Home KRYESORE Çështja Çame, Nikos Kotzias në prag të dorëheqjes!?

Çështja Çame, Nikos Kotzias në prag të dorëheqjes!?

Nga Arben Llalla

Deklarata e Komisionerit Johannes Hahn rreth problemeve të pazgjidhura që ekzistojnë mes Greqisë e Shqipërisë si kufiri detar dhe Çështja Çame është kthyer në ankth serioz për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe ministrit të saj Nikos Kotzias.

Ka disa ditë që Kotzias me kabinetin e tij nuk po gjejnë qetësi dhe fjalët e duhura për të justifikuar diskutimet prej kaq kohësh që janë çelur me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatin rreth kufirit detar dhe Çështjes Çame, e cila për herë të parë ka hyrë zyrtarisht në agjendën e qeverisë së Shqipërisë, Greqisë dhe Bashkimit Europian.

Brenda një jave Ministria e Jashtme greke dhe ministri i saj Nikos Kotzias kanë dhënë katër deklarata të ndryshme rreth raportit të Komisionerit Hahn për problemet e pazgjidhura që ekzistojnë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Pa dyshim që patatja e nxehtë është Çështja Çame.

Me deklaratat e një pas njëshme Nikos Kotzias është munduar të mohojë bisedimet prej disa muajsh rreth kufirit detar dhe Çështjes Çame Ai, tashmë gjendet në presion të fortë nga opinioni në Greqi, pasi u zbulua qëndrimi zyrtar i BE-së, i cili i mëshon faktit që dy vendet duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhen e problemeve që ekzistojnë mes tyre.

Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke dhe Kotzias, dhënë më 5 Tetor, ishte marria e fundit, në të cilën del qartë dhe zbuluar se deklarata e Johanes Hahn për Çështjen Çame është shumë serioze.

I gjendur në një pozicion të vështirë Nikos Kotzias po mundohet të mohojë bisedimet rreth Çështjes Çame si problem i vërtetë midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Brenda kabinetit qeveritar të kryeministrit Aleksis Tsipras ka zëra që i kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të jashtëm Nikos Kotzias. Kjo kërkesë ka ardhur nga partia aleate “Grekët e Pavarur”, ANEL që drejtohet nga Panos Kamenos, i cili i përket ekstremit të djathtë. Kryetari i ANEL, Kamenos që mban postin e ministrit të Mbrojtjes i ka kërkuar kryeministrit Aleksis Tsipras të largojë nga detyra Nikos Kotzias ose ta detyrojë këtë të fundit të japë dorëheqjen pas disa dështimeve të mëdha që provokon hapja e Çështjes Çame.

Share: