Home KRYESORE Semafori i Historise…Quo vadis Shqipëri!

Semafori i Historise…Quo vadis Shqipëri!

Nga Tritan Kalo

”Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita”, shprehej dikur filozofi dhe autori i “Republikës”, Platoni….

Jo rastësisht e vendosa këtë thënie në krye të shkrimit të sotëm.

Ma solli atë ndërmendje diskutimet e pafundme në Seancën Plenare të sotme e Enjte, 29.09.2016, si dhe kakofonia e ligjbërësve, apo e oborrit të shërbëtorve të tyre, sa majtas edhe djathtas spektrit tonë politik, kur debatohet për “dobiprurjen” apo “dëmsjedhjen”, që vjen nga zbatimi në praktikë i Ligjit për Menaxhimin e Mbetjeve.

Diskutime të pambarimta, me pak thelb informativ, me shumë servilizëm dhe me pak ose aspak profesionalizëm, me shumë gabime ideore e strukturore për shkak të mangësive në formimin kulturor të shumicës së tyre, POR mbi të gjitha me shumë – shumë pak “nerv” të përgjegjësisë qytetare për votuesit e tyre, si dhe me pak ose aspak përgjegjësi për zhvillimin e vendit, sot, nesër dhe në shekuj! Kjo, sepse dëmet mjedisore që kanë sjellë dhe do të sjellin malet e mbetjeve/plehrave “kombëtare” dhe ato “ndërkombëtare” janë të pa imagjinueshme….

Përpjekjet për të na hutuar me ngjyrat e mbetjeve të cilat do të importohen si: jeshile, të verdha/portokalli apo të kuqe, dhe shumë “fitim-prurëse” për ne të gjithë, si dhe tejet “shpëtuese e zhvilluese” të industrisë së materialeve të riciklueshme, më ngjajnë shumë me përpjekjet e kota për rifitimin e “virgjërisë fizike dhe morale”, të “prostitutave mashkullore apo femërore”, ndërkohë që hallet e jetës apo shtrëngimet e ushtruara mbi ta, i kanë bërë ato/ata të qëndrojnë për shumë kohë nën dritën e semaforeve trengjyrëshe në udhët e shumta të Europës, apo më gjërë….

Papërgjegjësitë e deritashme të “politiqenërve” tanë në mirëmenaxhimin e teritorit të vendit tonë, të pasurive të saja të pafundme mbi dhe nëntokësore, e ka futur me kohë shoqërinë tonë në “udhëkryqin” e zhvillimeve historike.

Të gjendur përballë dritave të “semaforit” orientues për qarkullimin në të, populli ynë “trim, punëtor dhe liridashës”, ka kohë që e ka humbur instiktin orientues për mirëardhmërinë e tij…..EDHE PSE drita jeshile e “semaforit” ka mbi 25 vite që është hapur për demokratizimin e jetës së tij, POPULLI SHQIPTAR ende po heziton:

1- a të ecë drejt, por tyneli ku ka hyrë nuk po duket të ketë dritë në fundin e tij,

2- a të rikthehet largëqoftë majtas në udhën nga e cila doli më 31.03.1991, apo ai të…

3- kthehet plotësisht djathtas e drejtuar nga një klasë politike me mendësi arkaike shumë pak demokratike, e me shumë ektremistë të majtë apo të djathtë në rradhët e saja?…

A mos ndoshta i duhet Popullit Shqiptar të futet në “semaforin e historisë” me dritë të verdhë, duke rrezikuar të mos dalë në kohë prej tij ose të aksidentohet në të, apo edhe më keq, të futet në në këtë semafor me dritë të kuqe, sikundër edhe ai është futur më shpesh në këto 25 vitet e fundit si dhe të vijoj të paguajë edhe në 25 vitet që vinë, “gjoba të pafundme” për mos-mbrothësimin e tij ekonomik, social, psikologjik apo moral…Quo vadis Shqipëri!!!!

P.S. (Post scriptum): Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botim i vitit 1980, ne gjejmë përkufizimet e mëposhtëme: 1- Pleh = të fshirat, lëmishtet, bërdilet, mbeturina të ndryshme që flaken jashtë, hedhurina; si dhe 2- Mbetje = tepricë; ajo që mbet nga një e tërë pasi të jenë hequr a të keni marë një a më shumë pjesë; kusur,….” E ku qëndron problemi këtu?”(E.R.)

Share: