Home KRYESORE Të bëhesh shembull për të menaxhuar një qeveri si Kryeministër

Të bëhesh shembull për të menaxhuar një qeveri si Kryeministër

Nga Kasem Seferi

E para gjë e rëndësishme në një qeveri është të menaxhosh vetveten, për arsye se një kryeministër, nuk mund të menaxhojë të tjerët në qeveri në qoftë se, më së pari dhe më shumti, nuk menaxhon vetveten.

Burimi më jetësor dhe vendimtar që ka një kryeministër dhe, veçanërisht, një ekzekutiv është vetvetja. Burimi më vendimtar dhe më jetësor është kryeministri vetë dhe partia e tij nuk do të përmirësohej se sa do të përmirësonte ai veten e tij.

Kështu, gjëja e parë që duhet thënë rreth zhvillimit të një vëndi si Shqipëria është: zhvillimi. Ky është një koncept i përgjithshëm. Zhvillimi, më i rëndësishmi, varet nga ajo se sa një kryeministër nxjerr nga një burim që në të vërtetë është ndën komandën dhe kontrollin e tij; pra, kryesisht, ai vetë.

Ka një një diferencë ndërmjet kryeministrave të të suksesshmëm dhe pjesës më të madhe të tyre që, tek më e shumta, kanë qenë mediokër. Diferenca qëndron në atë se njerëzit që drejtojnë të suksesshmit, më së pari dhe më shumti, menaxhojnë veten e tyre.

Ata i njohin anët e tyre të forta dhe është për të ardhur keq se si shumë pak njerëz në të vërtetë e kuptojnë dhe njohin ato anë se ku ata janë të mirë. Dhe një gjë e tillë nuk njihet në qoftë se nuk punohet për të marrë vesh se ku janë ato drejtime ku ata janë të mirë.

Përvoja botërore dëshmon me fakte se pjesa më e madhe e kryeministrave që kanë bërë një punë të veçantë, e kanë organizuar punën në mënyrë sistematike për të marrë vesh ato drejtime se ku ata në të vërtetë janë të mirë. Përdorimi i metodave shumë të vjetra nuk ka të bëjë fare me metodat moderne të menaxhimit.

Kurdoherë që bëhet diçka domethënëse, kurdoherë që merret një vendim i rëndësishëm dhe, veçanërisht, kurdoherë që merret një vendim mbi njerëzit (që është vendimi i tyre më i rëndësishëm), zakonisht mbahen shënime që parashikojnë se do të ketë rezultate që do të shihen në nëntë muajt që pasojnë (100 ditëshi) ose një vit më vonë dhe, vetëm atëhere, do të shihet shumë shpejt se ku ekonomia është më mirë, se ku ka ngecur në vend ose ku ka rënë më poshtë.

Do të shihet shumë shpejt se ku do të duhet të mësohet, se ku do të duhet të përmirësohet dhe, gjithashtu, do të shihet shumë shpejt se ku asgjë thjesht nuk dhurohet. Natyrisht nuk mund të pretendohet për një gjeni universal, por për një person që mund të jetë shumë i mirë. Ka njerëz që me një të parë i kuptojnë problemet që shqetësojnë shoqërinë, por ata shumë shpesh janë të pashpresë kur vjen fjala për të menaxhuar njerëzit e tyre, gjë që vërteton se duhet të merret vesh se ku duhet të jenë të mirë dhe të sigurohen që të zhvendosen atje ku kanë anët më të forta të tyre që mund të prodhojnë rezultate.

Natyrisht duhet të punohet fort për kapërcyer dobësitë, por megjithëse mund të punohet fort dhe mund t’ia arrijnë të bëhen kompetentë të fushës në të cilën nuk u është dhuruar gjë, nuk mund të jenë në majë të menaxhimit të çdo sektori.

Do të jenë në majë të menaxhimit të çdo sektori në qoftë se e zhvendosin veten e tyre atje ku ka drejtimet e tij më të fortë dhe në qoftë se punojnë për zhvillimin e drejtimeve të fortë. Gjëja e dytë që i duhet kushtuar pjesa më e madhe e vemendjes është si dhe ku vendosen njerëzit e tjerë. Njerëzit duhen vendosur atje ku anët e tyre të forta prodhojnë rezultate. Ajo që e diferencon një qeveri të suksesshme nga të tjerat është mënyra se si i vendos ajo njerëzit e saj.

Dhe nuk është vetëm ajo që një qeveri vazhdon t’i zhvillojë njerëzit e saj, por së pari t’i vendosë ata atje ku anët e forta të njerëzve mund të prodhojnë rezultate dhe atje ku dobësitë e tyre janë të papërshtatshme . Dhe kjo është e para që duhet thënë në lidhje me diferencën ndërmjet të qënit një kryeminitër i veçantë, apo një mediokër, ose dhe më keq.

Pjesa më e rëndësishme, që theksohet me forcë, është të vërtetohet që njerëzit në majë të menaxhimit në një qeveri, në mënyrë shumë të dukshme, të jenë shëmbull i dukshëm. Pjesa më e madhe e menaxhimit në një qeveri arrihet me anë të shembullit dhe kurdoherë që ka shumë njerëz që janë shembull një gjë e tillë, në mënyrë shumë të gjërë, bëhet bindëse.

Kjo është fusha më e rëndësishme në një vend të tillë si Shqipëria e cila, në të njëjtën kohë, duhet të bëjë shumë gjëra për të kapur pjesën më të madhe të historisë së këtij shekulli.

Më konkretisht, le të shohim përpjekjet e qeverisë në lidhje me biznesin e vogël dhe të mesëm që duhet të kenë për qëllim gjetjen e mënyrave për përmirësimin dhe përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, duke e adresuar vemendjen e politikëbërjes te gjetja e përgjigjes për secilën kërkesatt që vijon: Të adresojë legjislacionin tatimor në ato drejtime që nuk e shtrembërojnë sjelljen e tatimpaguesve, si dhe te kujdesi që të shmangen ndryshimet e papritura që të çojnë në ristrukturimin domethënës të shitjeve me shumicë, gjë që dihet se sjell pasoja për financat publike dhe ekonominë.

Legjislacioni tatimor të jetë më pak kompleks dhe më i qendrueshëm me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë bizneseve të bëjnë pritshmëri pozitive. Të konsiderohet drejt dhe në kohë volumi i ndryshimeve të legjislacionit tatimor.

Legjislacioni tatimor t’i shërbejë kontekstit të konkurrencës tatimore në kuadër të integrimit rajonal dhe global. Të adresojë legjislacionin tatimor në ato drejtime themelore që e tërheqin investimin e huaj. Legjislacioni tatimor t’i japë biznesit sigurinë që i nevojitet.

Legjislacioni tatimor t’i shërbejë stabilitetit afatgjatë, me qëllim që bizneset të adoptojnë strategji afatgjata. Në ndryshimet e legjislacionit tatimor të zbatohet parimi: “mendo më së pari për biznesin e vogël”. Legjislacioni tatimor të ketë nivelin e duhur të transparencës dhe stabilitetit, që të risigurojë dhe inkurajojë biznesin e vogël.

Qeveria të konsultohet në mënyrë të qendrueshme me komunitetin e biznesit mbi çështjet tatimore, veçanërisht, në çështjet e zvogëlimit të kompleksitetit dhe barrëve të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor në këtë periudhë të dytë të ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike botërore.

Por sikundër është pare në këto tre vite të fundit mbledhja e të ardhurave tatimore, pothuajse shpesh, është bërë me anë të masave shtrënguese, ose me anë “të tatuarit me masa shtrënguese” dhe, si përkufizim, vlerësimi dhe mbledhja e tatimeve me anë të këtyre mënyrave, nga tatimpaguesit, janë perceptuar dhe ende po perceptohen si metoda arbitrare, zhvatëse, të paqarta, ose më saktë me anë të forcës së shtetit.

Përse ka ndodhur kështu? Ka vetëm një përgjigje për këtë pyetje: tatimpaguesit gëzojnë pak të drejta. Por përse ata gëzojnë pak të drejta? Cilat janë arsyet që nuk respektohen disa nga të drejtat e tatimpaguesve dhe përse veprohet me metoda arbitrare?

Së pari, arsyeja kryesore që ka rëndësi është struktura dhe organizimi i ekonomisë si dhe i biznesit. Kërkimet e bëra nga organizatat me emër në fushën e tatimeve, tregojnë se është e vështirë të mbledhësh tatime në vende me të ardhura të vogla dhe/ose të mesme, ose më saktë me një ekonomi kombëtare që karakterizohet nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME): (i) që u mungon struktura zyrtare dhe burokratike, (ii) që operojnë pa përdorimin e gjërë të sistemeve bankare dhe të dhënave të regjistruara me shkrim ose në formë elektronike për transaksionet ekonomike, pa u mbështetur në arbitraritet dhe masa shtrënguese.

Në modelin e një ekonomie të tillë mbledhja e tatimit priret të jetë arbitrare dhe konfliktuale, për arsye se mungesa e të dhënave për transaksionet ekonomike dhe përdorimi i kufizuar i sistemeve bankare inkurajojnë ndërveprimin ballë për ballë ndërmjet tatimpaguesve dhe zyrtarëve tatimorë dhe i detyrojnë këta të fundit të marrin vendime sipas gjykimit (maturisë së) tyre rreth detyrimeve tatimore që nuk mund të vlerësohen lehtësisht në mënyrë pavarur.

Zyrtari që i thotë tatimpaguesit se duhet të paguajë kaq ose aq para, natyrisht, që fut gjithashtu duart në këtë “pazar”. Sikundër vihet re, këto faktorë logjistikë i pajisin zyrtarët tatimorë me një pushtet të konsiderueshëm të gjykimit sipas mendjes së tyre, e lehtësojnë korrupsionin dhe, ndoshta, zhvatjen, duke rritur rrjedhjen e të ardhurave të shtetit në duart private dhe, nga ana e tatimpaguesve, duke gjeneruar zemërim dhe rezistencë tatimore.

Kjo dukuri e vendos të tatuarit në opsionin e zgjedhjes për të gjithë rebelët dhe, praktikisht, ia bëjnë të vështirë qeverisë përshtatjen e një përpjestimi më të madh të të ardhurave kombëtare nëpërmjet të tatuarit, veçanërisht, të tatuarit direkt. Çështja se sa shumë (ose me çfarë barre) i taton qytetarët e saj qeveria është e dallueshme dhe, konceptualisht, më pak komplekse.

Sa ndikon mbi veprimet politike të tatimpaguesve niveli i kërkesës së të ardhurave? Dihet se implikimet politike nuk janë të drejtëpërdrejta. Rritjet për mbledhjen e tatimeve nuk kanë të ngjarë të ndodhin në izolim. Zakonisht, ato rezultojnë nga rritjet e shpenzimeve publike, të cilat si përgjigje mund të intensifikojnë proçeset nëpërmjet të cilave politika rreth shpenzimeve publike e ka “bërë konfuze” politikën rreth rritjes së të ardhurave.

A nënkupton kjo pyetje se qeveria është e përgjegjshme dhe iu përgjigjet qytetarëve, pra atyre që paguajnë tatime? A është implikimi i politikës ai që duhet të gjejë mënyra për sigurimin që të tatohen të varfërit për ta parandaluar qeverinë që të jetë e përgjegjëshme dhe t’i përgjigjet vetëm jo të varfërve në kurriz të varfërve? Përgjigja për pyetjen e fundit është: jo. Ka dy arsye: e para, është e kujdesshme, pra, thjesht nuk dihet mjaft mbi efektet e të tatuarit mbi sjelljen politike për të justifikuar këtë lloj të eksperimentit shoqëror; e dyta, është se ka një arsye të mirë për të besuar se, normalisht, tërë politika dhe grupet shoqërore do të përfitojnë nga një përgjegjshmëri dhe gadishmëri më e madhe për t’iu përgjigjur tatimpaguesve.

Përse? Veçanërisht, në një vend si Shqipëria me institucione publike relativisht të dobëta, politika, rrallë ka qenë një lojë e arsyeshme e financës publike që politikanët dhe ekonomistët kanë dashur ta modelojnë, për të treguar se në cilin një grup të veçantë, të përkufizueshëm, për shembull, sipërmarrësit e vegjël, do të jenë të kalkuluar në detaje në lidhje me përfitimet për një angazhim ligjor më të fortë.

Kur qeveria e tanishme është përballur me presione më të forta për të financuar vetveten të ardhurat e mbledhura i janë drejtuar masave shtrënguese. Dy herë aksion për kuponin tatimor, që në gjuhën e menaxhimit modern do të thotë të merresh me të njëjtën punë gati një vit më vonë, do të thotë se nuk ke shkuar asgjëkundi.

Është për të ardhur keq, por është i vërtetë fakti se në Shqipëri nuk ka beteja të mëdha intelektuale, ose organizative që nevojiten të bëhen para se qeveria të ndryshojë politikat tatimore në mënyrë që të përmirësojë qeverisjen; pra, të shfuqizojë disa tatime, t’i zevendësojë ato me alternativa më efektive dhe moderne, që mund të vendosen në mënyrë më pak arbitrare, të përdorë teknika të njohura që e bëjnë përvojën tatimpaguese më pak të detyruar me forcë dhe të gjejnë burime kombëtare të ardhurash për të zevendësuar teknikat e masave shtrënguese në një afat të gjatë.

Jemi para ndryshimeve të paketës fiskale. Pak a shumë janë 150 mijë biznese të vegjël që afërsisht përfaqësojnë 400 – 600 mijë vota. Përvpja e këtyre viteve dëshmon se në prag të zgjedhjeve bëhen ndryshime në paketën fiskale që favorizojnë …

Kasem Seferi eshte ekonomist me eksperienca tatimore.

Share: