Home KRYESORE Artur Zheji: “Dëshira për lluks dhe Dasma e Princit”

Artur Zheji: “Dëshira për lluks dhe Dasma e Princit”

Nga Artur Zheji

Në të vërtetë Princi Zogu që u martua me Elian e mirë dhe të bukur, është në tëdrejtën e vet të krijojë Oborr dhe të presë e të përcjellë princat dhe princeshat që i bëjnëqokë. Dasma e tyre, është një ritual krejt i natyrshëm dhe simbas ceremonialeve tëparacaktuara, në traditat e monarkive europiane.

Në të vërtetë Elian, tanimë Princesha Zogu, e njoh që kur vraponte e vogël në oborrin e Teatrit Popullor, në pauzat e provave, të nënës së saj, Yllka Mujo. Dhe ish vogëlushja, sot aktore dhe princeshë, më kish dërguar ftesë, xhest të cilin e vlerësoj shumë.

Por personalisht, kisha një pengesë për të mos shkuar, që nuk lidhej dhe nuk lidhet aspak me Çiftin e bukur dhe të sapo martuar, por me mosdëshirën për të parë oborrtarët e vjetër dhe të rinj, që do të vërdalloseshin atë natë aty me atë sebeb.

Dhe nga pamjet që u futën në qarkullim më pas, dëshira e shfrenuar për të shkëlqyer në sipërfaqe, kish shpërthyer sipas parashikimit, sa te gratë po aq edhe te burrat, që kishin bërë çmos të ishin aty, për tu sjellë vërdallë, në Oborrin më të ri shqiptar të restauruar mbas pothuajse 100 vitesh.

U vunë në rresht bukuritë e shtirura dhe të ndrequra me bisturi klinikave më të shtrenjta të botës, me buzëqeshje të stisura dhe me pasthirma  të përkëdhelura, plot e përplot me pordhë bajate, të shitura për humor mondan. Dhe pamë, paradën e bezdisshme të fustaneve dhe kostumeve, të varësve dhe të perlave dhe diamantet që shkëlqenin gishtave, më së shumti masturbues, në mes të të ftuarve që do të vraponin të zinin rradhën e parë, sa më afër dhe sa më pranë kamerave.

Në rini të hershme, më ka lënë mbresë romani “Panairi i Kotësive” dhe panairin e kotësive shqiptare në veçanti e kam veçanërisht bezdi, sepse përtej make up-it të rëndë dhe teshave të stolisura, njoh më mirë, manekinët dhe manekinet, që i veshin ato.

Por ajo që tërheq vëmendjen, është se ka ca kohë, në përqeshje të Vetingut që po vjen, shqiptarët e pasuruar, përmes pushtetit apo biznesit në kurriz të taksave dhe koncesioneve shtetërore gjithashtu, nuk u mjafton më jeta e çakërdisur e shpenzimeve jashtë Shqipërisë, por duan edhe të shihen nga njeri tjetri, në katundin tonë.

Ky po, që është një zhvillim i rëndësishëm, sepse ajo që pritet të jetë nesër “Byroja Speciale e Hetimit Shqiptar”, do ti mjaftonte një ftesë në një nga këto dasma, për të mbajtur shënim fustane 10.000 eurshe, gjerdanë perlash 15.000 eurshe e lartë, orëra dore 30.000 apo 50.000 eurshe, e kështu me rradhë, të cilat janë në përdorim të mjaft personave, që do ta kishin të pamundur të vërtetonin burimin e tyre të ligjshëm të parave të shpenzuara.

Në këto dasmat e fundit vip, ku vera e shtrenjtë 300 euro shishja dhe e shampanjës “Cristal” që shkojnë edhe 500 euro shishja, për të mos thënë shpenzimet e tjera, vihet pra re, një dëshirë për shfrenim, që klasa jonë e re e të pasurve, pamvarsisht burimit të pasurisë, kërkon ta gëzojë publikisht mirëqënien e vet, në të shumtën e rasteve të paligjshme.

Kjo rëfen, se ka në fuqi de fakto, një Ligj të Ri në Shqipëri, që thotë pak a shumë kështu: “Të dhjefsha Ligjet dhe çfarë shkruhet aty, për atë që vjedh, që shpërdoron dhe që grabit nga tavolinat dhe nga xhepat e shqiptarëve varfanjakë!” Dhe kjo tanimë bërtitet me zë të lartë në këto bankete, festa, datëlindje, fejesa apo martesa. Duke krijuar dhe duke sjellë në fuqi një doktrinë të qartë dhe arrogante, të deklarimit të hapur që peshku më i madh ha më të voglin,  që klasa e të pasurve është krijuar dhe nuk ka frikë as nga ligji, as nga evazioni fiskal dhe as nga ky shtet shqiptar prej kartoni.

Një shtet, që në të vërtetë, është thjesht yzmeqar apo bashkëpuntor i tyre, i përbërë nga shtetarë që janë vetë në garë, për të qenë pjesë e kësaj klase të re, pjesë e Panairit të Kotësive Shqiptare, që popullohet në të vërtetë nga peshkaqenë grabitqarë, në më të shumtën e vet.

Në një vend të varfër si Shqipëria, kjo shënon një polarizim  të skajshëm, ndërmjet atyre që jetojnë me 3 dollarë në ditë dhe atyre për një shishe verë harxhojnë 300 dollarë, dhe për një zuskë që parazgjedhin të kalojnë një natë, mund të shpenzojnë 2 apo 3 mijë euro si fillim. Dhe polarizimi, pra polet super të pasura në një anë dhe polet super të varfëra nga ana tjetër, janë dukuri tipike e shoqërive të pazhvilluara në tërësinë e tyre, dominuar nga një klasë politike e korruptuar. Krenare në aftësinë që ka për tja hedhur ligjit të shkruar por jo të zbatuar, popullit budalla dhe pa më të voglën ndjenjë kombëtare e aq më tepër misionare.

Prandaj edhe në Shqipëri, duhet të lindë një e Majtë e Re më radikale dhe një e Djathtë e Re, më afër tipit të partive popullore europiane, me mision jo ideologjik dhe retorik, që kërkon në mënyrë hipokrite, shbërjen e të pasurve dhe pasurimin e të varfërve, por që vendos ekulibra më njerëzore, ndërmjet pasurisë dhe varfërisë në Shqipëri.

Dhe deri në një zbulim të dytë, Shteti mbetet instrumenti rregullator që njerëzimi ka shpikur dhe Ligji është pushka dhe kazma rregullatore e ekuilibrave socialë. Përndryshe, asgjë nuk e ndalon lulëzimin e krimit të rrugës apo të krimit të organizuar, që është, përveç të tjerave, një protestë dhe një mospajtim për Antiligjin që shkel përditë Ligjin, në sferat e larta të shoqërisë sonë.

Share: