Home KRYESORE Deklarata e Bashës: Zgjedhja e Donald Trump do të shërbejë për forcimin...

Deklarata e Bashës: Zgjedhja e Donald Trump do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve

Lulzim Basha e quajti zgjedhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si mësim të çmuar demokracie që SHBA i dhanë botës. Ai tha se ky mesazh ishte i rëndësishëm veçanërisht për Shqipërinë që po kalon ditë të errëta për demokracinë.

“Unë ndodhem sot këtu për t’i përcjellë përmes ambasadorit Donald Lu, Presidentit të zgjedhur Donald Trump urimet më të përzemërta në emrin tim, në emrin e demokratëve shqiptarë, të djathtës shqiptare, të opozitës shqiptare, dhe jam i bindur të shumicës dërrmuese të shqiptarëve për zgjedhjen e ti si President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Ky është një mësim i çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara, populli amerikan i dhanë sot mbarë botës, Europës, Shqipërisë dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët. Dhe ky është një mesazh veçanërisht i çmuar në këto ditë të errëta për demokracinë shqiptare. Është një mesazh kuptimplotë që kam një besim të madh se do të frymëzojë edhe këtu në Shqipëri një bashkim të qytetarëve me besim të madh te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund dhe nuk do të mposhtet nga asnjë makinacion dhe nga asnjë aleancë kundër interesit qytetar. Interesi qytetar triumfon sa herë që qytetarët janë të bashkuar.

Edhe një herë dua të përsëris vlerësimin tim, të Partisë Demokratike, të opozitës shqiptare për këtë proces të mahnitshëm demokracie. Në fund të fundit vendimi është i popullit amerikan, populli amerikan ka vendosur.

Urimet më të përzemërta Presidentit të zgjedhur Donald Trump!

Dhe jam i bindur që zgjedhja e tij dhe marrja e detyrës nga ana e tij në muajt e ardhshëm do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të shërbejë patjetër për forcimin dhe rimëkëmbjen e demokracisë shqiptare.”

Share: