Home KRYESORE Akuzoi Et’hem Rukën për pikturat, reagon Rama

Akuzoi Et’hem Rukën për pikturat, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje ndaj gazetës “Panorama”, lidhur me deklaratat e tij nga Nju Jorku në adresë të ish-ministrit të Arsimit, Et’hem Ruka.

Në një letër për kryeredaktorin që publikon ‘Panorama’, Rama shprehet se ka bërë thjesht humor me mikun e tij Ruka, ndërsa gazeta e ka trajtuar si një denoncim publik si “hajdut pikturash” për ish-ministrin Ruka, koleg me Ramën në qeverinë “Nano”.

Në respekt të reagimit të Kryeministrit, po botojmë edhe sqarimin e kryeredaktorit të “Panorama”, Robert Rakipllari.

Reagimi i Kryeministrit Rama për “Panorama”

Zoti Kryeredaktor,

Nuk e imagjinoj dot se si një rrëfim me humor, në një kontekst ku realisht nuk kishte asnjë shteg për një keqkuptim sado të vogël, të shtrembërohet deri në derexhenë, ku gazeta juaj e ka katandisur përshkrimin bërë nga unë, të një aspekti krejt miqësor të marrëdhënies sime me ish-ministrin e Arsimit Et’hem Ruka, në kohën kur shërbenim që të dy si anëtarë qeverie.

S’e kam zakon të përgënjeshtroj të pavërtetat që thuhen e shkruhen në tezgat e pazarit të rrëmujshëm të mediave, për mua personalisht, apo për çdo aspekt të aktivitetit tim publik.

Ato janë të panumërta e të përditshme. Por banaliteti ekstrem me të cilin ju keni kthyer në një denoncim të rëndë publik, madje si titull kryesor të ditës(!), një rrëfim me humor, lidhur me ministrin dhe mikun tim të vjetër, që “vidhte” vizatimet e mia, ma bën të pamundur heshtjen.

Duhet t’ju vijë shumë zor për një budallallëk me brirë të këtyre përmasave zoti kryeredaktor, dhe pres prej jush, as më shumë e as më pak, po ndjesën tuaj në të njëjtën faqe, me të njëjtat germa të mëdha, edhe pse ndoshta as kjo nuk do të mjaftonte për ta shlyer një lajthitje kaq ekstreme në sytë e lexuesve tuaj!

Me shpresën se ju do të reagoni pozitivisht ndaj kërkesës sime dhe me ftesën që, në fund të fundit, ta konsideroni këtë reagim si shprehjen e madhe të habisë sime ndaj një gazete, që është ndër fare të paktat tribuna të shtypit, që nuk e ka bërë baltë fare rolin publik të medias, ju uroj sinqerisht sukses në punën tuaj aspak të thjeshtë.

Edi Rama

Përgjigjja e kryeredaktorit drejtuar Kryeministrit Rama

I nderuar z.Kryeministër,

Nuk do të ma kishte marrë mendja që kronika e djeshme e “Panorama”- s mbi një rrëfimin tuaj publik nga SHBA-të, plot humor dhe detaje komike, do të lexohej dhe interpretohej me nota aq dramatike, nga po ju, mëngjesin e së nesërmes kur përcollët reagimin tuaj në redaksi.

Kjo, fill pasi e kishit servirur mjeshtërisht, për vetë mediat, rrëfenjën tuaj prej kryeministriartist, duke e stilizuar dhe ngjyrosur me nota humori e situata komike, ku përfshihej edhe një ish-ministër e anëtar qeverie (i cili po dhe ai vetë e kishte keqkuptuar humorin tuaj).

Si i tillë, rrëfimi na u duk pikant, sidomos në gojën e një kryeministri dhe jo thjesht një artisti. I tillë duhet të ketë qenë edhe intencioni juaj për nga vetë gjuha e përzgjedhur, me dy kuptime, si edhe mjetet e natyra e aktivitetit, një ekspozitë arti prej Kryeministri. Vështirë ta ndash ku fillon njëri e ku mbaron tjetri, apo jo?

Gazeta e ka trajtuar prezantimin tuaj nga i njëjti kënd, sikurse edhe ju, pa dashur t’jua heqim humorin.

Kjo ngase në një vend ku ministrat dhe kryeministrat e 25 viteve të tranzicionit akuzojnë njëri-tjetrin për shumë më tepër sesa “vjedhje pikturash”, kjo “akuzë” e fundit nuk mund të jetë veçse një shaka.

Ju sigurojmë që kështu e kanë parë edhe lexuesit tanë. Leximi juaj ishte tejet serioz për një Kryeministër që zgjedh humorin si mjet për t’u shprehur nga Nju Jorku dhe dramën për mediat e Tiranës.

Në fund të fundit, jam i sigurt që po të prisnit deri në darkë, nuk do të gjenit asnjë arsye për ndjesë e do të ishit treguar më i kursyer me etiketimet (që ne sërish po jua marrim me humor), pasi e dimë që e vlerësoni rolin publik të medias sonë.

Uroj ta ruani humorin e mirë në leximin e tribunës sonë, ashtu sikurse edhe në tribunat tuaja!

Robert Rakipllari

Share: