Home KRYESORE Askujt nuk i plas se u rrit GDP-ja!

Askujt nuk i plas se u rrit GDP-ja!

Nga: Dr. Enriko Ceko

Duke marrë shkas nga një pyetje e drejtpërdrejtë që më është bërë në një emision televiziv në të cilin kam qenë i ftuar, pyetje e cila ishte: Jetojmë më mirë apo më keq?, mendoj se ja vlen të diskutojmë përsëri rreth çështjes së cilësisë së jetës, që në fakt unë e kam trajtuar edhe në shkrime të tjera të mëparshme.

Cilësia e jetës është një koncept mjaft i gjerë që përfshim shumë dimensione (elementë dhe faktorë që mund të maten nëpërmjet një numër indikatorësh). Këtu përfshihen faktorë objektivë (si për shembull: mundësia për burime materiale, shëndeti, gjendja e punësimit, kushtet e jetesës, etj) dhe faktorë subjektivë, që lidhen me prioritetet dhe nevojat e qytetarëve. Matja e cilësisë së jetës në vende dhe popullsi të ndryshme në mënyrë të krahasueshme është një detyrë e vështirë. Llogaritë kombëtare kanë qenë deri tani informacioni kryesor ku jemi mbështetur për performancën ekonomike dhe standardet e jetesës së shoqërisë. Kjo sepse shifrat në llogaritë kombëtare lejojnë krahasime të drejtpërdrejta midis vendeve dhe popujve në të njëjtën kohë dhe për një vend e popull në kohë të ndryshme.

Produkti i Përgjithshëm Bruto (GDP) është një nga agregatet që përdoret më shpesh për të matur aktivitetin ekonomik të një vendi apo rajoni në një kohë të dhënë. Shumë nga vendimet politike, ekonomike dhe sociale deri tani kanë qenë të varura nga niveli i këtij indikatori. GDP përfshin të tëra mallrat dhe shërbimet e prodhuara në një ekonomi në një vit (shprehur në para). Edhe pse është një indikator që nuk jep shumë të dhëna për progresin social të shoqërisë, GDP është konsideruar e lidhur ngushtë me mirëqenien e qytetarëve, por, duket se GDP nuk është një indikator i mjaftueshëm dhe për këtë qëllim duhet të kompletohet me indikatorë të tjerë që reflektojnë më mirë gjendjen e individëve dhe familjeve të një shoqërie.

Progresi social, mjedisor dhe ekonomik nuk është i lidhur thjesht dhe vetëm me rritjen e GDP-së. Për shembull: Nëse një popullsia e një vendi vendos që të presë pemët sepse kërkon që të shtojë eksportet për të patur një rritje të GDP-së, kjo mund të sjellë pas një farë kohe humbje të habitateve, erozion të tokës dhe probleme të tjera, që më tej ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së jetës në atë vend. Nga ana tjetër, GDP është një e dhënë agregate dhe nuk tregon se si shpërndahet mirëqenia midis individëve qe përbëjnë popullsinë e një vendi apo rajoni. Pra GDP është një mesatare e të ardhurave dhe jo njësia ekzakte e shprehur në para që realizon / përfiton sejcili prej nesh në një kohë të dhënë. Si rezultat kjo nuk tregon të tëra aspektet e standardeve të jetesës. Një rritje e mirë e GDP në një vend të caktuar në fakt nuk tregon se në atë vend popullsia jeton më mirë, sepse nga kjo rritje mund të përfitojë vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë, duke lënë një pjesë të madhe të grupeve të tjera të shoqërisë pa burime dhe pa mjete jetese, ose duke i lënë këto grupe edhe në një gjendje më të keqe krahasuar me një kohë të mëparshme. Pra, për të matur cilësinë e jetës duket se është e domosdoshme që të merren parasysh edhe faktorë të tjerë.

Shembuj edhe nga vende të ndryshme të Evropës tregojnë se GDP nuk ecën paralel apo me të njëjtin hap me të tjerë indikatorë që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës. Luksemburgu ka patur të ardhurat më të larta për frymë vitet e fundit, por kjo ka ardhur kryesisht nga projektet cross-border në të cilat janë përfshirë forca pune nga vende të tjera, që kontribuojnë në rritjen e prodhimit por nuk përfshihen kur llogaritet e ardhura për frymë. Estonia ka të ardhura të ulëta krahasuar me mesataren e vendeve të BE, por ka nivelin më të lartë të femrave me edukim të mesëm dhe të lartë. Italia dhe Spanja janë në mesataren e BE-së për GDP, por kanë jetëgjatësinë më të lartë në vendet e BE-së me mbi 82 vite. Gjermania është një ndër vendet me të ardhurat më të larta në BE, por diferenca midis pagave të punonjësve me vjetërsi të madhe në punë me ata që kanë pak vite e përvojë pune është rreth 22%. Këto janë disa nga shembujt që tregojnë se GDP duhet të plotësohet me indikatorë të tjerë për të qenë të aftë të krijojmë një pamje më të mirë për mirëqenien tonë.

Tashmë mendohet se indikatorët që tregojnë kushtet e jetesës materiale, produktivitetin apo aktivitetin kryesor, shëndetin, edukimin, marrëdhëniet sociale dhe kushtet e pushimeve, siguria ekonomike dhe fizike, të drejtat e njeriut, mjedisi natyror dhe i jetesës, jetëgjatësia, etj, janë të domosdoshëm për të arritur të shprehemi nëse jetojmë më mirë apo më keq se më parë. Të tërë këta parametra kërkojnë që të maten dhe të dhënat të publikohen në mënyrë të hapur për të tërë qytetarët që përbëjnë shoqërinë e një vendi.

Në rastin e Shqipërisë, është e vërtetë se GDP është rritur krahasuar me shumë vite më parë, por ne kemi ende probleme me grumbullimin, përpunimin dhe deklarimin e shifrave. Për shembull: Prej rreth 25 vitesh deklarohet se të ardhurat nga bujqësia janë rritur me 4 – 6% çdo vit dhe kjo përkthehet në pak a shumë 1 – 1.5% e GDP. Gjithashtu thuhet se vendin po e vizitojnë çdo vit përherë e më shumë turistë dhe ditët e qendrimit të tyre në Shqipëri janë rritur dhe se ata shpenzojnë afërsisht 100 Euro në ditë për çdo ditë qendrimi në Shqipëri. Kjo duket sheshit se është abuzive, sepse nëse do kishte rritje prodhimi bujqësor me këto nivele çdo vit për 25 vite ne sot do plotësonim nevojat e tërë Evropës me produkte bujqësore dhe blegtorale dhe nuk do kishin asnjë import produktesh të kësaj natyre, kur raporti importe / eksporte produktesh bujqësore, blegtorale dhe ushqimore është në fakt në favor të importeve dhe se deklarata që turistët qendrojnë në Shqipëri më shumë se 10 ditë për pushime dhe se vendin e kanë vizituar rreth 1 milionë turisë që shpenzojnë afërsisht 100 Euro në ditë për çdo ditë qendrimi në Shqipëri është pakëz si e fryrë, duke marrë parasysh se vendin tonë në periudhën e verës e vizitojnë kryesisht emigrantët shqiptarë dhe shqiptarët e Kosovës, që më së shumti e kanë mendjen të shtriqen nëpër zhezlonget e plazheve dhe të konsumojnë mish e pije alkoolike se sa të shpenzojnë para për muzeume, materiale mediatike turistike, suvenire, etj, të kësaj natyre.

Ajo që është më e rëndësishme kur diskutojmë nëse jetojmë më mirë apo më keq është bërja e krahasimeve. Krahasimi duhet bërë me kohën e paraluftës, kohën e periudhës së drejtimit të centralizuar të vendit, me këto 25 vitet e fundit apo me qeverisjen e mëparshme? Këto lloj krahasimesh janë shumë të mira për studiuesit, që për të arritur në përfundime të sakta kanë nevojë për shifra, të dhëna dhe informacione të vërteta dhe jo si shembujt për bujqësinë e turizmin që permenda më lart, që në fakt tregojnë thjesht dhe vetëm arrogancën e pushtetit dhe mendjemadhësinë e opozitës.

Në fakt, unë mendoj se qytetarët e Shqipërisë tashmë kanë arritur një farë pjekurie kolektive dhe kërkojnë një jetë më të mirë dhe jo thjesht rritje të të ardhurave. Qytetarët shqiptarë kërkojnë jetesë më të mirë në aspektin e shëndetit, edukimit, produkteve cilësore që konsumojnë, përmirësim të gjendjes së rendit publik, kushte mjedisore të përmirësuara, jetesë dhe kushte urbane e rurale cilësore, infrastrukturë të përshtatshme në të tëra aspektet, e cila ndihmon në realizimin e të tëra veprimtarive jetësore të domosdoshme, të nevojshme dhe të dëshëruara nga të tërë ne, krahasimisht me çdo qytetar tjetër evropianoperëndimor.

Parë në këtë këndvështrim, përmirësimi i cilësisë së jetës nuk është çështje krahasimi nëse jetojmë më mirë apo më keq se në qeverinë e mëparshme, nëse jetojmë më mirë apo më keq krahasuar me kohën e regjimit komunist, apo nëse jetojmë më mirë apo më keq se në kohën e para luftës. Krahasime të tilla janë të domosdoshme dhe të mira për shkencëtarët, studiuesit dhe statisticienët. Shqiptarët duan të jetojnë më mirë, njësoj si në çdo vend tjetër evropian, njësoj si në Londër, Berlin, Paris, Romë, etj, dhe, për këtë nuk janë të mjaftueshme deklaratat se në vitin që vjen GDP do rritet 3,4%, se deficiti buxhetor do ulet me 3% e do shkojë në shifrën 69,1% apo se do rriten apo ulen taksat, e të tjera si këto.

Konkretisht, askujt nga qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk i plas për këto shifra dhe për parametrat e tjerë makroekonomikë, sepse këto shifra nuk do të thonë asgjë për jetesën e tyre të përditëshme dhe për përmirësimin e saj. Me këto shifra Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhen dhjetra vite që t’u afrohemi atyre vendeve evropianoperëndimore që kanë kushtet më të këqija politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, e jo më tja kalojmë Gjermanisë apo Danimarkës, siç pretendohet nga ndonjë politikan a demagog i kaluar kohe.
Shqiptarët duan të jetojnë tërësisht dhe kënaqshëm jetën e tyre dhe duan që ta shkojnë sa më mirë jetën e tyre së bashku me anëtarët e tjerë të familjeve të tyre, me të afërmit e tyre e të tjerët. Duke thënë këtë mendoj se forcat politike në vend si të djathta ashtu dhe të majta nuk kanë qenë aspak në gjendje që të realizojnë premtimet e tyre në këto 25 vite dhe si të tilla nuk kanë asnjë farë legjtimiteti që të konkurrojnë përsëri në arenën politike shqiptare. Shqipëria kërkon një ndryshim pozitiv që në fund të fundit të ndihet në jetën e përditëshme timen, tënden dhe të tërë të tjerëve dhe jo thjesht deklarata pompoze për rritjen e GDP e uljen e deficitit buxhetor.

Share: