Home KRYESORE Kjo është Korca ku ish kryetari i Bashkisë sot Zv. Km do...

Kjo është Korca ku ish kryetari i Bashkisë sot Zv. Km do të jetojë?

Nga Sorina Koti*

Duket, që në zgjedhjet e ardhshme Korca do të ketë një deputet më pak në Kuvend. Dy janë arsyet e mundshme: ose maxhoranca ka përsëritur të njëjtin truk elektoral për të dëmtuar opoziten sic bëri me ndarjen abuzive territoriale para zgjedhjeve lokale, ose vërtet popullsia e Korcës ka rënë në numër.

Pra qeveritarët, duhet të zgjedhin të na thonë a janë hileqarë dhe të gatshëm të bëjnë cdo gjë për të ruajtur pushtetin e tyre, apo duhet të pranojnë, që heqja e një mandati në Korcë është provë e dështimit të qeverisjes së tyre.

Humbja e një mandati përfaqësues për Korcën është prova, që tregon rrudhjen dhe emigrimin masiv të banorëve nga kjo zonë… Sa shume lavde, që i janë thurrur Korcës këto 3 vite. Sa shumë u përpoqën ta kthejnë në një vitrinë suksesi për “Rilindjen” e tyre.

Të gjitha u provuan tëe gënjeshtërta. Korca vendi i turistëve, Korca e rritjes ekonomike, Korca e zhvillimit, Korca e prodhimit bujqësor, Korca e investimeve të shumta qeveritare, papritur del se është një vend nga ku njerëzit, që e banojnë largohen. E gjitha na rezultoi asgjë më shumë se një mashtrim, një flluskë uji… Pse po ikin korcarët atëherë? Ku është begatia e thënë nga Kryeministri dhe zv.Kryeministri? Kjo është Korca ku ish kryetari i Bashkisë do të jetojë?

Sigurisht që jo, sepse zv. Kryeministri e braktisi Korcën, shpenzoi në fasada rreth 10 mln Euro dhe nuk investoi në zhvillimin ekonomik, industrial, turistik, bujqësor të Rajonit.

U harruan fushat e mbjella bujqësore dhe u kthyen në fusha hashashi, u harruan zejtarët dhe prodhuesit e zonës dhe u zëvendësuan me fallcitete të huaja. Dhe ja, erdhi momenti dhe buzëkuqi i fasadave u hoq, doli Korca dhe Rajoni në varfërinë e tyre reale, atë që cdo korcar, që jeton dhe punon këtu e ndjen.

Korca po humbet popullsinë e saj. E cfare morali do të ketë zv.Kryeministri të vijë në Korcë dhe të kërkojë përsëri mbështetje? Për cfarë? Që të ikin edhe më shumë korcarë, që të varferohen edhe më shumë korcarë, që të mbyllen dhe më shumë biznese?

Rilindja korcare rezultoi në rrudhje dhe mpakje. Korca u shndërrua në një cirk për shfaqje nga pushtetarët, që u rrudh vetëm në qendrën e saj. U harruan rrethinat, komunat; u harrua infrastruktura reale, nuk u ndërtua dot rruga Qukës-Pllocë për të lehtësuar transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Mbeti në mes dhe plot gropa Rruga e Linit. Falimentuan fermerët e fushës së Korcës dhe Devollit.

Nuk e dija, që kur rilind zvogëlohesh. E dinin miqtë e mi korcarë kur zgjodhën, se do shihnin këtë rrudhje dhe mpakje të energjisë? Jo. Sigurisht jo. Besoj se sot cdo korcar ka provën e qartë se ku jemi. A do t’ia pranojnë këtë rrugë të gabuar atyre që iu shfaqën si shpëtimtarë? Jo. Sigurisht jo. Korcarët duan Korcën për të jetuar, e duan të zhvilluar, të pasuruar, ndaj do të dinë të gjejnë njerëzit, që nuk e tradhëtojnë, njerëzit që i përkushtohen.

Sorina Koti, Koordinatore Kombëtare PD

Share: