Home KRYESORE Mark Marku: Rama po i trajton deputetët si plehra

Mark Marku: Rama po i trajton deputetët si plehra

NGA MARK MARKU

Opinioni publik shqiptar ka mbetur i surprizuar këto ditë nga një vendim i maxhorancës së majtë për të miratuar ligjin për importin e plehrave. Habia dhe irritimi i publikut ka të bëjë kryesisht me faktin se ishte qeveria e zotit Rama ajo që me të nisur punën shfuqizoi të njëjtin ligj të miratuar më parë edhe nga qeveria Berisha. Si për ta shtuar habinë dhe çoroditjen e publikut, mes kundërshtarëve të ligjit për importin e plehrave u shfaq edhe opozita e sotshme, dhe më i spikaturi mes tyre ishte vetë zoti Berisha, pikërisht ish-kryeministri, qeveria e të cilit e solli në Parlament një projektligj të ngjashëm të shndërruar më pas në ligj nga maxhoranca e atëhershme parlamentare.

Është më se e qartë se qëndrimi i palëve ndaj çështjes së importit të plehrave përbën në vetvete një problem shumë më të madh se vetë importimi i plehrave dhe krijimi i industrive që i përpunojnë ato. Të importosh apo të ngresh impiante të përpunimit është një çështje vërtet delikate dhe e debatueshme, por që gjithsesi mund ta shikosh nga shumë këndvështrime.

Nëse e shikon nga këndvështrimi ambientalist, natyrisht është diçka e papranueshme, për të mos thënë një krim ndaj vendit dhe qytetarëve që jetojnë në atë vend. Nëse e shikon nga këndvështrimi i biznesit, natyrisht që është një çështje me leverdi ekonomike (sidomos për ata që e ushtrojnë këtë biznes). Edhe këndvështrimi politik ndryshon sipas nuancimeve politike: i djathtë, i majtë, liberal, konservator.

Personalisht, edhe pse e vlerësoj pa masë angazhimin e aktivistëve ambientalistë për çështje të tilla, nuk mendoj se zgjidhjet që ofrojnë ata për këto çështje janë përherë zgjidhje të mundshme për shoqërinë e sotshme. Falë industrializimit dhe konsumizmit të jashtëzakonshëm të shoqërisë moderne, krijohen aq shumë mbetje dhe plehra të të gjitha llojeve sa lipset një zgjidhje.

Zgjidhja është përpunimi i tyre, dhe për këtë arsye lind nevoja për impiante përpunimi e kështu krijohet një treg që funksionon sipas ligjeve të tregut. E thënë më thjesht është shumë e vështirë të pajtosh njëra me tjetrën dëshirën apo nevojën për ta pasur detin, tokën dhe qiellin e pandotur me nevojën apo dëshirën për të qarkulluar përmes tyre me anije, avionë dhe makina që konsumojnë lëndë djegëse; nevojën për të ndërtuar ambiente banimi me dëshirën apo nevojën për të mos prerë drurë në pyje apo për të mos shëmtuar malet duke u marrë gurët për material ndërtimi; nevojën për të prodhuar energji elektrike përmes centraleve hidrike apo bërthamore me dëshirën për të mos e deformuar shtratin dhe rrjedhën e lumenjve, apo për të mos u përballur me rrezikun e mbetjeve bërthamore.

Është pra e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje, një ekuilibër, mes natyrës dhe nevojës së njeriut për të shfrytëzuar të mirat e saj dhe mendoj se zgjidhja nuk gjendet as në “puritanizmin ambientalist”, as në “snobizmin industrialist” të çështjeve ambientale. Nga ky këndvështrim, edhe çështja e përpunimit apo importit të plehrave mund të përballet në mënyra të ndryshme, kështu që nuk ka pse të habitemi nëse x apo y qeveri bën një ligj të këtillë apo të atillë.

Ajo që të habit nuk është mënyra si i trajtojnë plehrat, por njerëzit. Dhe Rama i trajton njerëzit si plehra në këtë rast. Trajton si plehra qytetarët shqiptarë, që i ka mashtruar tre vite më parë me abrogimin e ligjit. Trajton si plehra ata që e kanë “besuar” atëherë dhe që kanë ndihmuar që ai të vijë në pushtet. Trajton si plehra deputetët e tij, që vite më parë i ka mobilizuar në luftë kundër “mafies së plehrave të Berishës”, dhe që tre vite më vonë i vë të votojnë të njëjtin ligj. Ramës i pëlqejnë plehrat dhe ky është zhgënjimi i vërtetë për ata që vite më parë kanë besuar të kundërtën.

Share: