Home KRYESORE Ja si po e masakrojnë Himarën klientët e pushtetit. Investigimi shokues!

Ja si po e masakrojnë Himarën klientët e pushtetit. Investigimi shokues!

Nga Nikollaq Neranxi*

Përshëndetje miq! Sapo lexova një investigim të shkëlqyer nga exit.al për problemin e Himarës, ku natyrisht për shumë prej atyre që shkruheshin ne ishin në dijeni, prandaj dhe jemi ngritur në protesta.

Ky shkrim duhet t’i bëjë të ndjehen keq të gjithë ata media e gazetarë që për arsye të ndryshme, nuk tentuan të zbardhin asgjë nga skandali i madh që po ndodh në Himarë, por nxituan t’i japin protagonizëm disa njerëzëve pa pikë lidhjeje të cilët flisnin për çdo gjë, por jo për problemin e vërtetë.

Shkrimi i Exit.al, hedh dritë mbi korrupsionin e madh shtetëror, i cili për mekanizmin që përdor, nuk ka të bëjë vetëm me Himarën, por me të gjithë Shqipërinë. Si bëhen tenderat, kush i fiton ato, si harxhohen paratë, pse ndërrohet projekti 4 herë, pse bëhet beton kur në projekt nuk është?

Pse kur Koço Kokëdhima u vetshpall Mbret i jugut, solli klientët e tij për të bërë gjasme projektin e rilindjes në Himarë (në fakt për ta shkatërruar atë) dhe sapo i heqin kurorën e Mbretit, ikin firmat e Koços dhe vijnë ato të Edit?

T’i çosh njerëzve njoftimin që për 5 ditë duhet të lironi shtëpitë, pa mbaruar proçesi i dhënies së çertifikatave të pronësisë dhe pa folur për kompensimin, është grabitje dhe përzënie me forcë e njerëzve nga prona e tyre. Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje në këtë investigim.

Në emër të banorëve të Himarës, iu bëjmë thirrje firmave që kanë vendosur të bëjnë të fortin dhe të rrëzojnë shtëpitë tona në Himarë, të largohen urgjetisht dhe para se të largohen, të prishin betonin e shëmtuar buzë detit (meqë paratë i morën) dhe ta kthejnë ashtu siç ishte.

Nuk do guxoni të prekni asnjë tullë nga shtëpitë tona dhe mbi të gjitha as mos e çoni nëpër mend se do realizoni kapriçot e ndonjë mendjeje perverse që ka vendosur t’i japë një “mësim” të mirë himarjotëve, për t’i bërë qejfin kushedi se kujt.

Tokën, shtëpinë, historinë, amanetin e të parëve tanë, do e mbrojmë me gjak! Beteja vazhdon!

Nikollaq Neranxi, Shoqëria civile për mbrojtjen e pronës dhe historisë, Himare

Share: