Home KRYESORE Vëtevlerësimi i ulët, barrierë për të arritur qëllimet…

Vëtevlerësimi i ulët, barrierë për të arritur qëllimet…

Nga Jonida Salku

Vetëvlerësimi ka të bëjë me ndjenjat që dikush ka në lidhje me veten, në mënyrën sesi e sheh atë, sesi e gjykon dhe si i atribuon vlerat e veta. Të kesh vetëvlerësim të ulët apo të lartë reflektohet në tre aspekte të rëndësishme të jetës: në mënyrën sesi paraqitesh përpara të tjerëve, në mënyrën sesi kalohet nga mendimi në veprim për të realizuar objektivat personalë, në mënyrën sesi reagohet ndaj sukseseve dhe disfatave.

Personat që kanë vetëvlerësim më të lartë se të tjerët, paraqiten në shoqëri më pozitivisht, ndërsa të kundërtën bëjnë ata me vetëvlerësim negativ, duke dhënë një imazh të vetes më pak të favorshëm. Personat me vetëvlerësim të ulët marrin më shumë kohë se të tjerët për të folur për veten e tyre dhe e bëjnë këtë me shumë mundim, duke mos qënë shumë bindës kur flasin për cilësitë që vërtet i kanë.

Pra, vetëvlerësimi i ulët është një disavantazh për prezantimin para të tjerëve, për shembull në një intervistë pune, ose në një shoqëri të re ku ka miq e kolegë të rinj. Këta persona rrezikojnë të ndiqen gjithmonë nga dëshira për të qënë i pranueshëm për të tjerët, dhe nevoja për të arritur të shprehë lirshëm pikëvështrimet e tij.

Duhet nënvijëzuar një dallim: të kesh një vlerësim të mirë për veten nuk do të thotë të vlerësohesh e të kuptohesh patjetër nga të tjerët, por të jesh i vetëdijshëm për vlerat që ke, për të drejtat në lidhje me të tjerët, për realizimin e vetes dhe për të patur një vend në këtë botë.

Nga kjo pikëpamje, sa më shumë ta vlerësosh dhe ta duash veten, aq më mirë di të veprosh, aq më e thjeshtë është të vendosësh të ecesh përpara, aq më shumë besim ke në kapacitetin tënd dhe aq më mirë arrihen qëllimet e vetes.

Share: