Home KRYESORE Të dyshuarit e Kumanovës kërkojnë si dëshmitarë dy politikanë

Të dyshuarit e Kumanovës kërkojnë si dëshmitarë dy politikanë

Shqiptarët etnikë të akuzuar për pjesëmarrje në shkëmbimin dy-ditor të zjarrit me forcat maqedonase të sigurisë në Kumanovë në maj 2015, duan që dy kryetarë partish politike të dëshmojnë në gjyqin e tyre.

Nga Sase Dimovski, BIRN

Avokatët e 37 të pandehurve të akuzuar për pjesëmarrje në shkëmbimin e zjarrit me policinë, ku mbetën 18 të vdekur, në Kumanovë, qytet verior i Maqedonisë, duan që një gjeneral i dalë në pension, i cili tashmë është kryetari i partisë së vogël opozitare Dinjiteti, Stojance Angelov, dhe kreu i partisë së vogël në koalicionin qeverisës të vendit, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti të paraqiten si dëshmitar.

Por ndërsa gjyqi vazhdoi ditën e enjte, një burim nga prokuroria shprehu dyshime nëse Gjykata Penale e Shkupit do ta lejonte këtë.

“Ligji është i qartë. Dëshmitarët shtesë nuk mund të propozohen pasi fillon gjykimi, vetëm në rast se është e nevojshme që ata t’i përgjigjen pyetjeve që lindin nga dëshmitë e disa dëshmitarëve të tjerë,” tha për BIRN në kushte anonimiteti një prokuror që po punon me këtë çështje.

Njëzet e nëntë të pandehurit akuzohen si pjesë e një grupi terrorist etnik shqiptar, ndërsa tetë të tjerë akuzohen se i kanë ndihmuar ata. Ata i mohojnë akuzat.

Avokatët e të pandehurve thanë se në seancën e fundit gjyqësore të martën ata këmbëngulën se politikanët do të hidhnin dritë të re mbi këtë çështje, nëse ata dëshmonin.

Ish-gjenerali i policisë dhe kryetari i partisë Dinjiteti Stojance Angelov tha për BIRN se ndoshta atij po i kërkohet të dëshmojë për shkak të një deklarate që ai bëri dy javë para shkëmbimit të zjarrit në Kumanovë, ku praktikisht ai e parashikoni incidentin.

Ai atëherë tha se qeveria mund të organizonte një incident për të provokuar një konflikt ndëretnik dhe në këtë mënyrë të largonte vëmendjen nga protestat anti-qeveritare që ishin të shumta në atë kohë.

Angelov tha se i qëndron deklaratës së tij.

“Kam informacione se dy milion euro iu dhanë shqiptarëve, që s’kanë asnjë lidhje me UÇK-në (forcën guerilase tashmë të shpërbërë shqiptare, që luftoi në konfliktin e armatosur të vitit 2001 në Maqedoni) dhe që janë kriminelë nga zona e Likovës, pranë Kumanovës,” tha ai për BIRN.

“Detyra e tyre ishte të vrisnin disa policë dhe ushtarë dhe të shkaktonin një konflikt ndëretnik, duke u hequr si anëtarë të UÇK-së,” u shpreh ai.

Disa nga të pandehurit në gjykatë pretenduan në gjykatë se i gjithë incidenti ishte organizuar nga zyrtarë të lartë policie.

Megjithatë, të pandehurit thanë se nuk dinin më shumë detaje për komplotin e dyshuar dhe këmbëngulën se të vetmit që mund të dinin më shumë ishin komandantët e tyre që u vranë në shkëmbimin e zjarrit.

Sipas dëshmisë së dhënë nga disa nga të pandehurit gjatë fazës së hapur të gjykimit, një anëtar i grupit të armatosur kontaktoi mëngjesin e dhjetë majit, kur shkëmbimi i zjarrit sapo kishte filluar, kryetarin e partisë Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Personi i armatosur i kërkoi Ahmetit t’i jepte fund asaj që ai e quajti një sulm policor mbi grupin, sipas dëshmisë së dëgjuar në gjykatë.

Mediat kanë spekuluar se kjo mund të jetë arsyeja pse mbrojtja tani kërkon të thërrasë të dëshmojë Ahmeti.

Ahmeti konfirmoi në një intervistë për BIRN në qershor se ai kishte kontaktuar me grupin, por këmbënguli se në atë kohë ai s’mund të bënte asgjë,

Si Ahmeti ashtu edhe Angelov nuk kanë pranuar të thonë nëse do të dëshmojnë apo jo nëse thirren për këtë gjë nga gjykata.

Gjyqi u hap për publikun këtë javë, pasi u mbyll gjatë të gjithë verës ndërsa dëshmuan me dhjetëra dëshmitarë të mbrojtur.

Share: