Home KRYESORE Rritet shqetësimi për plehrat/ Rama, show me industrialistët e riciklimit

Rritet shqetësimi për plehrat/ Rama, show me industrialistët e riciklimit

Çështja e importit të plehrave është kthyer në shqetësimin kryesor të kryeministrit Edi Rama, i cili sheh përditë e më shumë qytetarët që po organizohen për të shpërthyer në protesta masive.

Prej dy ditësh Rama dhe njerëz të paguar prej tij u kthejnë përgjigje mijëra komentuesve në faqen e tij në Facebook, të cilët e pyesin se çfarë e detyroi të lejojë importin e plehrave 3 vjet pasi e kishte ndaluar vetë si pasojë e protestave popullore, si ka mundësi të importojë plehra një vend që nuk menaxhon dot plehrat e veta?

Një ditë më parë ai dërgoi në një fabrikë riciklimi ministrin e financave, Arben Ahmetaj, për të shpjeguar se plehrat importohen vetëm këtë industri. Sot në 11 ai ka thirrur vetë ricikluesit në një takim në kryeministri, të cilin paralajmëron se do ta ketë live, për t’u folur shqiptarëve për të mirat që sjell ky ligj për industrialistët e riciklimit të mbetjeve.

Ky show i radhës vjen pasi rrjetet sociale po ziejnë dhe mijëra qytetarë kanë konfirmuar se do të jenë të shtunën në protestë përpara zyrës së Ramës. Deri në miratimin e ligjit Rama nuk mori asnjë iniciativë të tillë t’u shpjegonte qytetarëve arsyet e lejimit të importit të mbetjeve.

Disa media raportojnë se në Shqipëri pritet të vijnë plehra nga Italia, të cilat i ka refuzuar muaj më parë Maroku, si pasojë e protestave masive që shkaktoi një vendim i qeverisë së atjeshme. /Lapsi.al

Share: