Home KRYESORE Ja skema si i merrte paratë e “gjobave” Emiliano Shullazi

Ja skema si i merrte paratë e “gjobave” Emiliano Shullazi

Të paktën një biznesmen, Ylvi Beqja, i cili tashmë ka kaluar në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i ka detyruar “gjobëvënësit” e tij të lënë gjurmë. Paratë, që atij i janë kërkuar nën kërcënim, ai nuk i ka dhënë cash por nëpërmjet çeqeve bankare për llogari të disa personave, që mendohet se ishin të besuarit e Emiliano Shullazit.
AbcNews, raportoi sot se vetë Shullazi i ka dhënë biznesmenit Beqja, disa emra për llogari të të cilëve ai duhej të lëshonte çeqet me pagesat e “gjobës”.
Në mesin e personave, në emër të cilëve janë firmosur çeqet për tërheqjen e parave, prokuroria thotë se figurojnë edhe dy të arrestuarit e mesditës së djeshme, Endrit Qyqja dhe Endri Zela. Burimet thanë se në dhjetor të vitit 2014, të dy të arrestuarit, Qyqja dhe Zela, kanë tërhequr para nga bankat e nivelit të dytë me çeqet që ka lëshuar biznesmeni BEqja.
Në vendimin e gjykatës, që ka caktuar masën e sigurisë “arres me burg” për dy të arrestuarit, ndër të tjera thuhet se Emiljano Shullazi ka përdorur në dy raste emrin e nipit të tij, Endri Zela në tërheqjen e parave.
Të dy këto raste, thonë burimet, janë dokumentuar. Zela ka thyer dy çeqe në një bankë të nivelit të dytë, brenda dy ditëve, duke tërhequr në total 50 mijë euro.
Vetëm një ditë pasi nipi i Shullazit kishte marrë 50 mijë euro, në bankën e nivelit të dytë është paraqitur edhe Endri Qyqja. Ai ka thyer një çek me vlerë 16 mijë euro, duke i tërhequr nga llogaria bankare e kompanisë arabe, që biznesmeni Ylvi Beqja e përfaqësonte.
Në të tre këto raste, thonë burimet nga akuza, paratë janë marrë me anë të kërcënimit dhe dhunës fizike ndaj biznesmenit Beqja, i cili tashmë është marrë në mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë.
Nga ana tjetër, AbcNews raportoi se Emiliano Shullazi ka përdorur edhe persona të tjerë, në emër të të cilëve janë firmosur çeqe nga biznesmeni Beqja, si pasojë e dhunës dhe kërcënimit. Por, për shkak të sekretiti hetimor, burimet nuk konfimrojnë emrat e personave që po hetohen si përfitues të paligjshëm të shumave që Ylvi Beqja është detyruar të paguajë në formën e gjobës dhe që ndodhen ende në proces verifikimi.
Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që edhe biznesmenë të tjerë të kenë depunuar në prokurori fakte që vërtetojnë pagesa të detyrueshme pas kërcënimeve me jetë.
Ndërkohë, për rastin Beqja, burimet thonë se, pas arrestimit, asnjëri nga dy të dyshuarit Endrit Qyqja dhe Endri Zela nuk kanë pranuar të japin shpjegime për akuzat./lapsi.al
Share: