Home KRYESORE Nikollë Lesi: Opozita në tetor 20.000 veta te sheshi për rrëzimin e...

Nikollë Lesi: Opozita në tetor 20.000 veta te sheshi për rrëzimin e Ramës!

Nga Nikoll Lesi

Praktikisht fushata elektorale për zgjedhjet e qershorit 2017 ka filluar. Qeveria po vë gjithçka në funksion të këtyre zgjedhjeve parlamentare. Flitet për pushtetin ekzekutiv, por paralel me to është edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Edhe Presidenti zgjidhet në qershor. Edi Rama, ndonëse me ligjin e importit të plehrave bëri një gabim taktik fatal 9 muaj para zgjedhjeve, por përsëri nëse futet me Ilir Metën në zgjedhje, i fiton. Nuk dihet ende se si do të luajë LSI, pavarësisht se gjasat janë për rivazhdim të koalicionit PS-LSI.

Ndërkohë Edi Rama po luan në prapaskenë një lojë fryrje, duke e pompuar PDIU e çamëve. Po u jep gjithçka ata kërkojnë; drejtori të rëndësishme ku ka para e punësime. Synon ti rrisë si faktor politik në zgjedhjet e ardhshme që të dyfishojnë numrin e deputetëve, pavarësisht se është një utopi, humbje kohe e energjish, realisht. Çamët e kanë elektoratin e tyre të përcaktuar që lëviz nga dy deri në tre deputetë, maksimumi. Ajo puna e Dibrës ku u fol se ishin çamët të cilët dhanë fitoren duhet të jemi të sinqerte me veten se nuk ka këmbë çami atje, por ishin interesat e pushtetit dhe të parasë që u hodh me thasë për blerje votash. Kjo nuk ha diskutim! Edhe për fajin e një opozite të vobektë, ndonëse u hodh euro e madhe, aqsa edhe vetë PS-ja nuk e donte një fitore kaq të madhe nga 400 vota diferencë në vitin 2015 në 4000 në shtator 2016.

Duke ditur stoicizmin e LSI-së në raport me votat e saj, mundet edhe të shtohen ndjeshëm, por Edi Rama po punon me një djallëzi çame për të rritur PDIU. Edhe kështu, prapë nuk i del numri 71 deputetë që të marrë pushtetin me çamët. Atëhere ka filluar një strategji gati-gati përfekte. Nuk don sherr me LSI, ndonëse nuk dëshiron të jenë ata, prapë faktor qeveribërës. Pyetja e mundimshme për Ramën mbetet se si mund ta bëjë numrin 71. Vetëm me PDIU dhe pa LSI, nuk bëhet. Ndaj luan fijet në mizaskenë që PAA e Agron Dukës të jetë faktori qeverimbajtës pas zgjedhjeve të qershorit 2017.

Në të vertetë Partia e Agron Dukës është në koalicion me PD. Por si parti në program është parti e majtë, në mos diku afër qendrës, sepse mision të djathtë nuk ka patur. Agron Duka është deputet në Durrës. Mbetet politikan shumë korrekt dhe autoritar, popullor për njërëzit të cilët e njohin sepse cilësia e tij mbetet puna dhe zemërgjërësia, gjë të cilën pak politikanë e kanë. Duka po punon me finesë me të djathtën, pasi e di shumë se PD ka nevojë edhe për forcën e tij personale e politike. Nëse vëren se si po luan muajt e fundit Agron Duka, ku po merr në partinë agrare socialistë të thekur nanoist dhe 24 karatsh si taban i majtë, atëhere strategjia e tij mbetet të krijojë një grup parlamentar në zgjedhjet e ardhshme. Dhe nuk është çudi. Mund të shkojnë nanoistët tek Agron Duka edhe vetë, porse duket pak e pabesueshme pa lejen e Fatos Nanos, ish-kryetarit të PS-së. Fatos Nano ka mbështetje akoma në bazën e majtë. Ka akuza ndaj tij nga të tijtë, ka hatërmbetje, ka pabesi ndaj tij si dhe nga Nano ndaj të majtëve, porse duhet pranuar se ka elektorat ende, ndonëse në shthurje, që beson tek ish-lideri. Mjafton një dalje publike e Nanos në kohë fushate që të votojnë Agron Dukën dhe koshi i votave të partisë agrare ambientaliste të mbushet aqsa për të qenë faktor politik në parlament. Njihet miqësia historike e Nanos me Dukajt dhe me fisin Kokaj. Si rregull miqësitë nuk harrohen!

Në politikë thuhet “kurrë, mos thuaj kurrë”, sepse lëvizjet nga njëri kah politik në tjetrin kanë ndodhur kaq befasishëm sa tashmë është bërë normë. Në këto kushte përveç çamëve, partia e Dukës mund të jetë numri magjik për 71 deputetë në sallën e parlamentit. Dhe Rama rri e negocion me kujdes në prapaskenë, aq me tepër që dihet se cili e luan “ngjalën” në Durrës për këto negociata qeveritare. Nuk hap luftë me LSI, porse bën llogari që PDIU dhe PAA të jenë faktor vendimtar për numrin 71. Pra PDIU nga PD në 2013 kalon me PS në 2017-ën, kurse PAA qëndron me PD dhe shikon në të drejtën e saj se kush del parti e parë që ti jap numrat.

Logjikë e pranueshme shqiptare. Ndaj LSI duhet të jetë vigjilente, pasi ndonëse mund të marrë mbi numrin 20 deputetë, prapë Edi Rama po luan mjeshtërisht në prapaskenë me PDIU dhe PAA apo me ndonjë deputet që mund të hyjë aksidentalisht në parlament me ndonjë parti minorene.

Kjo është kulisa e PS-së.

Por përballë ndodhet PD, e cila synon të rikthehet në pushtet, ndonëse duket dritë e largët për hir se po luan si opozitë europiane hollandeze, ndërkohë që në Shqipëri zbatohen kode të tjera votimi. Shembullin ia dha Edi Rama me Dibrën, ku siç thamë edhe vetë ministri Damian Gjiknuri mësohet se ka thënë në tavolinë “mos, jo kaq shumë vota u kam porositur!”, kur e njoftuan se janë 4 mijë e kusur vota plus PD-së.

Opozita ka vetëm një skemë që mund t’i ofrohet fitores.

Ngre popullin opozitar që tani në muajin tetor me mbi 20 mijë veta apo me shumë, nga krejt Shqipëria. Edhe me 10 mijë vetë bëhet punë! Bllokohet bulevardi “Deshmorët e Kombit” nga turma disa mijëshe ditë-natë; çdo të enjte që ka parlament rrethoja parlamentin ku nuk guxonte deputet të hynte dhe e mbushja me mbeturina sheshin para parlamentit dhe vetë sallën e Kuvendit. Dhe vetë në krye të popullit, Lul Basha pa doreza kundër plehut, por me thasë plehu vetë i pari turret mbi Kuvendin. Nuk ka polici që i del para një turme 20 mijë apo me shumë demonstrues. Në krye të turmës pastron Tiranën nga mbeturinat duke i grumbulluar mbi parlament dhe vrapoja, po me turmë, direkt e tek stadiumi kombëtar, dhe rrëzon gjithçka ka aty. Asnjë makinë dhe asnjë këmbë ndërtim-krimi nuk lejon me popullin e vendosur opozitar. A është që po bëhet për interesa të një biznesmeni që do edhe kullë-hotel në stadium? Atëhere përtokë, gjithçka. Kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira, natyrisht në qershor 2017, pasi edhe ndërkombëtarët nuk kanë kohë të vijnë sa herë ne, shqiptarët, duam zgjedhje të parakohshme; tërheq nga detyra krejt kryetarët e bashkive dhe anëtarët e keshillave bashkiakë të opozitës deri në krijimin e qeverisë teknike. Populli opozitar në kohën që bllokon sheshin para kryeministrisë dhe bulevardin merrte një “xhiro” deri tek sheshi “Skenderbej” ku po bën Erion Veliaj punimet e ku ka bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e makinave. Natyrisht kjo nëse siç thotë Basha populli është i revoltuar nga skamja ekonomike.Vetë në krye të qindra e qindra të tjerë demonstrues, e le popullin opozitar të rrethonte kryeministrin, dhe shkon e shkatërron me sëpatë në dorë, si dikur Edi Rama në Tiranë, në çdo rreth plantacionet e drogës.

Përplasja me policinë? Nuk kemi ç’të bëjmë! Do përplaset turma! Në emër të një pushteti tjetër me të mirë, edhe ndodhin përplasje. Ka sakrifica! Edhe vetë lideri mund të sakrifikohet.

E fundit, që duhet të jetë e parë në kokën e Lulzim Bashës: Asnjë ministër të akuzuar nga radhët e PD-së, të kohës së Saliut, nuk e qas në oborrin e selisë blu. Asnjë hajdut apo kriminel nuk hynte në listën e PD si deputet. Dhe natyrisht bën paqe me Jozefina Topallin, e cila mund të ketë gabime, por asnjë nuk e akuzon për shkelje ligji. Nuk e mbante kot Berisha afër Jozin. I duhej, dhe jo se vdiste për të.

Përballje me pushtetin ballë për ballë. A e bën këtë Lulzim Basha?/ Koha Jone

Share: