje të mëdha e serioze për të reformuar drejtësinë.

Prodhimi masiv i kanabisit do të mbushë tregun vendas, duke ulur çmimin e duke nxitur përdorimin masiv të tij nga të rinjtë. Askush nuk është shqetësuar deri tani për pasojën reale që do të ketë kjo industri kriminale tek gjenerata e re. Masivizimi i konsumimit të drogës do të jetë një goditje fatale për shoqërinë, që edhe kështu është shumë e traumatizuar

Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, rreziku real i injektimit të kësaj paraje edhe në politikë. Dihet tashmë se pjesë e politikës janë edhe një numër i konsiderueshëm njerëzish që janë të lidhur edhe drejpërdrejtë me botën e krimit, e vecanërisht industrinë e kanabisit. Ligjet e reja vendosin kufizime të forta për të mos i lejuar këta njerëz të futen në politikë, por asnjë ligj nuk pengon që paratë e tyre të ushqejnë politikën.

Me pak fjalë, e gjithë kjo para do të çojë në kriminalizimin e shoqërisë në tërësi. Kjo formë kriminalizimi nuk është si cikloni që kalon, shkatërron dhe më pas njerëzve u duhet vetëm të rindërtojnë. Ky është një dëm me pasoja afatgjata. Janë goditje që shoqëria i merr tani dhe duhen vite për tu shpëlarë e rimëkëmbur.

Parë në kompleks, kanabizimi nuk është thjeshtë një fenomen kriminal, por një aktivitet me rrezik të madh ekonomik, shoqëror, social, është një fenomen me rrezik real kombëtar. Raporti negativ i Brukselit për hapjen e bisedimeve, do të jetë pasoja më e vogël që i vjen Shqipërisë nga ky fenomen.

Share: