Home KRYESORE Plehrat përçajnë Idrizin e Ramën, PDIU pro referendumit

Plehrat përçajnë Idrizin e Ramën, PDIU pro referendumit

Ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri përçan koalicionin PS- PDIU. Pesë deputetët e partisë çame u larguan nga salla e Parlamentit në momentin e votimit të ligjit, ndërsa do të votojnë pro kërkesës së Partisë Demokratike për mbajtjen e një referendumi për pranimin apo mospranimin e importit të mbetjeve nga jashtë. Të kontaktuar nga gazeta SOT, deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet theksuan se do të votojnë pro referendumit për kundërshtimin e ligjit të mbetjeve, ligj i cili kaloi në Parlament me numër minimal votash nga PS dhe LSI, në seancën e datës 22 shtator.

Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, tha se është pro referendumit, pasi nuk është ende e qartë se çfarë mbetjesh do të importohen nga jashtë për riciklim në vend. “Unë jam shprehur edhe më parë, pse të mos jenë qytetarët ata që do të vendosin nëse duhet të aplikohet ai ligj apo nuk duhet. Kur ligji u votua në Parlament, unë nuk votova, vota ime është kundër dhe nuk mund të bëhet pro. Unë ende nuk e di se çfarë mbetjesh do të sillen në vend. Ndaj do mbështes Partinë Demokratike në kërkesën për referendum që ka depozituar në Parlament. Ky ligj prek njerëzit dhe ata duhet të vendosin për të. Ai ligj një herë u propozua nga PD, tani po kundërshtohet dhe sillet nga PS. Ne nuk mund të bëhemi pjesë tek kjo zallamahi që po bëjnë këto dy palë”, theksoi deputeti Rakipi.

Deputeti Tahir Muhedini i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitetet, thekson faktin e mungesës së transparencës me ligjin që i hap rrugë importit të mbetjeve në vend. “Jam për referendum. Kur shtrohet një çështje kaq e madhe, siç është rasti i plehrave, më përpara organizohen takime mediatike, informohet opinioni publik dhe jo me shkopin magjik ‘pranoheni se nuk kanë probleme plehrat’”, tha në një prononcim për gazetën, deputeti çam, Tahir Muhedini.

Partia Demokratike të enjten ka depozituar në Parlament një kërkesë për mbajtjen e një referendumi, ku kërkohet që të jenë qytetarët ata që do të vendosin nëse duhet apo nuk duhet të importohen plehra nga jashtë për riciklim në Shqipëri. /Citynews.al

Share: