Home KRYESORE Prokurorët: Reforma bllokon emërimin e magjistratëve të rinj

Prokurorët: Reforma bllokon emërimin e magjistratëve të rinj

Unioni i Prokurorëve shprehu shqetësim dje për vakumin ligjor të krijuar nga vonesa në miratimin e ligjeve shoqëruese të ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi.

“Me anë të kësaj deklarate për median, Unioni i Prokurorëve konsideron me vend të shprehë shqetësimin për situatën e krijuar pas ndryshimeve kushtetuese. Në një kohë kur prokurorët e Republikës së Shqipërisë janë duke hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjykatë për qindra e mijëra çështje penale, konstatohet një situatë e nderë e krijuar nga mosmiratimi i ligjeve organike në zbatim të ndryshimeve kushtetuese të datës 22.07.2016”, thuhet në deklaratën e bordit të Unionit të Prokurorëve, raporton “Panorama”.

Sipas saj, krijimi i Prokurorisë së Posaçme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organizimi i Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë, kërkon, referuar Kushtetutës, një afat deri në tetë muaj pas miratimit të saj. “Kjo kohë e gjatë, marrë në konsideratë dhe faktin se asnjë ligj nga paketa e shtatë ligjeve bazë të mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor nuk është miratuar ende apo nuk ka hyrë në fuqi, po sjell dhe do të sjellë një vakum ligjor, që do të cenojë funksionimin normal të sistemit gjyqësor dhe të punës së përditshme të Prokurorisë shqiptare.

MAGJISTRATËT

Në deklaratë, Unioni i Prokurorëve konstaton se ngarkesa e punës së prokurorëve është shumë e madhe dhe është i nevojshëm shtimi i numrit të prokurorëve që do të çonte në uljen e ngarkesës, rritjen e cilësisë se hetimit dhe afate më të shpejta për hetimin e procedimeve penale. “Në këtë kuadër fillimi i detyrës i magjistratëve të rinj që diplomohen nga Shkolla e Magjistraturës, sipas kuadrit aktual kushtetues, nuk mund të ndodhë për sa kohë që sipas dispozitave kushtetuese i vetmi organ që ka të drejtën për emërimin apo transferimin e prokurorëve është Këshilli i Lartë i Prokurorisë (që ende nuk është formuar)”, theksohet më tej në deklaratë.

KRIMET E RËNDA

Unioni i Prokurorëve shpreh shqetësimin për anëtarët e këtij organizimi dhe jo vetëm, që janë aktualisht prokurorë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Kushtetuta në nenin 179/8 të saj parashikon vazhdimin e detyrës vetëm për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Mosparashikimi i vazhdimit të detyrës për prokurorët e kësaj prokurorie çmojmë se bie ndesh me Kushtetutën, duke shtuar këtu dhe punën, ngarkesën dhe rrezikun deri fizik të këtyre prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës në hetimin e veprave të rënda penale, të grupeve kriminale dhe krimit të organizuar”, theksohet më tej në deklaratën e bordit drejtues të Unionit të Prokurorëve.

“MBYLLJA” E DOSJEVE

Prokurorët anëtarë të Unionit shprehen në deklaratën e tyre se mungesa e dispozitave kalimtare rregullatore për këtë periudhë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re, deri në miratimin e ligjeve organike dhe krijimin e funksionimit të organeve të reja të parashikuara nga Kushtetuta, po sjell pasiguri juridike dhe mund të cenojë ecurinë e procedimeve penale, që janë në hetim dhe të çështjeve penale që janë në gjykim.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të nenit 178 si një rregull i përgjithshëm, nuk ka parashikuar asnjë dispozitë kalimtare për ecurinë e punës së Prokurorisë shqiptare, duke marrë në konsideratë juridiksionin fillestar për hetimin e funksionarëve të lartë, organizimin dhe llogaridhënien e prokurorëve, mungesën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë deri te funksionimi i Prokurorisë lidhur në hierarkinë, varësinë ose jo nga prokurori më i lartë etj.”, evidentohet më tej në deklaratë.

Sipas saj, në një kohë kur Kushtetuta parashikon dispozita kalimtare rregullatore për institucione të tjera të sistemit të drejtësisë (neni 179/dh pika 12), nuk ka parashikuar funksionimin e institucioneve të prokurorisë dhe ajo që është më e rëndësishmja ka krijuar një mosfunksionim sa i përket hetimit dhe gjykimit të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksojnë prokurorët./Panorama

Share: