Home KRYESORE Shtatë nga dhjetra Oliverë Cromwell-ët e Shqipërisë

Shtatë nga dhjetra Oliverë Cromwell-ët e Shqipërisë

Nga Dr. Enriko Ceko

Tashmë kur në Shqipëri “të gjithë janë kundër të gjithëve” dhe kur në çdo fshat të humbur të vendit ka të paktën dyqind apo treqind Oliver Cromwell-ë, mediat e ndryshme hedhin në tregun e ideve politike, ekonomike, sociale, etj, pikëpamje nga më të ndryshmet për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një nga këto raste të këtyre zhvillimeve është edhe publikimi i para do ditëve në mediat e shkruara shqiptare i një materiali të përgatitur nga shtatë figura akademike të një subjekti privat të arsimit të lartë, shtatë individë që synojnë të hedhin piketa të përbashkëta midis dy forcave të mëdha politike në vend. Duke përgëzuar dëshirën e mirë për të bërë diçka ndryshe, ja vlen që të hedhim pakëz dritë në pikëpamjet e deklaruara nga këta persona dhe në këtë material të shkruar.

Në deklaratat e këtyre personave thuhet se bëhet fjalë për një strategji. Strategji do të thotë një plan veprimi i dizenjuar për të arritur një objektiv të përgjithshëm afatgjatë, në nivel të lartë për të arritur një a disa qëllime nën kushtet e paqartësisë. Në këtë kuptim këta shtatë persona del se paskan një plan veprimi, me synime afatgjata, shkruar në kushtet e paqartësisë së vendit dhe të ardhmes së tij. Në fakt e ardhmja është e qartë, ekonomi tregu dhe integrim në Europë, kështu që plani afatgjatë është mirë të zëvendësohet me objektiva strategjikë dhe operacionalë, sepse vizionin dhe misionin e gjejmë në dokumentat strategjike të qeverisë shqiptare.

Nga ky këndvështrim del se këta shtatë persona nuk i kanë lexuar dokumentat strategjike të shtetit shqiptar dhe vizionin e misonin e Qeverisë, që, zakonisht, deklarohet sapo një forcë politike apo koalicion vjen në fuqi, duke marrë formën dhe përmbajtjen me fjalimin e kryeministrit në Parlament kur deklaron atë se ç’ka do bëjë qeveri nën drejtimin e tij në seancën e parë plenare të Parlamentit të ri. Strategjia përfshin veprimtari të tilla si planifikim strategjik dhe mendim strategjik, që mesa duket, nëse ekzistojnë, këta të shtatë i paskan kryer ose fjala strategji del se është pa vend në këtë material të shkruar të deklaruar nga personat që e kanë bërë.

Strategjia është një metodë apo plan, zgjedhur për të sjellë të ardhme të dëshëruar, arritjen e qëllimeve apo për të zgjidhur një a disa probleme. Në këtë këndvështrim, materiali i shkruar mbetet një letër tjetër më shumë midis shumë të tjerave në të cilat është shkruar dhe vazhdon të shkruhet e ardhmja e ekonomisë së vendit dhe integrimi europian, reforma në drejtësi, mbrojtja e shtresave të paprivilegjuara, kohezioni social, etj.

Në deklaratat e këtyre personave përmendet shpesh fjala reformë, që do të thotë mjete për përmirësimin apo eliminimin e asaj që është gabim, që është e korruptuar apo që është e pakënaqshme, etj. Në këtë këndvështrim në tre vitet e fundit teorikisht fjala reformë është përdorur shumë nga ana e qeverisjes aktuale dhe del se këta të shtatë qenkan nihilist ndaj reformave të qeverisë, duke mos marrë parasysh aspak reformat e realizuara deri më tani nga pozita dhe opozita kur ishte në pushtet. Reformizmi është një rrymë që beson në ndryshimet graduale nëpërmjet institucioneve ekzistuese që mund të ndryshojnë sistemin dhe strukturat politike dhe ekonomike, por në fakt në këtë material të shkruar kërkohet ndryshim radikal. Pra, reform apo ndryshim radikal?

Në deklaratat e këtyre personave përmendet shpesh fjala program, që do të thotë plan veprimi për arritjen e një rezultati të specifikuar, plan i gjërave që duhet të bëhen për të arritur rezultate specifike, për arritjen e objektivavet të qarta, me detaje, në atë se cilat janë veprimet që duhet të kryhen, nga kush, ç’farë dhe përse. Dhe, në këtë këndvështrim, program i deklaruar del se është i paplotë dhe i pasaktë sepse në Shqipëri, me letra, në çdo institucion publik dhe në pothuajse shumicën e subjekteve private ka programe zhvillimi me shumicë dhe që janë mjaft cilësore. Duket sheshit se në Shqipëri çështja qendron në zbatimin e programeve dhe jo në shkrimin e tyre.

Në deklaratat e këtyre personave përmendet shumë edhe fjala propozim. Propozim do të thotë një sugjerim i shkruar, i vendosur për t’u marrë në konsideratë përpara dy a më shumë palëve. Propozimi është një skemë e ofruar për t’u pranuar apo refuzuar. Në këtë këndvështrim mjafton që të përmendim se ndërkombëtarët i kanë bërë politikanëve shqiptare me dhjetra propozime për zgjidhjen e problemeve në vend dhe është e dukshme rezultantja e këtyre lloj propozimeve.

Në deklaratat e këtyre personave përmendet shpesh edhe fjala pakt, që është një marrëveshje formale midis dy a më shumë palëve, që janë legjitime të nënshkruajnë për çështjen apo për çështjet që pakti trajton. Pakt do të thotë marrëveshje midis dy vendeve, popujve apo grupeve kryesisht për të ndihmuar sejcilin apo për të pushuar luftën midis tyre, për një avantazh të përbashkët. Në fakt krahët politikë në Shqipëri janë aq larg avantazheve të përbashkëta sa e shikojnë atë që mendon ndryshe si armik dhe kundërshtar që duhet eliminuar. Në Shqipëri ndarja gjeografike, klasore, ekonomike, sociale, kulturore, etj, kanë shkuar në atë gjendje dhe gjendja politike, ekonomike dhe social-kulturore e qytetarëve është aq keq prej luftës politike të dy palëve sa fjala pakt duket mjaft qesharake dhe groteske.

Në deklaratat e këtyre personave përmendet shpesh edhe fjala platformë, që do të thotë një nivel i caktuar mbi të cilin njerëzit mendojnë se si të zhvillojnë më tej vendin, ekonominë, institucionet, etj. Platforma është një politikë e deklaruar e një partie politike apo e një grupi, një grup formal parimesh të mbështetura nga minimalisht një parti politike apo  individ që kandidon për diçka, dhe që kërkon të gjenerojë mbështetje publike për pikëpamjet që mbron.

Sa më lart, shtatë ideatorët e këtij materiali të shkruar as vetë nuk e dinë se ç’farë kanë shkruar, program, platformë, pakt, reformë, strategji, propozim, apo ç’farë tjetër. Pavarësisht nga dëshira e shkruesve të këtij materiali, që nuk e paragjykoj, mendoj se kjo iniciativë, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të zgjatur jetën e dy partive politike tashmë të dala boje, që nuk kanë aspak mundësi të përmirësojnë gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në vend dhe që nuk kanë asnjë shans që të integrojnë vendin drejt strukturave rajonale, europiane dhe më gjerë. Kjo përpjekje bëhet vetëm për legjitimitetin e PD dhe PS, që në fakt e kanë humbur prej kohësh, tërësisht, legjitimitetin e tyre. Kjo është një përpjekje e dështuar për ruajtjen e statusquo-së, që i intereson në fakt vetëm disa personazheve të caktuara, kalimtare dhe pa identitet, që për arritjen e qëllimeve të tyre individuale, përdorin dëshirën e mirë të shqiptarëve për të ecur përpara dhe për t’u integruar, duke vënë në lëvizje persona që kontributin e tyre ka kohë që e kanë ezauruar.

Nisma kërkon ndryshime thelbësore, që në fakt janë bërë që në fillim të viteve “90, por që janë harruar rrugës nga dëshira për arritje personale dhe nga dëshira e papërmbajtur për pushtet e disa individëve që kjo nismë tashmë kërkon t’ju zgjatë jetën politike, ekonomike e sociale në krye të vendit si në pozitë ashtu dhe në opozitë.

Ndryshimi kushtetues që propozon nisma për të krijuar një legjislativ me dy dhoma nuk garanton ekuilibër politik dhe këtë e ka vërtetuar edhe përvoja ndërkombëtare. Sa për financimin publik të jetës politike dhe legalizim të lobimit për një politikë dhe administratë të lartë më transparente, më të aftë dhe më pak të korruptuar, kemi vite që e dëgjojmë nga specialistët vendas dhe të huaj.

Krijimi i një pakete të nevojave bazë, fokusim të energjive te përmirësimi i pagesave dhe cilësia e punësimit, një përmirësim i mëtejshëm i skemës së pensioneve, reformim i sistemit shëndetësor dhe thellim i reformës në arsim, etj, etj, janë kryefjala e Kryeministrit Rama kudo që ai shkon dhe takon qytetarët e këtij vendi dhe si ka mundësi që një pedagog(e) me prirje të majta qenka kundër apo mendon ndryshe nga lideri i majtë në lidhje me këtë çështje dhe hedhka poshtë të tërë ato arritje të famshme me reformën e pensioneve dhe pagesat për papunësinë e shëndetsinë falas, etj? Nga ana tjetër, si ka mundësi që një pedagog i djathtë të hedhë poshtë tërë arritjet e mëdha të qeverisjes së mëparshme, në të cilën ka kontribuuar edhe vetë, qeverisje prej së cilës vendi po zhvillohet përditë e më shumë dhe po arrin të konkurrojë edhe vetë Gjermaninë në aspektin e rritjes ekonomike? Pra, sipas këtyre pedagogëve si Rama ashtu dhe Berisha nuk paskërkan punuar fare. Po përse tani kjo deklaratë? Përse pikërisht tani përpara zgjedhjeve? Përse kërkohet që dy palët politike të hyjnë në një proces negociatash, nën një material të shkruar që as vetë këta që e kanë shkruar nuk ja venë emrin nëse është reformë, strategji, platfoëmë, pakt, etj, që siç e spjeguam edhe më lart qenkërkan fjalë me kuptime të ndryshme.

Më tej këta të shtatë deklarojnë se vendi ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të institucioneve të saj dhe nga ana tjetër zhvillimet e fundit në Shqipëri dëshmuan se klasa politike ka mundësi të bashkëpunojë kur bëhet fjala për reforma madhore. Tipike fjalim kongresesh të 40 – 50 viteve më parë kur udhëheqësi i madh i kombit ngrinte tërë popullin në këmbë.

Britania e Madhe, në Shekullin XVI e pati një Oliver Cromwell, që ndryshoi jetën politike, ekonomike dhe sociale të këtij vendi, me mbështetjen e gjerë të masave, turmave të popullit. Tashmë në shekullin XXI, në Shqipëri ne paskemi me dhjetra të tillë, shtatë prej të cilëve, dhe ata që fshihen as tyre, me një material të shkruar, që as vetë nuk e dinë se ç’farë emri t’i venë, duan të bëjnë histori, në një vend ku populli nuk është më turmë me dele. Në këto raste edhe Oliver Cromwell-ët më të thekur arrijnë që të përfundojnë thjesht dhe vetëm në Haxhi Qamilë.

Share: