Home KRYESORE Të ndërtojmë parkingun e stadiumit dhe të hedhim njerëzit në rrugë!? Shkodranët...

Të ndërtojmë parkingun e stadiumit dhe të hedhim njerëzit në rrugë!? Shkodranët shpjegojnë më mirë në dëshmitë e tyre!

Nga Nikollaq Neranxi

Banorët e Shkodrës, të cilëve ju cënohen banesat dhe bizneset nga ndërtimi i parkingut të stadiumit, shpjegojnë se si është e vërteta. Duke i dëgjuar ata, vemendja spostohet nga debati gjithë tifozllëk dhe pa produkt, se kush foli me më shumë etikë, Edi Rama apo Voltana Ademi, për të kuptuar më mirë thelbin e konfliktit.

Pra, shteti të thotë: “Do vij të të prish shtëpinë ose biznesin, të cilin e ke me leje, por me paratë që do të jap si kompensim, nuk do blesh dot ato që kishe, madje nuk do blesh dot as barakë, jeto ku të duash dhe puno ku të duash! Po s’të pëlqeu kompensimi më hidh në gjyq, ndërkohë që prishja do vazhdojë!”

Ndërsa për ndërtimet pa leje, zotërinjtë pohojnë se kanë bërë edhe ndërtime të tilla, duke mos i grabitur tokën dikujt dhe unë e besoj, duke njohur stilin e jetesës së shkodranëve dhe edukatën e tyre qytetare. Ata kanë ndërtuar pa leje, sepse shteti ka ngritur një institucion që ju a legalizon më pas, që është ALUIZNI, prandaj edhe në këtë rast individi nuk është në faj.

Si përfundim, Rama si kryeministër, duhet të lërë gjuhën e njeriut të gjithpushtetshëm që vendos për gjithçka, që mendon për estetikën dhe çuditet që njerëzit jetojnë në varfëri ekstreme dhe të ulet me Kryetaren e Bashkisë për t’i gjetur një zgjidhje çdo qytetari i cili preket nga prishja, sepse edhe parkingu i stadiumit duhet të bëhet, por edhe njerëzit duhet të vazhdojnë të punojnë dhe jetojnë, të paktën siç kanë bërë deri tani, se për më mirë s’po shohim gjë.

Dhe kjo vlen për çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm për Shkodrën, sepse po hapen plagë të mëdha sociale të cilat nuk po i kuron askush dhe me shumë gjasë, shumë shpejt situata do degradoje. Personalisht, me Shoqatën që drejtoj, jam i angazhuar në betejat për moscënimin e pronës private dhe të sipërmarrjes së lirë, por sensibilizimi i këtyre problemeve nga ana e shoqërisë, duhet të jetë akoma më i madh!


Share: