Home KRYESORE Misteri i përdhunimit në Durrës, nëna e vajzës mohon policinë (Provat)

Misteri i përdhunimit në Durrës, nëna e vajzës mohon policinë (Provat)

“Të mohosh shenjat e dhunës në trupin e vajzës sime është një krim i dytë akoma më i rëndë se i atyre që e luajtën nga mendtë e kokës dhe e çuan në psikiatri. Ime bijë ka një plagë të madhe poshtë mjekrës. Ajo mund të jetë goditur me thikë ose kaçavidë ose me një mjet tjetër mprehës. Desara ka shenja dhune në të gjithë trupin dhe unë jua vërtetoj këtë”.

Kështu u shpreh dje Nevruze Çoniku, nga lagjja nr.15 e qytetit të Durrësit. Reagimi i saj ka marrë shkas menjëherë pas deklaratës zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit dhënë për mediat, në lidhje me ngjarjen e publikuar dy ditë më parë nga “Gazeta Shqiptare”, ku bëhej me dije denoncimi i bashkëshortëve Idajet dhe Nevruze Çoniku se vajza e tyre 23-vjeçare është dhunuar e përdhunuar në familjen ku ishte punësuar si “babysiter”.

Në të njëjtën linjë me nënën e së resë janë edhe mjekët e Spitalit Psikiatrik të Elbasanit. Ata pohuan se “vajza kishte shenja dhune në trup” dhe se “kjo i është referuar policisë së Durrësit që në momentin kur e solli këtu”.

Ndërkaq, mjeku psikiatër i Durrësit, Gazmend Rrahmani tha se 23-vjeçarja ka ardhur në gjendje të rënduar mendore dhe për këtë arsye plotësoi kartelën për në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. “Vajza u paraqit në poliklinikë e shoqëruar nga policia. Fillimisht ajo kishte qenë në maternitet për ekspertizë mjeko-ligjore, dhe më pas e sollën tek unë. Ajo kishte pësuar trauma dhe ishte në gjendje të rënduar mendore. Nuk e di çfarë i kishte ndodhur, por nuk na lejoi t’i bënim as qetësues. Diagnoza ishte ‘Çrregullim psikotik’ dhe ende nuk dihen shkaqet”, deklaroi Rrahmani.

MISTERI I NJE “BABYSITER”

Si përfundoi në çmendinë Desara Çoniku?! Ngjarja e ndodhur më 23 gusht të këtij viti është e mbuluar me mister. Kjo për faktin se dëshmitë tronditëse të dhëna nga prindërit e saj hidhen poshtë nga policia e Durrësit. Blutë këmbëngulin se vajza nuk është dhunuar.

Ndërsa, nëna e së resë dëshmon të kundërtën. Ditën e djeshme, Nevruze Çoniku solli në “GSH” një foto të së bijës, ku duket qartazi një shenjë plage nën mjekër. 45- vjeçarja i ka bërë disa foto në spital së bijës. Sipas saj, vetëm ata që nuk kanë sy nuk mund t’i shohin shenjat në trupin e Desarës. “Vajza kishte plagë edhe në afërsi të sqetullave, në krahë, në kurriz e në të gjithë pjesën e fundshpinës. Unë kam një mesazh për ata që duan të fshehin të vërtetën e asaj që i ndodhi sime bije. Për ata që nuk vënë para drejtësisë autorët e krimit: Ta përjetojnë te fëmijët e tyre. Dhe më pas të besojnë dhimbjen time prej nëne”, tha Nevruze Çoniku.

Ndërkaq, nëna e 23- vjeçares u shpreh se dyshon që vajzën ia kanë helmuar. “Pse nuk iu bënë analizat toksikologjike vajzës, për të verifikuar se çfarë i kanë dhënë për të pirë?” – shtoi Çoniku. Ndërkaq, “GSH”, dje u interesua pranë spitalit të Durrësit dhe rezultoi se kjo analizë shumë e rëndësishme, e cila verifikon se çfarë ka konsumuar e reja nuk kryhet në këtë spital. “Kryhet vetëm në Tiranë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thanë mjekët e spitalit të qytetit bregdetar./lapsi.al

Share: