Home KRYESORE Ferri i trafikut ka nisur, por nuk keni parë asgjë akoma..!

Ferri i trafikut ka nisur, por nuk keni parë asgjë akoma..!

 Nga  Dylejman  Karaj

Shpëtoni “ Skënderbeun” dhe “Shën Elizenë” e Tiranës..!

“…Askush për fate të keq nuk bën zë. Të gjithë janë të zënë. Politika me reformën në drejtësi dhe të mbjellat me hashash. Shoqëria Civile me rendjen pas ndonjë projekti për të marrë këstin e radhës që të ushqehet.

Ndërsa, shumica e popullit flet me vete dhe me celular nga skamja dhe varfëria e skajshme…”

                                                  *   *   *

 E vetmja hapësirë urbane e mbetur në Tiranë , ku njerëzit dhe mjetet ndihen të lira në levizjet e tyre , është bulevardi kryesor,  i cili ngjan me “Shën Elize” në Paris,  si dhe sheshi “Skënderbej”.

E vërteta është se në sheshin “Skënderbej” nuk ka mbetur edhe shumë për të bërë. Ndaj është e panevojshme  përmbysja totale e situatës , duke  mbyllur dhe duke zhdukur rrugët që hyjnë dhe dalin sot në këtë shesh  historik. Nuk duhen  harxhuar miliona euro të tjera ,nga buxheti i varfër i shtetit tonë të  lodhur  dhe të rrënuar nga reformat e rilindjes.

Në këtë shesh sot, mund të ndërtohen :  1) – një shatërvan aty ku ka qenë, natyrisht më të bukur dhe më modern;  2)- një qendër multifunksionale shumëkatëshe  biznesi e shërbimi tek ish-vetëshërbimi dhe Dhoma Kombëtare e Tregëtisë, duke e mbyllur pamjen e shëmtuar të zonës perëndimore që ka sheshi sot. Sigurisht që ky objekt, ky investim ndërtohet me lekët e biznesmenëve  të interesuar;  3)- kthimi i lulishtes pas monumentit  të Skënderbeut në identitet, ashtu sic ka qenë në kohën e mbretit  Zogu i Parë, apo si në kohët më të vonshme;

Cdo aksion tjetër  për të mbullur rrugët, hapësirat ,lëvizjen dhe zhdukur identitetin dhe historinë  bulevardit dhe sheshit “Skënderbej” është vepër e zezë antikombëtare , që ngjan shumë me veprimet e k’merëve të kuq, në Kambioxhian e disa viteve më parë.

Përrallat me gurë dhe pllaka, pemë e lule që do të vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe do të vendosen në këtë shesh historik, nuk është gjë tjetër vecse propagandë tipike enveriste për të manipoluar opinionin publik tejet të lodhur dhe krejt të painteresuar se c’ndodh me zhvillimin e qytetit.

Nuk është askush kundër ndërtimit të unazës së vogël e cila për një pjesë të mirë të kryeqytetit lehtëson dukshëm , lëvizjen dhe trafikun e rënduar në kryeqytetin tonë të rrëmujshëm.  Dhe për këtë, i themi bravo kryetarit të Bashkisë.

Por mbyllja e lëvizjes në aksin e bulevardit, jo vetëm që shëmton atë pamje madhështore që ka kjo vepër urbanistike me vlera të mëdha historike, por dhe e bën trafikun në qendër, një makth të përditshëm për qytetarët e Tiranës.

Thënia cinike e kryeministrit të sektit të Rilindjes,paradokohësh  se shoferët e kanë të nevojshme qëndrrimin  për  minuta të tëra në semafor, tregon më së mirë se cfarë ditësh të zeza e presin trafikun në Tiranë, pas përdhosjeve që pritet të ndodhin  mbi bulevard dhe në sheshin e Skënderbeut.!?

Edhe nëse, në sheshin Skënderbej, mbillen lule dhe pemë të reja, shtrohen pallaka dhe vendosën gurë dekorativ, ndërtohen shatërvane etj……. kjo nuk do të thotë që të mbyllen përgjithëmonë, dy arteriet e bulevardit që kalojnë sot para godinave të Bashkisë  dhe  të Ministrive, si dhe në krah të hotel Tiranës e Muzeut Historik Kombëtar… apo mbyllja e arterieve që vijnë sot nga rruga e Kavajës ,rruga e Durrësit, rruga e Dibrës, apo ajo që kalon në krah të Pallatit të Kulturës,në anën jugore të tij .

Tirana sot dhe në të ardhmen , ka nevojë për më shumë rrugë dhe parqe. Ndërsa  mbyllja dhe zhdukja e trashëgimisë së historisë urbane  të qytetit është një vepër kriminale.

Sheshi “Skënderbej”, për vetë mënyrën se si është krijuar, lidhur ngushtësisht  me aksin e mrekullushëm të bulevardit nga Univesiteti deri tek stacioni i trenit dhe më tej…., kurrësesi nuk mund të jetë zonë pedonale për të gjitha orët e ditës apo ditët e javës e të vitit.

Ky shesh mund të jetë pedonal në fundjavë, në raste festash apo eventesh të tjera, të cilat paralajmërohen dhe kështu gjindet edhe mirëkuptimi i qytetarëve për lëvizjen me makina.

Por ka një të vërtetë tjetër të pa thënë , se përse “rilindasit e zinj “dhe bashkësia e 99-ve, nxitojnë për ta përfunduar sa me parë përdhosjen e këtij sheshi dhe mbylljen e bulevardit më të bukur të Tiranës…?!

E para , për qeverinë e tanishmë të Tiranës, alias Rilindje, historia e Shqipërisë  fillon me ardhjen e tyre në pushtet . Këtu fillon viti zero. Cdo gjë tjetër përpara kësaj periudhe kohore, duhet  të mos ekzistojë më.

Kështu vepërat monumentale urbane të ndërtuara në kohën e mbretit Zog , duhet të fshihen nga historia. Historia fillon me veprat e Edi Ramës.

E nisën me stadiumin  kombëtar “Qemal Stafa “ i cili do të ketë pamjen më të shëmtuar të mundshme, me një kullë  në bishtin e  tij.

Tribuna qëndërore e cila reflektonte histori të vyer urbane u shemb për tokë këto ditë. Ajo nuk është më,historia u varros nën gërmadha..

Askush për fate të keq nuk bën zë. Të gjithë janë të zënë. Politika me reformën në drejtësi dhe të mbjellat me hashash..! Shoqëria Civile me rendjen pas ndonjë projekti për të marrë këstin e radhës që të ushqehet. Ndërsa shumica e popullit flet me vete dhe me celular nga skamja dhe varfëria e skajshme.

Arsyea e dytë se përse ngutet , Lejfeni i Edi Ramës në krye të Bashkisë, për ta bërë sheshin sipas mënyrës së tij, është se kullat e ndërtuara dhe që do të ndërtohen rreth e qark këtij sheshi , kërkojnë që e gjithë kjo hapësirë publike si dhe garazhet nëntokësore , të jetë në shërbim të padronëve të këtyre kullave, ku në shumë  prej tyre kanë aksione qeveritarët e sotëm të Rilindjes.

Është në detyrën e Opozitës politike të drejtuar nga PD, të shoqërisë civile, të intelektualeve më në zë, të qytetarisë së Tiranës që të ngrihen fuqishëm për të mbrojtur historinë urbane të qytetit, për të mbrojtur bulevardin e bukur të shqiptarëve nga sakatimi dhe shkurtimi , alla rilindje..!

Koha nuk pret. Duhet shpëtuar nga përdhunimi “Skenderbeu” dhe “Shën Elizeja e Tiranës”. Është e pa arsyeshme që taksapaguesit e këtij vendi të varfër, të paguajnë përsëri  miliona e miliona euro për intersat meskine të pushtetarëve  të sotëm, të cilët për fat të mirë edhe për pak kohë do të jenë në krye të punëve të pushtetit…

Sa nuk është vonë, duhet vepruar .

 O sot, o kurrë të shpëtojmë qytetin, historinë, kulturën dhe identitetin e tij  kombëtar të latuar ndër breza.!

Share: