Home KRYESORE Skenari i Moskës për të “kapur” Evropën Lindore

Skenari i Moskës për të “kapur” Evropën Lindore

Sipas një raporti të publikuar sot nga një grup kërkimor privat në Shtetet e Bashkuara, Rusia ka nisur një fushatë me masa të fshehta ekonomike dhe politike për të manipuluar pesë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të diskredituar modelin liberal-demokratik të Perëndimit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet ndëratlantike. Në raport thuhet se Moska është përpjekur të bëjë për vete një numër politikanësh që kanë simpati për Rusinë.

Sipas raportit, një ndër qëllimet e Rusisë është që, me anë të këtyre politikanëve, të dominojë tregjet e energjisë dhe sektorë të tjerë ekonomikë si dhe të minojë masat kundër korrupsionit, për të ndikuar mbi qeveritë e vendeve si Bullgaria, Hungaria, Letonia, Serbia dhe Sllovakia.

“Në disa vende, – thuhet në raport, – ndikimi rus është përhapur aq shumë, saqë po sfidon stabilitetin kombëtar dhe orientimin perëndimor të vendit, së bashku me stabilitetin euroatlantik”.

Raporti është fryt i një studimi 16-mujor nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington dhe Qendra për Studimin e Demokracisë në Sofje.

Studimi titullohet: “Skenari i Kremlinit: Si duhet kuptuar ndikimi rus në Evropën Lindore dhe Qendrore”. Botimi i tij përkon me një debat të paprecedent në Shtetet e Bashkuara rreth pikëpyetjeve se, a po përpiqet Rusia të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale me sulme kibernetike dhe me publikimin e emailave të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton. Fushata e zonjës Clinton ka thënë se Kremlini po përpiqet të ndihmojë republikanin Donald Trump për të fituar zgjedhjet.

Të premten, qeveria amerikane për herë të parë akuzoi zyrtarisht Rusinë për hakerim të Partisë Demokrate. Presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë akuzat.

Të dielën, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha televizionit shtetëror rus se Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar armiqësinë ndaj Moskës. Ai u ankua se NATO-ja vazhdon të lëvizë infrastrukturë ushtarake pranë kufijve të Rusisë me vendet e Evropës Lindore.

Zyrtarët amerikanë thanë se pajtohen me konstatimet e raportit mbi përfshirjen e Rusisë në Evropën Lindore.

Një prej tyre tha se aktivitetet e Rusisë përfshijnë rryshfetet, propagandën dhe dezinformimin, për të minuar kundërshtarët dhe për të dobësuar institucionet perëndimore.

Sipas raportit, aktivitetet e Rusisë përfshijnë projektet gjigante, të tilla si kontrata prej 12.2 miliardë eurosh për të ndërtuar dy reaktorë të rinj bërthamorë në Hungari. Kushtet e kontratës janë të errëta, por ato synojnë të kultivojnë biznesmenë pro-Moskës, të cilët më vonë fitojnë poste politike dhe mbrojnë interesat e saj.

Në Bullgari, – thuhet në raport, – prania ekonomike e Rusisë është aq e fortë, sa që vendi rrezikon mjaft të kapet nga Rusia.

Qeveri si ajo e Hungarisë dhe Greqisë, – thotë raporti, – simpatizojnë hapur Putinin dhe si pasojë, në Evropën Perëndimore dhe Qendrore është krijuar një kolonë e pestë, e cila e dobëson përgjigjen perëndimore ndaj agresionit rus. /VOA

Share: