Home KRYESORE Ekspertët: Ka shkelje të rënda të lejeve mjedisore ne HEC-et e Valbonës

Ekspertët: Ka shkelje të rënda të lejeve mjedisore ne HEC-et e Valbonës

Një grup ekspertësh mjedisi prej 9 personash me tituj shkencore kanë bërë ekspertizë të pavarur nëse leja mjedisore e dhënë në vitin 2013 për ndërtimin e dy HEC-ve në Dragobi, është bazuar në argumente shkencore. Kjo ekspertizë e kohëve të fundit e dhënë nga Dr. Abdulla Diku, Prof. Dr. Anila Paparisto, Prof. Dr. Aleko Miho Dr. Ermelinda Mahmutaj, Prof. Dr. Ferdinand Bego, Prof. Dr. Lulëzim Shuka, Msc. Olsi Nika, Prof. Dr. Petrit Hoda dheProf. Dr. Spase Shumka arrin në përfundimin se leja mjedisore për dy HEC-et e kontratës së parë në Dragobi përmban shumë mangësi dhe përfundime me të meta të rënda ne studimin mjedisor.

Mbështetur në rishikimet e ekspertëve të fushave, duke përfshirë ekologjinë, florën dhe bimësinë, faunën, pejsazhin, aspektet sociale dhe etike, studimi gjeti se ndikimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e Dragobisë mbi florën dhe faunën tokësore e ujore është i fuqishëm.

Ndërkohë vihet re se ka pasur të meta të rënda në metodologjinë dhe strukturën e Vendimit Ndikimit në Mjedis (VNM), si mosvlerësim i përgjithshëm i ndikimeve, analizë sipërfaqësore e masave zbutëse (e ndikuar kjo nga mungesa e të dhënave), analizë sipërfaqësore (madje mungesë) e ndikimeve të devijimeve dhe zvogëlimit te rrjedhës së ujit mbi larminë biologjike të ujërave të ëmbla dhe habitateve për rreth.

9 ekspertët e pavarur kanë gjetur në vlerësimin e ndikimit në Mjedis mungesën e përafrimit të integruar të ekosistemeve, mungesën e analizës ndërdisiplinorë, mungesën e plotë të komponentëve ekologjikë, floristikë dhe faunistikë, dominimin e përqasjes inxhinerike dhe hidrologjike, varfërinë e elementeve metodologjike të përqasjes, mungesën e alternativave të tjera ndaj ndërtimit të HEC-eve dhe përqasjen e varfër të vlerësimit të ndikimeve dhe masave zbutëse.

Bazuar në këto gjetje eskpertët e pavarur të mjedisit mendojnë se vlerësimi i paraqitur në raport nuk jep asnjë mundësi reale të të kuptuarit të përgjithshëm të ndikimeve mjedisore dhe socio-ekonomike që mund të shkaktojë ndërhyrja në kaskadën e Dragobisë.

Ata shprehen se, ky është një shembull tipik ku “skema” paraqet një gjobë për larminë biologjike, natyrën dhe shoqërinë dhe relativisht shembull i zakonshëm i “zhvillimit hidroenergjetik të babëzitur”, kur inxhinierët përpiqen të shfrytëzojnë përqindje të lartë të potencialit të hidrocentraleve (le të themi > 90%) dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë dhe të lënë pas dore të gjitha vlerat e tjera të ekosistemit natyror të lumenjve tanë.

“Ne mendojmë se ka mundësi ndryshe, më pak shkatërruese, por vetëm nëse vlerësimet e shërbimeve të ekosistemeve (krahas shfrytëzimit të potencialit hidroenergjetik) realizohen në mënyre shkencore duke lënë hapësirë për mbajtjen e shërbimeve të rëndësishme ekologjike për gjallesat dhe shoqërinë” shprehen ekspertet e pavarur.

Vendimi i Ndikimit në Mjedis për dy HEC-et e Dragobisë është hartuar në Qershor 2013, dhe Leja Mjedisore nga AKM është lëshuar në 23 Korrik 2013, me vlefshmëri vetëm 2 vjet. Në leje theksohet se ajo mund të përsëritet ose dhe anullohet kur shfaqen elementë ekologjikë të panjohura më parë, si në këtë rast. “Është për këtë që ne shpresojmë se të gjitha këto janë arsye që Qeveria të rinisë çështjen e ndërtimit të këtyre HECeve” shprehet grupi i eskpertëve.

Raporti i ekspertëve thotë se devijimet e ujit përmes tuneleve dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme. Në dokument mungojnë analizat e logjikshme.

Rrjedha e ujit është përcaktuesi kryesor i mjedisit fizik në lumenj dhe përrenj, e cila nga ana e saj është një përcaktues kryesor i përbërjes biotike.

Njohuritë e ekspertizës së VNM-së lidhur me mbrojtjen e natyrës, me ekoturizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm janë shumë të cunguara./Droni.al

Share: