Home KRYESORE GOMARI JASHTË SKENËS

GOMARI JASHTË SKENËS

Nga Haberet e Mitro Celes

Pranverë 1986. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë në Lushnjë po shkonte në zyrë. Skandal! Në lulishte kullosnin tre gomarë. U ngjit në zyrë. Thirri kuadrot e qytetit. Në mëri e sipër, iu drejtua drejtorit të uzinës së Plastikës, që e mori për drejtorin e komunales:

-I ke parë, zotrote, gomerët që livadhisin në qytet? Sigurisht që jo. Duhet t’i shohim ne, udhëheqja. Turp! Që nesër të mos shoh këmbë hajvani në qarkullim?!…

Kthehet drejtori në uzinë së Plastikës. Mbledh shefat.

– Sekretari i parë më dha ultimatum: Të qërojmë gomerët nga uzina!
– Ne nuk kemi gomerë, – tha kryeinxhinieri. – Sekretari ka folur me metafora, d. m. th të qërojmë shefat e financës, planit dhe organizimit… Janë të paaftë!
– Jo, – tha drejtori, – fjalën nuk e kishte për hajvanë me fytyrë njeriu!… Po halli? Blejmë tre gomerë. I pushkatojmë dhe raportojmë në parti…

Të nesërmen, sekretari i parë, pinte kafe me Filip Çakulin, në atë mot banor i Lushnjës, sepse gruan e kishte zgjedhur nga Divjaka. Në kafene hyri drejtori i uzinës. I thotë sekretari I Parë I Partisë:

-Më fal. Mbrëmë të ngatërrova me drejtorin e komunales…

Kur iku sekretari I Partisë, drejtori I tregon proçkën: Blerjen dhe pushkatimin e tre gomerëve?

Vjeshte e pare 1987. Me këtë bëmë, Filipi shkroi një një skeç. Ia dërgoi Fadil Hasës në Durrës. U përgatit numri i ri i estradës. Sipas zakonit, para se ta shikonte publiku shfaqen, erdhi në prova sekretari i kulturës në Komitetin e Partisë të Durrësit. Ai foli I mendur:

-Më pëlqen skeçi me gomerë. E paska qarë Filipi? Kam një ide Fadil: Skeçi del më i bukur po të bëjmë dy riparime të vogla. Së pari, vendin e gomerëve ta zënë kuajt. Së dyti, sekretari i parë të këmbehet me sekretarin e dytë…Nuk mund të bëjë gafa një ushëheqës kaqë I lartë? Me sa di unë, sekretari I Parë I Lushnjës është edhe më përgjegjësi të tjera partie. Do na talli partinë mileti?!

Normale. Kështu u bë, edhe pse Filipi hodhi ndonjë shkelm, kur mori vesh haberin nga Fadil Hasa. E zbuti zonja, kur mori honorarin nga estrada ?!

Share: