Home KRYESORE “MYKJA” E PARASË…

“MYKJA” E PARASË…

Nga Haberet e Mitro Cela

Në vitin 1933 Nonda Bulka shkruante: “Diktator më të madh se paraja nuk ka në botë…” Ndërsa babai i ekonomisë moderne John Maynard Keynes ka thënë: “Lenini udhëzonte bollsheviket: Për të shëmbur sistemin kapitalis, aksioni i proletariatit duhet të fillojë me sabotimin e parasë…Lenini kishte plotësisht të drejtë. Nuk mund të gjesh virus më vdekjeprurës në një shoqëri, se sa “mykja” e parave nga inflacioni dhe kursi i këmbimit.”

Duke ndjerë kënaqësi për përqasjen e ideve mes shkrimtarit permetar dhe ekonomistit anglez, nisa të bëj një investigim për lekun! Leku ka fituar imunitet nga “mykja” që mund të vinte nga inflacioni dhe kursi i këmbimit. Në 5 vitet e fundit inflacioni ka “notuar” në ujra të qeta: Nga një deri dy përqind. Edhe kursi i këmbimit nuk ka hapur ndonjë “plagë” të thellë as për ekonominë e as për xhepat e miletit. “Mykja” e lekut, po të flasim me zhargonin e John Maynard Keynes, ka ardhur nga paratë skarco.

Shkova në një supermarket mes shkollës “Petro Nini” dhe digës së Liqenit Artificial. Nxorra një kartmonedhë. Arkëtarija e fërkoi me gishta. Nxorri një kalem kopjativ… Ndjeva bezdi… Pse…? Pa mbaruar pyetjen më thotë arkëtarja: ”Kur digje nga qulli, i fryn edhe kosit…Dy ditë më parë erdhi një grua e moshuar. Donte të paguante me euro. Më dha një kartëmonedhë 50 euro. Ishte fallco…Nuk ka mundësi, ngulte këmbë zonja. Mi ka dërguar djali nga Greqia…Jo me bankë. Mi solli një emigrant…”

Pasi përfunduam së ngrëni në “Birrai Korça” afër zyrave Autoritetit të Konkurencës në Tiranë, thirrëm kamarierin. Na kthen si resto dy monedha metalike nga 20 lekë. Mbesa ime vuri çantën mbi tavolinë, duke na thënë se çanta ka një pllakë të hollë magneti. Në se monedhat i thith magneti, tregon se janë skarco. Monedhat që morëm si resto qëndruan mbi çantë. Vazhduam eksperimentin duke “kruajtur” xhepat. Disa monedha orgjinale nuk qëndronin. Por u bënë 5-6 monedha fallco.

Pse “lulëzon” tregu i parasë fallco? Ka shumë arsye. Të njohura e të pa njohura. Një nga “sebepet” mund të jetë tregu informal. Një fenomen i njohur. Një treg i zi që mbijeton për vite me radhë me ekonominë e tregut. Më i njohuri: “kesh-i” ose paratë që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Zyrtarish ministria e Finacave thotë se ky raport është 30-35 përqind. Në vendet e Evropës Qëndrore është 10 përqind. Në vendet e zhvilluara rreth 7 përqind. Vendi ynë, për sasinë e parave jashtë kanaleve bankare, krahasohet me disa vende të ish Bashkimit Sovjetik që përfundojnë me “stan”: Uzbeki-stan, Kazaki-stan…?!

Për të luftuar “kesh-in” flasin të gjithë. Organizohen seminare. Jepen mendime. Diskutohen ide. Janë hedhur edhe hapa përpara: Në institucione, rrogat e punonjësve i shpërndajnë me karta në sportelet e bankave. Po kështu edhe në shumë bisnese VIP. Në tatime dhe doganë, nuk pranohet më para “kesh”. Pagesat bëhen në bankë. Por ndërkohë, rreth 650 mijë pensionistë qëndrojnë para sporteleve me hekura për të marrë paratë. Ende shumë shërbime bëhen me para në dorë.

Po valuta e emigrantëve si mbërrijnë në Shqipëri? 40-45 për qind vijnë “kesh”?! Ka një shkak: Komisionet e larta që zbatojnë bankat. Një xhungël e vërtetë burokratike me procedura kur emigrantët dërgojnë më shumë se 5 mijë dollarë!…Disa muaj më parë më duhej të dërgoja në ambasadën e Shqipërisë në Romë 100 euro. Në bankë më kërkuan komision 40 euro. Duke buzëqeshur, arkëtarja më thotë se duhet të paguaj edhe 15 euro, si komision për degën e bankës në Romë…Ndryshe do ta mbajnë nga eurot që do të nisësh?!…Kërkova një mikun në Romë për të më bërë shërbim “fri”. Këtë përvojë e “imitojnë” mijra emigrantë…

Të përjashtuar nga sistemi bankar, emigrantët i dërgojnë paratë me “mjete rrethanore”. Ka ndërmjetës të ndershëm. Por ka edhe shumë xhambazë, të cilët me këtë rast fusin edhe kartmonedha fallco.

Në vend të mbylljes. Një fshatar me viçin nga pas shkon në këmbën e urës së Rrogozhinës. Pazar i mbarë. Viçin e shiti. U mbush kuleta. Pas shitjes, fshatari shkon në dyqan për të blerë. Nga dyqani del duar bosh: paratë ishin fallco!…Ironi e tregut?! Fshatar me para fallco në duar dhe politikanë që ëndërrojmë të kemi Brukselin për kryeqytet të dytë?!…

Share: