Home KRYESORE Kur ndodhi vrasja e ballistëve në Lushnje në tetor 1943?

Kur ndodhi vrasja e ballistëve në Lushnje në tetor 1943?

Nga Dr. Marenglen KASMI

Dekorimi nga Presidenti i Republikës si “Martirë të Demokracisë” i 67 luftëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët u ekzekutuan nga partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese nën drejtimin e Mehmet Shehut, në fund të tetorit 1943 në Lushnje, dominoi edhe këtë javë debatet, si në median vizive ashtu edhe në atë të shkruar. Ajo që binte në sy gjatë gjithë këtij debati, sidomos në mediat vizive, ishte mospërfshirja në këto emisione e historianëve ushtarakë, të cilët merren me studimin e çështjeve të luftës.

Para disa ditësh, në gazetën Dita, botova një artikull për çështjen në fjalë. Në thelb të shkrimit qëndronte sqarimi i pyetjes, nëse në tetor 1943 kishte apo nuk kishte forca gjermane – duke pasur parasysh se, argumenti kryesor për dekorimin ishte që, në Lushnje dhe rajonin përreth nuk kishte trupa gjermane dhe së dyti, nëse këto forca të Ballit Kombëtar ishin apo nuk ishin në shërbim të Wehrmacht-it gjerman kur ndodhën luftimet ndërmjet partizanëve të brigadës I-rë dhe çetave të Ballit Kombëtar. Po ashtu, në të theksova se, nëse në dokumentet gjermane, përplasja ndërmjet dy palëve ka ndodhur në të gdhirë 24 tetori 1943, produkt i së cilës ështe edhe ekzekutimi i këtyre ballistëve, gjatë dekorimit u tha se ekzekutimi i robërve ballistë ka ndodhur më 21 tetor.

Që vrasja e tyre ishte një gabim i rëndë dhe që në vetvete parqet një krim, qëndron jashtë çdo diskutimi. Për këtë të jemi të qartë qysh në fillim.

Le t’i kthehemi edhe njëherë datës dhe zhvillimit të ngjarjes, duke zbatuar kriteret metodologjike, shkencore dhe kryesisht kritikën e burimeve, zbatimi i të cilave, në pikpamjen time nuk është ndjekur nga këshilluesit e Institucionit të Presidencës për këtë dekorim.

***

Ajo që bie në sy në trajtimet e thuajse gjithë atyre që mbështesin tezën e Luftës Civile në Shqipëri dhe si rrjedhim edhe viktimizimin e Ballit Kombëtar nga komunistët, ështe tendenca për t’i pëgjithësuar gjërat. Ky përgjithësim shfaqet qoftë në pikëpamje kohore, ashtu edhe në pikëpamje përjashtuese dhe përzgjedhëse të burimeve dhe dokumentacionit historik.

Nëse krahasojmë burimet kryesore për rastin tonë, një burim i njohur deri tani, që mbështet datën 21 tetor të ekzekutimit të ballistëve është Abaz Ermenji, i cili në librin e tij “Vendi që ze Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Tiranë 1996 shkruan se “më 21 Tetor 1943, Mehmet Shehu zuri afër Lushnjës 68 bujqër, ushtarë të thjeshtë të Ballit, dhe i vrau që të gjithë mbasi i vuri të hapnin më parë gropën e tyre të përbashkët” (f. 501). Gjithsesi autori nuk ndalet më gjatë për ngarjen.

Burimi i dytë që është përdorur këto ditë për ngarjen, është libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar në Paris në vitin 1966. Nëse Prof. Ermenji bën një analizë të historisë së Shqipërisë, duke i dhënë librit deri diku një ngjyrim shkencor, Staravecka ka ndjekur stilin klasik të shkrimit të kujtimeve. Prof. Ermenji mjaftohet vetëm me dhënien e datës së ngjarjes, pra datën 21 tetor, ndërsa Staravecka në kujtimet e tij përshkruan vetëm aktin e ekzekutimit të ballistëve- ndonëse nuk ka qenë dëshmitar okular në ngjarje (shiko Staravecka, f. 293), në ndryshim nga sa na është servirur deri tani. Po ashtu, ai nuk jep datë për ngjarjen e ndodhur. Sigurisht që, këto kujtime përbëjnë një burim të rëndësishëm. Gjithsesi, ato duhen parë me kujdes, për shkak të vlerësimit subjektiv që kujtimet mbartin në vetvetë si burime historike. Besoj se, çdokush që kupton sadopak nga shkencat historike, është dakort me këtë vlerësim.

Nëse flasim për burime primare për këtë ngjarje, nuk mund të anashkalohen burimet arkivore, vendase e të huaja. Burimet e para që japin informacion për ngjarjen janë letra e Mehmet Shehut drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, disa ditë pas ekzekutimit, ku ai përshkruan ngjarjen dhe bën autokritikë (AQSH, F. 41, V. 43, D. 32), përgjigjia e Enver Hoxhës e datës 31 tetor 1943 (AQSH, F. 41, V. 1943, D. 4), Dokumente të Arkivit ushtark të Freiburg-ut Gjermani (BA/ MA, RH 26-100/45 dhe 46), Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare etj. Po ashtu, në ndihmë na vijnë edhe Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, vëllimi 3, Tiranë 1983, Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Historiku i Brigadës së Parë Sulmuese etj.

E përbashkëta e burimeve të sipërpërmendura, si shqiptare dhe gjermane, është fakti që ato përputhen dhe plotësojnë njëra-tjetrën, duke na mundësuar të krijojmë një pamje të qartë të ngjarjes.

Në radhë të parë duhet theksuar që, në datën 21 tetor 1943 nuk ka ndodhur asnjë përplasje midis forcave partizane dhe atyre balliste. Në raportimet ditore të div. 100 këmbësorisë së lehte, me vendkomandë në Fier dhe i përfaqësuar ne Lushnje vetëm me një kompani ushtarësh, nuk shënohet asnjë veprim luftarak në rajonin e Lushnjes për këtë datë. Edhe në historiografinë tonë ushtarake nuk jepet ndonjë e dhënë e tillë, nëse mbajme parasysh që, brigada I-rë dhe veprimtaria e saj është një nga temat më të mirëstudiuara. Është e pamundur që forcat e Ballit të jenë përplasur dy herë në të njëjtin vend, pra në Golem, brenda 3-4 ditësh. Luftimet e datës 24 tetor në Golem janë të mirëdokumentuara, ndërkohë që, për datën 21 tetor, nuk ka asnjë të dhënë se është luftuar.

Në periudhën 1 tetor-23 tetor 1943 kanë ndodhur vetëm dy përplasje me armë ndërmjet brigadës I-rë dhe forcave gjermane e balliste. Përplasja e parë ka ndodhur më 17 tetor, kur brigada I-rë arriti në Dumre dhe në Belsh ndodhej çeta balliste e Xhaferr Balit. Ballistët u munduan të pengojnë hyrjen e partizanëve në këtë krahinë, çka përfundoi në betejë mes ballistëve e partizanëve. Me ndihmën edhe të batalionit partizan të Dumresë, çeta balliste u shpartallua. Nga 180 vetë që kishte çeta, 170 prej tyre u dorëzuan. Xhaferr Bali mundi të largohet. Meqenëse shumica e tyre ishin marrë me forcë, pasi u çarmatosën dhe sigurisht ju mbajt një fjalim politik, u lanë të lirë të iknin në shtëpitë e tyre. Përplasja e dytë është në pritën e Dervenit, në të gdhirë 19 tetori 1943, ku forca të brig. I-rë goditën një autokolone gjermane në rrugëkalimin Elbasan-Peqin-Durrës (Historiku Brig. I, f. 80-82, Historia LANÇ-it, f. 177, BA/ MA, RH 26-100/45).

Pas pritës së Dervenit më 19 tetor, shtabi i brigadës I-rë mori vendim të organizojë një sulm ndaj garnizonit gjerman të Lushnjes. Përveç dokumenteve shqiptare, këtë e vërtetojnë edhe dokumentet gjermane, sipas të cilave më 23 tetor 1943, nacionalistët njoftojnë divizionin 100 gjerman se, brigada partizane e Mehmet Shehut po përgatiste një sulm ndaj qytetit të Lushnjes. (BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43).

Kryerja me sukses e këtij operacioni vështirësohej nga forcat balliste, të cilët ishin armatosur nga gjermanët dhe kryenin shërbimin e rojes së rrugëve për ta. Në raportin e divizionit 100 shkruhet se në shtator-tetor 1943 çetat nacionaliste në rajonin në fjalë, kapën një numër prej afro 1000 burrash të mirëarmatosur që arritën të marrin dhe pastrojnë nga forcat partizane rajonin Grykderdhja e Vjosës-Fier-Lushnje-Kavaje-bregdet. Më tej në raport theksohet se “nëpërmjet aksioneve të ndryshme të divizionit kundër komunistëve, Balli Kombëtar arriti të rriste zonën e tij dhe të merrte edhe qytete të rëndësishme në Shqipërinë e Mesme si Këlcyra, Berati, Lushnja, Kavaja si dhe të zgjeronte organizimin e tij në këto rajone”. (BA/ MA, RH 26-100/45).

Siç edhe ballistët njoftuan gjermanët, më 23 tetor dy batalione të brigadës I-rë, batalioni i parë dhe i katërt filluan lëvizjen për të kapur bazën e nisjes së sulmit. Sipas historikut të brig. I-rë, një ditë më parë, më 23 tetor ishte bërë zbulimi i terrenit, nga ku rezultoi se forcat kryesore të Ballit Kombëtar ishin përqendruar në rajonin Shegas-Golem, në veri të Lushnjes, ku ishin bërë edhe punime fortifikuese në kuadër të unazës mbrojtëse të qytetit të Lushnjes.

Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjermane, ku thuhet se, “Më 24.10, pak para se të agonte, banda komuniste me një forcë luftarake prej rreth dy kompanish, me shumë mundësi të brigadës së Mehmet Shehut, e cila ndodhet në rajonin lindor të Lushnjes, sulmuan dy lartësitë 2.5 km në Veri të Lushnjes dhe i detyruan nacionalistët që kishin organizuar aty mbrojtjen të tërhiqen […].”(BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43).

Nëse bëjmë një vlerësim në hartë, apo për këdo që e njeh zonën, Golemi ndodhet në Veri të Lushnjes, në një afërsi të përafërt me distancën që jepet në raportin gjerman. Po ashtu, përputhet edhe informacioni që çetat e Ballit ndodhen në këtë rajon dhe kanë kryer punime fortifikuese në kodrat e Golemit.

Në raportin gjerman lexojmë që partizanët sulmuan me afro 2 kompani, ndërsa më sipër thuhet se sulmuan dy batalione. Këtë mospërputhje e shpjegon tabela organike e forcave ndërluftuese. Në luftën e Dytë Botërore, një kompani këmbësorie gjermane kishte një forcë prej 100-200 ushtarësh, që varej nga detyra dhe vendi ku vepronte. Batalioni partizan, konkretisht në brig. I-rë që sapo ishte formuar, kishte rreth 120 partizanë. Kështu që, gjermanët kanë të drejtë kur thonë rreth 2 kompani, sepse për ta kompania kishte këtë numër ushtarësh. Kësisoj burimet përputhen edhe në këtë pikë.

Në të gdhirë 24 tetori, në orën 04.00 të mengjesit, filloi sulmi ndaj pozicioneve mbrojtëse të qytetit që mbahehsin nga çetat balliste nën drejtimin e Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit dhe Hajdar Cakranit. Siç e pohon edhe raporti gjerman për ngjarjen, ballistët i lanë pozicionet dhe u tërhoqën, ndërkohë që luftimet i morën në dorë gjermanët dhe, pas mëse një ore e gjysëm luftimesh e thyen sulmin partizan. Në raport shkruhet: “[…] Forca të një kompanie sanitare [gjermane] në Lushnje, e thyen sulmin komunist. Komunistët, të cilët sipas vrojtimit tonë patën të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve prej një orë e gjysmë, u tërhoqën drejt Lindjes dhe Verilindjes. [Patëm] tre të plagosur […].”(BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43)

Ajo që nuk përputhen në burimet shqiptare dhe gjermane janë humbjet. Gjermanët flasin për tre ushtarë gjermanë të plagosur, ndërkohë që në historikun e brig. I-re flitet për dy gjermanë të vrarë. Nga ana tjetër, partizanët raportojnë që nuk patën të vrarë, ndërkohë që gjermanët njoftojnë se gjatë sulmit partizanët patën të vrarë dhe të plagosur. Ky fenomen haset shpesh në njoftimet ushtarake, ku zmadhohet numri i humbjeve të kundërshtarit.

Pas afro 20 minutash ballistët të kapur në befasi i lanë pozicionet. Drejtuesit e tyre nxituan drejt qytetit, një pjesë morën kënetën e Tërbufit ndërsa 172 ballistë u shtrënguan të dorëzoheshin te partizanët. Elementi i befasisë së sulmit jepet edhe në letrën e M. Shehut për Shtabin e Përgjitshëm më 30 tetor, ku ai shkruan se “[…] u ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH F. 41 V.1943 D.32).
Sipas historikut të brig. I-rë dhe dokumentave të publikuara gjatë periudhës komuniste (Brigada e Parë Sulmuese, artikuj, dokumente e kujtime, Tiranë 1963), shumica e robërve u lanë të lirë të ktheheshin në shtëpi se ishin mobilizuar me forcë, 28 prej tyre pranuan të bëheshin partizanë ndërsa një pjesë e tyre i kaloi gjyqit partizan. Sigurisht që, gjatë periudhës së komunizimit nuk mund të thuhej më shumë për këtë ngjarje, e aq më shumë të shkruhej për ekzekutimin.

Rrjedha e ngjarjes dhe ballafaqimi me dokumentet e sipërcituara nuk le shteg dyshimi se, ekzekutimi i robërve ballistë është produkt i kësaj beteje dhe jo i ndonjë ngjarje tjetër. Në këtë pikë na vjen në ndihmë edhe letra e sipërcituar e Mehmet Shehut dhe ajo e Enver Hoxhës, ku ai mban qëndrim ndaj masakrës së bërë nga Shehu. Pas vdekjes së M. Shehut do të shkruhej: “[…] ndaj robërve, shumica fshatarë të mobilizuar me forcë nga krerët ballistë, Mehmet Shehu, me qëllim që të dëmtonte vijën politike të Partisë, ndërmori një veprim sektar e anarkist shumë të dëmshëm duke urdhëruar pushkatimin e dhjetëra fshatarëve”. (Historia e LANC-it, botim i vitit 1988, f. 178).

***

Nga çfarë trajtuam më sipër, burimet vërtetojnë se beteja ka ndodhur në Veri të Lushnjes, pra në rajonin Shegas-Golem dhe në të gdhirë të datës 24 tetor. Po ashtu, si burimet gjermane ashtu edhe ato shqiptare përputhen: Së pari, në Lushnje kishte një garnizon gjerman. Së dyti, ballistët ishin duke ruajtur qytetin dhe rrugët për llogari të gjermanëve dhe me armatimin që kishin marrë prej tyre. Së treti, në luftime morën pjesë edhe gjermanët, të cilët de facto çuan në përfundimin e betejës, pasi ballistët u tërhoqën. Së katërti, në datën 21 tetor, nuk ka pasur asnjë përplasje ndërmjet brigadës I-rë dhe forcave balliste në rajonin e Lushnjes dhe së pesti, çfarë është më e rëndësishmja, ekzekutimi i 67 ballistëve nga Mehmet Shehu është produkt i kësaj beteje, ku ballistët luftonin së bashku me gjermanët dhe për gjermanët. Ky fakt e dëmton rëndë imazhin e dekorimit, sepse ballistët ishin duke bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë.

Sigurisht që, fakti i bashkëpunimit të ballistëve me gjermanët nuk e justifikon aktin e ndërmarrë nga Shehu. Ekzekutim është i dënueshëm jo vetëm në qëndrimet pacifiste të 2016. Për hir së të vërtetës, atë e ka dënuar edhe vetë Enver Hoxha, që gjatë luftës.
Me të drejtë lind pyetja se nga doli data 21 tetor. E theksuam qysh në fillim, që kjo datë jepet nga Abas Ermenji, i cili nuk mund të dinte se ajo do të merrej për bazë në një dekorim të vitit 2016. Ndoshta ai thjesht është gabuar, ose e ka ngatërruar datën, kur e shkruajti librin pas shumë dekadash. Mos vallë kjo datë është zgjedhur për të fshehur të vërtetën e bashkëpunimit të këtyre çetave të Ballit me gjermanët, se përndryshe dekorimi nuk mund të bëhej? Është i hidhur mendimi se, këta 67 fshatarë nga Lushnja që ranë viktimë e luftës për pushtet ndërmjet Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar gjatë luftës, vazhdojnë të përdoren politikisht edhe sot, pas mëse 70 vitesh.

Share: