Home KRYESORE “MBETJET TEKNOLOGJIKE” SI OFERTË ZHVILLIMI…?

“MBETJET TEKNOLOGJIKE” SI OFERTË ZHVILLIMI…?

Nga Frano KULLI

Në vitet e fundit të rregjimit të shkuar,kur kolapsi ekonomik qe bërë evident edhe në fushën që i kishte dhënë frymëmarrjen në grahmat e fundit ekonomisë, asaj të industrisë minerare të nxjerrjes dhe përpunimit, me shpirt ndër dhëmbë u ngritën edhe disa fabrika përpunimi të mineraleve, në zonat mineralmbajtëse të verilindjes së vendit.

Në ato fabrika, për nga teknologjia-beterr, si pasojë e izolimit ekstrem dhe pamundësisë për të blerë (me klering-shkëmbim mall me mall) thuajse asgjë nga teknologjitë bashkëkohore, as nga vendet e lindjes europiane, synohej pasurimi i mineralit të bakrit e kromit, që nxirrej nga minierat, të cilat për më se një gjysmë shekulli ishin shfrytëzuar , me lehtësinë primitiviste të shfrytëzimit, të marrim prej tyre ç’të mundemi sot. Por ja, që tani i kishte ardhë fundi kësaj mundësie sipërfaqësore të shfrytëzimit. Ndaj u synuan mënyra të tjera për të ristartuar atë dhe për të liruar kështu kalatat e portit të Durrësit prej stokut të mineralit, grumbuj me më shumë dhé se mineral,akumuluar ndër vite, si pasojë e ndërprerjes thuajse të plotë të mundësisë së eksportit të tij, që për disa vite kishte qenë oksigjeni i ekonomisë së mpakur vafëruese të vendit….

Këto “novitete”, udhëheqësi komunist i atëhershëm i cilësoi si “burma” të mekanizmit të ri ekonomik, që nisi të trumpetohej si propagandë dhe si praktikë e re administrimi, nuk e ndaluan theqafjen drejt greminës, të asaj ekonomie, e cila nuk prodhonte më shumë se bukën thatë dhe prasin (purrinin i thonë në Shkoder), por që për fat e stopoi ndryshimi demokratik i sistemit të kalbur, që sollën erërat e lëvizjeve të tilla në mbarë europën lindore…

Fabrikat e pasurimit, këto mbetje teknologjike që u propaganduan si risi e “socializmit me forcat tona” ishin arnimet e fundit të ekonomisë së shqyer në atë farë feje sa s’kish ku të vije më as arna përmbi arna u sollën si ofertë zhvillimi, që sipas poseduesve të saj do të ndalte kolapsin, i cili, tashmë kishte ndodhur…

Njerëzinë e këtushme e kërcënonte uria, pa folur për stadin e lirive të njeriut, të cilat ishin të përjashtuara nga sistemi, që në zanafillen e vet, në mbarim të luftës së dytë botërore dhe tani kishte arritur në finishin e vet rrënimtar.

1-
Edhë këto ditë, përgjatë një muaji, Ministri i sotçëm i Energjitikës , ishte në njërën prej zonave më mineralmbajtëse (me krom) të vendit, në Dibër.U ngul atje, siç mundëm ta shihnim, falë teknologjisë së përkryer të informacionit, për shkak të një palë zgjedhjeve lokale jashtë radhe, që i provokoi njëri prej shtetarëve provincialë brekëgrisur…

Edhe ai, duke synuar , të ndërtojë “fabrika” pasurimi. Veçse jo të pasurimit të kromit; për atë gjë , unë nuk e di të ketë folur ndonjëherë të vetme, Zoti ministër.Ajo punë është zgjidhur me konçensionet me të cilat po administrohen minierat, sipas qeverisë së tij, të cilat ,posë të tjerash bëjnë kurban jetë minatorësh , nevojtarë të raskapitur , prej skllavërisë moderne të koncesionarëve.Por ai ka folur e vepruar me ngulm për të përsosur teknologjinë e sundimtarisë së tij moderne atje.

Ndanë e rreth parcelave të mbjella me kanabis ai u kumtoi më se njëherë fshatarve e qytetarëve të Dibrës se, vetëm po votuan partinë e tij do të kenë si dhuratë fonde.Fonde … po për çfarë, për modernizimin e teknologjisë nxjerrëse të mineralit atje, për të shumëpërmendurën “Rruga e Arbërit”, që do të ishin vërtetë jetike për t’i nxjerrë nga mjerimi i skajshëm ata njerëz ? Por që janë e do të ishin edhe një aset strategjik për ekonominë kombëtare.Jo,jo, gjëra të tilla nuk rrokin as vëmendjen e jo se jo interesat e Zotit Ministër.

Atij nuk i interesojnë e as nuk i duhen këto, atij i duhen vota për të siguruar poziten e tij, për të përforcuar sundimin e tij dhe të tijve mbi këta njerëz e të mbarë shqiptarëve të mbetur këtu, nga klani a sekti i tij, që quhet parti. Dhe për të sunduar njerëz, për të sunduar një shoqëri e një popull, parakushti i të gjitha kushteve është ta lësh të varfër e ta varfërosh përditë e më shumë atë.Kjo është e njohur në kufinjtë e aksiomës.Është shumë shumë më e lehtë për një qeveri, e cila vjen si sundimtare, që në vend të ndërtojë strategji për zhvillimin e resurseve pasurore , siç janë në Dibër, bie fjala minierat dhe pyjet të sugjerojë e menazhojë mbjelljen e kanabisit të magjishëm.

Sepse sundimtarët në këtë rast kanë dy përftime të magjishme gjithashtu, prej bimës vdekjeprurëse por që sjell shumë para, progresojnë gjeometrikisht pasuritë e e tyre të pamundimta.Ndërsa kultivuesit-skllevër, me lugën bosh në duar i varfërojnë edhe më shumë, duke i ndërvaruar edhe më shumë tek pasunarët sundimtarë.

Për rrjedhojë edhe i sundojnë më lehtë….”Kështu do politikanë të patënzonë,[të pafé-këtu të pamoral] tue dashtë me gëzue sa ma shumë n’ket jetë, u leverdisë që ligjet e shtetit të vendosen, pa marrë parasysh aspak ligjet e Zotit e ligjin e natyrës; pse për me ba qejf në këtë jetë duhet me jetue në shpinë të tjeterkujt, prandej me marrë financen e shtetit n’dorë e me mbajt rob popullin, për me e ba me punue përdhunë e mos me e lanë me çue krye, për me lyp të drejtat e veta… “(Hylli i Dritës, “Ipeshkvijtë e Shqipnisë e çeshtja zgjedhjeve”1923/12,fq.529-538)-do të shkruante Gjergj Fishta 93 vjet më parë…

2-
Qasja më duket se i shkon sistemit të sotëm politik, funksionimit të partive si mekanizmat lëvizës të sistemit demokratik, në stadin e tanishëm. Prej kohësh është konstatuar prej politologëve dhe prej analistëve të vëmendshëm të korrenteve të politikës, se sistemi i partive këtu është në kalbëzim, në gjendjen e sotme ato janë mekanizma të ndryshkur, që prej kohësh kanë degjeneruar prej misionit të tyre nismëtar të fillimit të pluralizmit politik në fillimvitet ’90 të shekullit që shkoi.Interesat e tyre janë larguar tejet larg interesave të popullit; duket se ato shërbejnë interesat e vetëm një grushti “rriqnash” pushteti, që kapërcejnë sa në njërën palë vithe tek të tjerat e pushtetit.Ato i inspirojnë pak , shumë pak njerëzit.Sepse të përshpirtshmen e ka pushtuar paraja, besimi ka rënë shumë, ndaj dhe vota shitet …

Dhe lirë, në këtë farë feje.Dibra na rikujtoi se kemi kapur fundin e së keqes.Ndaj dhe është gjithë ky desiluzion, ndaj dhe njerëzit ikin prej këndej dhe duan përditë të ikin.

Barra e ringritjes së shpresës së bjerrur, i bie opozitës.Për të cilën, herë tjetër do të shkruajmë më gjatë.

Share: