Pasditen e së hënës Partia Socialiste shpërndau një letër, ku sipas saj Partia Demokratike i kërkon zyrtarisht Komisionit Europian të mos caktojë datën për hapjen e negociatave. Por kjo akuzë, është hedhur poshtë nga opozita, e cila pretendon se në amendamentin e dorëzuar nga Aldo Bumçi, është shprehur shqetësimi për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, kultivimin e kanabisit dhe reformën në drejtësi.
Duke folur për “News24” nga Brukseli, deputeti Aldo Bumçi mohon të ketë kërkuar mos-hapjen e negociatave, por thekson se sot në Komision u diskutua për zgjedhjet në vend, luftën kundër drogës, reformën në drejtësi. Bumçi tha se kushtet Shqipërisë nuk ia ka vënë PD, por BE.
“Situata është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Kushtet Shqipërisë nuk ia ka vënë PD, por BE. Sot u diskutua për zgjedhjet, luftën kundër drogës. Çështja e datës është një demagogji. Data për hapjen e negociatave varet nga kushtet, dhe kur të plotësohen kushtet, vendoset data. PS po shkakton një tymnajë për datën, po theksoj se kushtet i vendos EB dhe jo PD. Çdo interpretim tjetër është i gabuar”, tha Bumçi.
“Ne si opozitë kemi ngritur shqetësimet që kemi ngritur gjithmonë. Nuk mund të shkohet në BE pa zgjidhje të lira e të ndershme, nuk mund të shkosh në BE pa zgjidhu problemin me kanabisin, nuk mund të shkosh duke kandiduar persona me të shkuar kriminale. Kur Shqipëria të plotësojë kushtet që ka vendosur BE, atëherë do të na japë përgjigje për hapjen e negociatave. Por kryeministri thotë se integrimi është një udhëtim brenda përmbushjes së standardeve. Ndaj kryeministri të dalë e të thotë nëse kjo Shqipëri ka më pak krim, nëse kjo Shqipëri ka më shumë punësim. Këtë tha thotë kryeministri”, u shpreh Bumçi.
Ndërkaq, nesër pritet të diskutohet projektdeklarata ku do të pasqyrohen shqetësimet e diskutuara ditën e sotme./bw/