Home KRYESORE Andrea Stefani: Qesharaku Basha!

Andrea Stefani: Qesharaku Basha!

Nga Andrea Stefani

Në SHBA, Donald Tramp, po rrokulliset drejt humbjes për shkak se nuk shfaqi gatishmëri për të njohur rezultatin e zgjedhjeve. Tmerruese! – debatoi Hillari Klinton lidhur me deklaratën e tij. Por edhe më e ashpër u shfaq media, shumica e opinionit publik madje, edhe figura dhe mbështetës së Partisë Republikane. Antidemokratike, një deklaratë që minon besimin në sistemin demokratik dhe institucionet e saj – këto janë kritikat më të dëgjuara për blasfeminë e Trampit që po cilësohet edhe si një vetëvrasje politike e tij.

Por ka edhe më keq se Tramp. Në Tiranë, lideri i supozuar i PD, Lulzim Basha sapo ka bërë thirrje se nuk mund të shkojë në zgjedhje me kryeministrin aktual, Edi Rama, ngaqë ky i fundit, sipas supozimeve të Bashës, i vjedh zgjedhjet duke përdorur paratë e drogës.

Eshtë një deklaratë sa e ligë, e papërgjegjshme por edhe qesharake. Lulzim Basha nuk ka asnjë fakt, përveç shpifjeve të tij, që të provojë se Kryeministri Rama ka grabitur zgjedhjet. Për shembull, ai pretendon se zgjedhjet janë vjedhur në Korçë duke patur si pretekst një episod të pagimit të biletave të autobuzit për një grup studentësh të ndodhur në Tiranë por që duhet të votonin në Korçë. Këtë akt, që vetë PD e ka bërë sa e sa herë me mitingashët e saj, Basha sot e fryn si vjedhje të zgjedhjeve nga Rama! Prandaj mbetet qesharak dhe i pabesueshëm në krye të një opozite që ka kauzë vetëm pushtetin, por jo demokracinë. Prandaj vetëm qahet për dështimin e demokracisë ndërsa pretendon se e ka sjellë demokracinë.

Basha është qesharak dhe i papërgjegjshëm edhe sepse ofron një “zgjidhje” që nuk është zgjidhje. Të largojmë Ramën pa zgjedhje dhe të vendosim, po pa zgjedhje, një kryeministër tjetër, kjo qenka zgjidhja?! Po kush siguron që kryeministri tjetër nuk do të ketë prirje për të vjedhur apo manipuluar zgjedhjet? Prandaj zgjidhja e vërtetë është një sistem zgjedhor me institucione që nuk lejojnë grabitjen e zgjedhjeve nga askush. Por Basha dhe PD nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Sepse Basha ka hall vetëm largimin e Ramës dhe jo zgjidhjen sistemike të problemit.

Eshtë sa qesharake aq edhe e turpshme për PD, që ka 26 vjet në krye të politikës shqiptare dhe që e quan veten demokratike pa qenë për asnjë sekondë e tillë, të qurravitet se kryeministri mund të vjedhë zgjedhjet duke demonstruar kështu se, për më shumë se dy dekada e gjysmë (nga të cilat nja 15 vjet në pushtet), nuk është investuar aspak në krijimin e një sistemi zgjedhor të pakorruptueshëm dhe pamanipulueshëm. Dhe kërkon të përfitojë politikisht dhe pafundësisht nga keqbërjet e veta. Siç përfitoi nga kriza e piramidave financiare që vetë i toleroi duke akuzuar se i ngritën socialistët! Siç përfitoi nga trazirat e vitit ’97 duke e akuzuar opozitën e majtë për marrje me dhunë të pushtetit kur ishte Berisha dhe PD që u përpoqën të mbajnë me dhunë një pushtet, të diskredituar fillimisht me operacione ushtarke në Jug dhe më pas edhe me armatosjen e paramilitarëve duke e shtyrë vendin në luftë civile. Siç akuzoi opozitën në 21 janar si fajtore përse i solli protestuesit para zyrave të një qeverie që të vret po protestove. Siç po përpiqet të përfitojë sot nga borxhi publik që vetë e thelloi apo nga kanabisi që vetë e toleroi.

PD ka përfituar sa ka mundur nga mungesa e një sistemi të pamanipulueshëm zgjedhor sa kohë ka qenë në pushtet dhe kërkon të përfitojë, edhe në opozitë, duke u qarë për mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme duke fajësuar një kryeministër. Pse një njeri i vetëm qenka rreziku për zgjedhjet dhe po ashtu një njeri i vetëm qenka garancia?! Pra, një kryeministër është problem dhe po një kryeministër tjetër qenka zgjidhja?! Basha tregon se ka një mendje të kufizuar dhe pa asnjë kuptim për epërsinë e sistemit demokratik zgjedhor mbi vullnetet e personave të veçantë, sado të fuqishëm të jenë ata.

Akuzat e Bashës janë të liga, hipokrite, sepse PD, historikisht, është investuar për të kundërtën e zgjedhjeve të lira e të ndershme duke tentuar madje, të dalë jashtë këtij sistemi. Sepse është investuar për manipulimin e zgjedhjeve deri edhe marrjen e pushtetit me dhunë nëpërmjet puçeve të armatosura. Të gjithë e dinë se PD është pioniere e manipulimit të zgjedhjeve në maj ‘96, të grushtit të armatosur të shtetit në shtator ’98, të grabitjes me proceduralizëm antidemokratik të zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.

Kërkesa e Bashës për largimin e Ramës me “të gjithë mjetet e mundshme demokratike përveç zgjedhjeve”, është një kërkesë antidemokratike sepse tenton ndërrimin e pushtetit jo nëpërmjet zgjedhjeve, por me dhunë. S’ka mjete demokratike për ndërrimin e pushtetit në demokraci përveç zgjedhjeve. Edhe protestat shërbejnë në demokraci për sensibilizim por jo për të nxjerrë jashtë loje zgjedhjet. Edhe në këtë rast PD, i përmbahet besnikërisht taktikës së shpallur nga Sali Berisha, qysh në momentin e rënies “nga fiku” në 2013, të marrjes së pushtetit me “revolucion demokratik”.

Atë që historikisht nuk e ka arritur kurrë me forcat e saj ose me zgjedhje të ndershme, PD kërkon ta arrijë duke sajuar një realitet që nuk ekziston. Eshtë e vërtetë se në Shqipëri ka dukuri të shitblerjes së votës apo prirje të tjera manipuluese, por duke qenë prezente në të gjithë krahët e spektrit politik, kanë balancuar njëra-tjetrën duke bërë që rezultati të përqaset me realitetin. Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, ndonëse kanë evidentuar të meta në çdo fushatë zgjedhore, nuk kanë folur për manipulime të një shkalle që të kenë çuar në përmbysjen e rezultatit.

Strategjia e Bashës për zgjedhje pa Ramën është e destinuar të dështojë, sepse nuk ka asnjë mjet përveç zgjedhjeve për të larguar një kryeministër që mbështetet nga shumica. Thirrjet e Bashës për largimin e Ramës pa zgjedhje tregojnë, as më shumë dhe as më pak, se sa shumë i ndërgjegjshëm është ai për pamundësinë e fitores së PD në zgjedhjet e 2017. Blerja e zgjedhjeve nga Rama me paratë e drogës është një mashtrim, i ngritur mbi sajimet e vetë Bashës dhe SHQUP-it, për gjoja lidhjen e qeverisë Rama me mafian e drogës që, në fakt, ajo po e lufton si asnjë qeveri tjetër më parë. Në këtë rast, frika është se mos Basha vetë, tenton të blejë zgjedhjet me paratë e botës së kanabisit që qeveria Berisha e toleroi për 8 vjet rresht madje, duke i dalur në mbrojtje edhe publikisht kanabisit në Lazarat. Po të nisesh nga faktet, PD dhe Basha shfaqen shumë më afër botës së krimit se çdo parti apo lidership tjetër në Shqipëri. Prandaj po i vënë shkopinj “kushtetues” nën rrota reformës në drejtësi. Por është edhe më groteske të dëgjosh Bashën që sokëllin kundër krimit kur mbi vetë atë, rëndojnë krime të përbindshme si 21 janari!

Share: