Home KRYESORE Bën ftohtë, zemra ime, bën ftohtë…

Bën ftohtë, zemra ime, bën ftohtë…

Nga Agim Pipa

*Bën ftohtë, zemra ime, bën ftohtë;
me kristale akulli u vesh rruga, dhe
të vetmet,
që më flasin ndanë ishullit tonë
janë gjethet e vjeshtës
ari i kësaj bote.

Bën ftohtë zemra ime, bën ftohtë;
unë,
eci me poezinë tënde, që le
mbi tryezën e ëndrrave, natën
me shi, pas kthimit nga Alpet.

Bën ftohtë zemra ime, bën ftohtë;
mua më mori kolla dhe
nuk mund t’i hap dot buzët, as të të mendoj dot
megjithëse malli më ka marë
deri në çmendinën,
ku s’jam më imi.

Është tepër vonë, zemra ime; tepër vonë
dhe toka
nuk ka më zjarrin e dikurshëm, dhe
rëndesat e viteve, fluturojnë
bashkë me lejlekët
e moskthimit të verës.

Është tepër vonë, toka ime; tepër vonë…
dhe akulli më ka mbytur gjithë trupin;
dhe ari i gjetheve s’më le të shkoj;
dhe kolla e bardhë s’më le të mar frymë
deri në natën e krishtlindjeve.

aty, do të mund të të mendoj dhe
rrethuar nga zjarri i yjeve
do të vdes…

Share: