Home KRYESORE Bastisen shtëpitë e një ministri dhe një ish-ministri të qeverisë Rama, grabiten...

Bastisen shtëpitë e një ministri dhe një ish-ministri të qeverisë Rama, grabiten shuma të mëdha dhe sende me vlerë

Banesat e një ministri dhe një ish-ministri të qeverisë “Rama” kanë rënë pre e dy grabitjeve nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarjet kanë ndodhur pak javë më parë, ndërkohë që janë mbajtur të fshehta nga ana e policisë. Sipas burimeve të sigurta, i pari që ka rënë pre e grabitjes ka qenë një ministër aktual i qeverisë.

Persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe kanë arritur të marrin një sasi të madhe parash. Mësohet se ministrit i janë grabitur me qindra mijëra euro, raporton agjencia e lajmeve “Sot”. Por duke qenë se bëhej fjalë për shuma të mëdha parash, ngjarja është mbajtur e fshehtë.

Shumë ministra të qeverisë aktuale kanë rënë pre e akuzave nga opozita për abuzime, vjedhje dhe përvetësime dhe dalja në dritë e shifrës reale të grabitjes ka trembur ministrin. Por ajo që është më e rëndë, është fakti se janë vënë në dijeni krerët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme. Por ngjarja është diskutuar mes tyre dhe është mbajtur e fshehtë për publikun. Kjo ka rritur akoma dhe më tepër dyshimet dhe hamendësimet se përse fshihet një ngjarje e tillë. Ndërkohë, Policia e Shtetit publikon në media ngjarje nga më të ulëtat, si kërcënime me Facebook, apo individë të arrestuar për drejtim të makinës në gjendje të dehur. Por në këtë rast gjithçka ka qenë hermetike dhe janë porositur individë të caktuar që të mos flasin dhe të japin informacion për këtë çështje. Por skandali është thelluar akoma dhe më tej, pasi pre e një grabitjeje të ngjashme ka rënë dhe banesa e një ish-ministri të po këtij kabineti. Edhe aty individë të caktuar kanë marrë para dhe sende me vlerë, por sërish ngjarja ka mbetur e fshehur nga forcat e policisë dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme. Duke qenë se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të shtetit, është vënë në dijeni për këtë rast dhe vetë Ministria e Brendshme, por sërish është kërkuar që gjithçka të mbetet sekrete dhe të mos ketë dalje të detajeve në publik./syri.net

Share: