Home KRYESORE Unë, Berisha dhe Sacra Corona

Unë, Berisha dhe Sacra Corona

Nga Carlo Bollino

Pas 25 vitesh urrejtjeje ndaj mediave të lira, më në fund Sali Berisha e kuptoi edhe këtë: “Askush nuk ka fituar dhe nuk mund të fitojë betejën me lirinë e fjalës”. E ka shkruar dje, në mbyllje të postimit të tij të radhës në Facebook, me të cilin më shan mua në çdo mënyrë të mundshme, duke më paralajmëruar se “e kam kohën të numëruar”. Nuk e kuptova nëse ky është një parashikim magjik, apo një kërcënim publik nga ana e tij. Berisha prej kohësh ka një difekt: e konsideron lirinë e shprehjes si një privilegj ekskluziv të tij dhe të aleatëve të vet, ndërkohë që mohon të njejtën të drejtë për secilin nga kundërshtarët e tij. Kështu, Berisha dhe gazetarët e tij kanë të drejtën të më quajnë “mafioz i financuar nga Sacra Corona Unita”, apo “i korruptuar”, pa ndjerë detyrimin për të paraqitur një provë të vetme, ndërkohë që unë nuk kam as të drejtën për t’u mbrojtur nga këto akuza të rreme. Në demokraci liria e një njeriu përfundon aty, ku fillon liria e të tjerëve. Por, për Berishën liria e tij nuk mbaron kurrë dhe sidomos merr fuqi kur nis të nëpërkëmbë lirinë e të tjerëve.

Po lexoj me dhimbje dhe pasion dëshminë e gjatë të At Zef Pllumit, të përndjekur nga regjimi komunist. Lexoj mënyrat me të cilat persekutorët e tij komunistë thurnin akuzat dhe shpifjet kundër priftit të gjorë nga Shkodra, dhe duket se lexon, 40 vjet më vonë, postimet e Berishës në Facebook. Akuza ideologjike, pa prova, pa fakte, pa logjikë. Falenderoj Zotin që jetoj në vitin 2016, ndërkohë pyes veten me ankth se çdo të ndodhte me mua në rast se sot Berisha dhe gazetarët e tij do të kishin pushtetin që Enver Hoxha kishte në atë kohë. Ç’do të ndoshte me mua dhe me të gjithë ata, të cilët, ashtu si mua, Berisha na kundërvihet sot. Për atë, ne jemi “diversantët” e rij.

Berisha hiqet si babai i demokracisë shqiptare dhe vetëm për këtë arsye duhet ta ruante me dashuri mrekullinë që përfaqëson Demokracia, domethënë respektimin e lirisë së mendimit dhe tolerancës ndaj kujtdo që nuk mendon si ne. Në të kundërt, si një baba jo i natyrshëm, ai merr nëpër këmbë ditë pas dite parimet për të cilat pretendon se ka luftuar, dhe sillet si më i keqi ndër komunistët. Kush e merr vesh se cilën demokraci kishte ndër mend doktori kur farkëtoi emrin e partisë së tij?!

Berisha i urren kundërshtarët e tij politikë, që i konsideron si armiq, pikërisht ashtu siç bënte Enver Hoxha, që nuk toleronte asnjë lloj kritike. Berisha vepron si racist, ashtu sikurse ishte Enver Hoxha, për të cilin të huajt ishin automatikisht armiq (me përjashtim të rastit kur është fjala për të dhuruar detin shqiptar dhe burime të tjera natyrore). Berisha gënjen, siç kanë bërë për dekada me radhë të gjithë diktatorët, që ndërtonin mbi gënjeshtrat e tyre të vërtetën e rreme për t’ua servirur popujve. Një ndër këto të vërteta të rreme, të cilën Berisha ka 25 vjet që e përsërit, është ajo që unë kam lidhje me Sacra Corona Unita-n, pra me mafian puljeze. Në fakt, unë jam puljez, por gjithashtu jam i pari gazetar italiani, që shkruajti në vitin 1984 artikuj denoncues kundër Sacra Corona Unita-s. Kur askush nuk fliste për të, unë e kam denoncuar publikisht.

Kreu i Sacra Corona Unita-s ishte një farë Pino Rogoli nga Mesagne (dënuar me burgim të përjetshëm), i cili më urrente pikërisht po aq sa më urren dhe Berisha. Isha pak më shumë se 20 vjeç dhe në vendin tim më konsideronin si “gazetar kurajoz” për atë që shkruaja. Të këqinjtë më kërcënonin, të mirët më mbronin. Isha me fat që fituan të mirët. Kolegë të tjerë të mij në zona të tjera të Italisë nuk patën fatin tim, pasi në ato vite gazetarët vdisnin sepse kishin sulmuar mafien.

Ja pse nuk mund të toleroj më Berishën të më quajë si bashkëpunëtor të mafies. Të asnjë mafie, pasi unë kam luftuar gjithnjë kundër mafieve dhe italianët që më kanë njohur (policë, karabinierë, prokurorë, gjyqtarë, njerëz të thjeshtë) e dinë shumë mirë këtë. Kush më njeh, e di shumë mirë edhe se sa i ndershëm jam. Kam patur një baba, që më ka mësuar të jem i ndershëm dhe një familje të tërë që më ka dhënë mundësinë të mbetem i tillë. Ja pse nuk mund të pranoj që Berisha dhe askush tjeter të më quajë të korruptuar.

Një muaj më parë kam depozituar një padi për shpifje kundër doktorit. Dy ditë më parë u zhvillua seanca e parë. Por Berisha, pa treguar pikë respekti as për gjyqtarët që janë angazhuar të gjykojnë nëse akuzat e tij kundër meje janë apo jo shpifje, dje u rikthye të më akuzonte për të njejtat gjëra. Me të njejtin vulgaritet si gjithnjë. Do të depozitoj një tjetër padi për shpifje. Dhe do t’i shkruaj Facebook-ut dhe kujtdo autoriteti tjetër që mund të mbrojë emrin tim nga shpifjet e kujtdoqoftë (unë nuk kam fuqi të mbyll asnjë portal, por është ligji nderkombetare që ndalon shpifjet). Por Berisha as këtë nuk e toleron, pasi ai (dhe të tijtë) jo vetëm që mendojnë se kanë të drejtë të ofendojnë këdo me shpikjet më të pasura në fantazi, por, nëse dikush guzon t’i kundërshtojë këto shpifje, ai i akuzon se bëjnë censurë. Ashtu sikurse tha dje Hillary Clinton për rivalin e saj Donald Trump, Sali Berisha është “i tmerrshëm dhe i frikshëm”.

E kam shkruajtur edhe një javë më parë, ndonëse nuk e kam harruar asnjë ditë të vetme në 35 vjet profesion gazetarie: liri e fjalës nuk do të thotë liri e shpifjes. Kam besimin se shpejt a vonë do ta kuptojnë këtë edhe Berisha dhe klani i tij. Në momentin kur Berisha shkruante postimin e tij shpifës të radhës, deputetja e tij Majlinda Bregu promovonte publikisht një vendim të Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, që urdhëron të fshihen nga artikujt online komentet që përmbajnë fyerje apo shpifje. Domethënë ato, që, sipas Berishës, janë shprehje e lirisë së fjalës. Në Strasburg e quajnë të mirëqenë që një sajt online (siç ndodh në të gjithë bota perendimore) të ketë një pronar të njohur, një drejtues përgjegjës që të njihet dhe një gazetar që të përgjigjet për shpifje të mundshme, të cilat në fakt në të gjithë botën e qytetëruar konsiderohen si të paligjshme. Ky vendim dënon edhe komentet, të cilat janë e vetmja pjesë që mbetet anonime në sajtet e vendeve demokratike. Ndërkohë, në Shqipëri është shumë më keq, sepse këtu pjesa më e madhe e vetë sajteve janë anonime (dmth pa një pronar të regjistruar) dhe, si rrjedhojë, edhe artikujt të publikuar në këto sajte online janë anonime, siç janë komentet në pjesën tjeter të Evropës. Një ferr informativ ky, të cilin në Strasburg as që arrijnë të imagjinojnë se ekziston.

Por pikërisht kjo që shkruan Majlinda Bregu duket se ka vlerë duke filluar nga sot edhe për Berishën: “Për këdo që mendon se mospublikimi i sharje/kërcënim/ mallkim komenteve, cenon lirinë e fjalës e të medias në Shqipëri, le të protestojë ndaj Gjykatës e Strasburgut se ‘po cënon lirinë e shprehjes në Shqipëri’”!

Siç thotë Berisha, “askush nuk ka fituar dhe nuk mund të fitojë betejën me lirinë e fjalës”. Të paktën – po shtojmë ne këtu – deri aty, sa nuk shkel lirinë e të tjerëve. /shqiptarja.com

Share: