Home KRYESORE Enver Bytyci shpallet best sellers me “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”...

Enver Bytyci shpallet best sellers me “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” i

Cambridge Scholars Publishing në Londër ka shpallur prej datës 1 Nëntor 2016 si Best Sellers librin e autorit shqiptar Enver Bytyçi “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, (Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë). Libri do të qëndrojë si i tillë gjatë gjithë muajit nëntor në reklamën e kësaj shtëpie botuese me emër në Londër. Shtëpia botuese me famë e Cambridge e ka shpërndarë këtë lajm gjithashtu në 150 mijë adresa elektronike me partnerët, bashkëpunëtorët, bibliotekat, libraritë dhe qendrat e shumta studimore, me të cilat ajo mban lidhjet e saj në mbi 40 vende të botës.

Libri “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” i studiuesit Enver Bytyçi është botuar nga Cambridge Scholars Publishing në anglisht në fund të muajit Mars 2015. Në gjuhën shqipe me titullin “Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”, ky libër është botuar në vjeshtën e parë të vitit 2012. Që prej kohës kur ky libëru botua në Cambridge u vu në dispozicion të shumë angjesive dhe kompanive të shpërndarjes dhe përhapjes së librit në Europë, Amerikë dhe Azi, përfshirë Amazonën, e cila e ka reklamuar atë në gjuhën angleze, franceze, ruse, gjermane, kineze, si dhe në suedisht ,polonisht etj. Për këtë arësye ky libër gjatë periudhës prej kur është botuar në gjuhën angleze e deri më sot është bërë pjesë e bibliotekave shtetërore, universitare dhe të institutive e ministrive të jashtme në disa vende, sidomos të Europës Lindore.

“Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” është një libër studimor përmbledhës për ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe për angazhimin diplomatik e përdorimin e forcës të Aleancës së Atlantikut për çlirimin e saj nga sundimi e dhuna e shtetit të Serbisë të udhëhequr asokohe nga diktatori Sllobodan Milosheviç. Në këtë libër përshkruhen deri në imtësi ngjarjet e kohës, si dhe pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në angazhimin e faktorit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit e rezolutave të shumta të tij, Grupit të Kontaktit e Konferëncës së Rambuillet, autori maksimalizon argumentin për legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës.

Ndërkohë në këtë libër qartësohen marrëdhëniet e Aleancës së Atlantikut me faktorë të tjerë si Bashkimi Europian, Këshilli e Europës, OSBE-, si dhe faktorin rus. Roli i vendeve fqinjë të Kosovës në përkrahje të veprimeve ushtarake dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, spastrimit etnik të shqiptarëve dhe eleminimit fizik të tyre, pasqyrohet gjithashtu me kompetencë profesionale dhe argumente bindës.

Libri është shkruar në formën e një studimi përmbledhës, duke gërshetuar përvojën historike me ngjarjet e kohës, ndonëse për studime të tilla ende nuk janë vënë në dispozicion arkivat përkatëse të kancelarive të mëdha europiane si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s. Por autori Bytyçi ia ka arritur qëllimit që të paraqesë për opinionin publik dhe qendrat e ndryshme studimore të interesuara një studim domethënës të mbështetur në argumentet pro dhe kundër, të cilat janë shpalosur si rezultat i shfrytësimit të qindra burimeve arkivore të qëmtuara në institute dhe qendra të tjera europiane, në librat e kronikanëve të kohës si dhe në autorë të shumtë europianë dhe amerikanë të botuar në gjuhë të huaj.

Shpallja e këtij libri si Best Sellers nga Cambridge Scholars Publishing e Londrës, e cila e ka përzgjedhur atë në mesin e rreth 30 mijë botimeve të saj, është një ngjarje për shkencën albanologjike shqiptare si dhe një arritje e suksesshme e autorit, Prof. As. Dr. Enver Bytyçi. Nga ana tjetër ajo i vjen në ndihmë argumentit të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për shtetformim dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në liri e pavarësi të plotë, duke respektuar parimet themelore të shtetit demokratik të së drejtës, si dhe të drejtat e liritë themelore të pakicave tjera në Kosovë.

Lexuesit mund ta shohin prezantimin e librit “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” si Best Sellers në linkun përkatës, www.cambridgescholars.com

Share: