Home KRYESORE Ndarja e posteve, aleatët rebelohen me Edi Ramën

Ndarja e posteve, aleatët rebelohen me Edi Ramën

Koalicioni i PS-së ka më shumë se 40 parti. Selia rozë ka ndarë pushtetin vetëm me pak prej tyre

Nga Redjon Shtylla

Koalicioni i majtë ka plot 42 parti,por që vetëm PS, LSI, PDIU, PDK janë në Kuvend, e 38 parti jashtë. Afrimi i PDIU-së në qeveri, ka shkaktuar një rebelim te partitë e vogla të majta, të cilat edhe pse nuk janë në Kuvend, kanë pasur marrëveshje me PS për ndarje të posteve në administratë. Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se do të diskutojë me LSI dhe PDIU për zgjedhjet e ardhme nuk është pritur pozitivisht nga partitë e koalicionit. Sipas tyre kreu i qeverisë ka tre vjet që nuk zbaton marrëveshjen e 2013 me to. Disa prej tyre i kanë cilësuar marrëveshjet e fundit si një pazar të gjësë së gjallë.

Krerët e disa partive të vogla që janë pjesë e koalicionit të majtë, në një prononcim për “Koha Jonë”, kanë reaguar ashpër ndaj kreut Rama. Një pjesë e tyre thonë se, me këto qëndrime të Kryeministrit, ka gjasa që ata të mos jenë më pjesë e koalicionit në zgjedhjet e vitit 2017.

Kreu i Partisë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati, në një prononcim për gazetën “Koha Jonë”, u shpreh se kreu i qeverisë, Edi Rama, u ka dhënë poste vetëm disa partive, ndërsa me partitë e tjera nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Ai thotë se, postet ministrore ndahen në bazë të interesave politike dhe jo në bazë të kontributeve gjatë zgjedhjeve të fundit. “Rama e ka respektuar marrëveshjen me Partinë Social Demokrate (Gjinushi ) zv.ministër  Partia Socialiste ‘91 (Petro Koçi ) Zv/ministër Partia G ‘99 Zv.ministër Partia Ardhmëria Kombëtare Gjet Ndoi, Drejtor i Arkivave të Shtetit Partia Socialiste e Vërtetë (Gjergj Koja) Drejtor i përgjithshëm Rajonal.) Në zgjedhjet për Bashkinë Dibër u regjistrua në koalicion vetëm Partia Aleanca Demokristiane. Ai u shpreh se, koalicioni me PS do të rishikohet. “Jemi mërzitur me negociata pa fund pa asnjë konkluzion. Nuk i lutemi më Kryeministrit që të na japë vende pune”, është shprehur ai.

Edhe Preng Çuni, kreu i Partisë Komuniste “8 Nëntori”, shpreh të njëjtin zhgënjim, duke pohuar se Kryeministri ka synim mbajtjen e pushtetit,” nëpërmjet pazareve me partiza si PDIU-ja,  e cila ka 4-5 deputetë me qira dhe i përdor me efikasitet, me qëllim përfitimi ekonomik e politik”. Këto lojëra politike për Çunin, nuk janë veç se, “pazare politike mashtrimi e ngritur në kult dhe manipulimi masiv është “ideologjia dhe metodika ” e politikës udhëheqëse”.

Afrimi i PDIU-së nga ana e Kryeministrit Rama, është parë edhe si një presion që bën Rama për LSI-në, gjë që e deklaron dhe Koçi Tahiri, kreu i Partisë Demokracia e Re Europiane. “Këto kohët e fundit qëndrimet që po mban LSI e Ilir Metës, atij po i dridhen këmbët, pra kërkon me çdo kusht aleatë të rinj dhe si i tillë një përshtatshmëri që i sillte një stabilitet, aty e gjen te PDIU-ja, e Shpëtim Idrizit”-, pohon ai.

Për PKD, që përfaqësohet me tre deputetë në Kuvend, situata me marrëveshjen është e njëjtë, asnjë respektim. Dhimitër Muslia, afrimin  PDIU-së me Ramën, e komenton si, “pazar politik i panevojshëm për momentin , pasi me kartonët që ka maxhoranca nuk kishte nevojë për PDIU, për të bërë reformat e premtuara para zgjedhjeve të 2013”.

Qëndrimet

Kreu i PK8Nëntori

Preng Çuni: Aktmarrëveshja me 42 parti, relike që tregon mashtrimin

Preng Cuni

Kreu i Partisë Komuniste “8 Nëntori”, deklaron se marrëveshja me koalicionin me Ramën në 2013 kishte si ideologji rrëzimin e një shteti të korruptuar, por sipas tij, “aktmarrëveshja e firmosur nga 42 parti politike ka mbetur si relikë që tregon mashtrimin e këtij Kryeministri, i cili është tallur në mënyrë banale me aleatët”. Më tej ai shton se kryeministri thotë pareshtur se koalicioni funksionon, “për realisht si nuk ka funksionuar dhe është inekzistent duke përjashtuar “Aktmarrëveshjen me Bllokun e LSI” që funksionon si pazar o interesash me të vetmin qëllim mbajtjen e pushtetit. Aktmarrëveshja e firmosur nga 42 parti politike ka mbetur si relikë që tregon mashtrimin e këtij Kryeministri, i cili është tallur në mënyrë banale me aleatët”. Ne komunistët u bëmë pjesë e këtij koalicioni bazuar mbi principe morale, me synimin e largimit nga pushteti të bandës së korrupsionit e të krimit të PD-së dhe tani kur këto ideale janë braktisur duke bërë pazare kulisash, atëherë dhe ne do të korrigjojmë dhe rishikojmë këtë pozicion. Mbajtja e pushtetit synohet përmes pazareve me partiza shprehet Çuni, duke shtuar se: “Kryeministri ka synim mbajtjen e pushtetit nëpërmjet pazareve me partiza si PDIU, e cila ka 4-5 deputetë me qira dhe i përdor me efikasitet, me qëllim përfitimi ekonomik e politik. Pazaret politike mashtrimi i ngritur në kult dhe manipulimi masiv është “ideologjia dhe metodika” e politikës udhëheqëse, ne komunistët refuzojmë pazaret politike”.

Kreu i PDRE-së

Koçi Tahiri: Afrimiteti i Shpëtim Idrizit në qeverisje, një presion ndaj Ilir Metës

Koçi Tahiri

Kreu i Partisë Demokracia e Re Europiane, e sheh afrimin e PDIU-së, si një kërcënim ndaj LSI, por Tahiri nënvizon se, “kohët e fundit qëndrimet që po mban LSI e Ilir Metës, atij po i dridhen këmbët, pra kërkon me çdo kusht aleat të rinj dhe si i tillë një përshtatshmëri që i sillte një stabilitet, aty e gjen te PDIU-ja, e Shpëtim Idrizit”. Në këtë mënyrë Rama i tregon dhe muskujt Ilir Metës, duke i thënë se unë jam gati, e kam Shpëtim Idrizin. Për ‘të, afrimiteti i Shpëtim Idrizit në qeverisjen me Edi Ramën, nuk është gjë tjetër veçse një presion ndaj Ilir Metës. Tahiri deklaron se: “Kështu veproi Edi Rama më 2013-ën, kur u afrua me Ilir Metën, por Rama harroi marrëveshjet me partitë e tjera, si Social Demokratët, e Skënder Gjinushit, apo Demokracia Sociale e Paskal Milos. Aleanca me Shpëtimin, mendoj se është krejt normale, kështu fitojnë të dy palët në rastin tonë konkret, Rama ashtu dhe Ilir Meta. Por dhe ana tjetër e LSI, nuk ka se çfarë të humbasë pasi ajo do vazhdojë t’i bëjë presion Ramës, pasi vetë Rama nuk ka shumicën në Parlament, e në këtë rast votat e Ilir Metës janë vendimtare, ku të tre së bashku ata marrin vendime të mëdha. Rama nuk e respektoi aktmarrëveshjen as në aktmarrëveshja e vitit 2013, as në atë të vitit 2015 me koalicionin me 42 parti politike. Grupimi më i ri i 45 partive politike që janë jashtë parlamentare po që kanë një numër votash të konsiderueshme, gati 580.000 vota do jenë një presion ndaj të dy kampeve”.

Kreu i PKD-së

Dhimitër Muslia: Kartonët që ka maxhoranca nuk kishte nevojë për PDIU-në

Dhimitër Muslia

Afrimi i Ramës me PDIU është më shumë si pazar politik i panevojshëm për momentin shprehet, kreu i Partisë Kristiane Demokrate, Dhimitër Muslia, “pasi me kartonët që ka maxhoranca nuk kishte nevojë për PDIU-në, për të bërë reformat e premtuara para zgjedhjeve të 2013-ës”. Ai e cilëson si veprim aspak të moralshëm, pasi ka një marrëveshje me PKD dhe të tjera parti parlamentare e jo parlamentare. “Këtë e shohim më shumë si marrëveshje kulisash dhe ndarje parcelash në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Rama nuk ka qenë korrekt fare në zbatimin e marrëveshjes me Partinë Kristian Demokrate, pasi ne si subjekt politik nuk kemi asnjë përfaqësues në asnjë nivel qeverisës. Nëse i referohemi marrëveshjes ne jemi parti parlamentare dhe e kemi fituar mandatin me forcat tona dhe na takonte të kishim një ministri dhe përfaqësim sipas votave në qarqet përkatëse. Fatkeqësisht marrëveshjet i ka bërë sipas orekseve të tija personale duke përdorur dy standardizime e duke shkelur kontratën”-, deklaroi Muslia./Koha Jone

Share: