Home KRYESORE Media gjermane/Kush janë të majtët që sulmuan ministren?

Media gjermane/Kush janë të majtët që sulmuan ministren?

Radio publike gjermane, Deutschland Radio Kultur ka përgatitur një reportazh për të majtën e re ekstreme në Shqipëri pikerisht përpara aktit të goditjes me salcë.

Reportazhi është përgatitur përpara se këta të rinj të kryenin sulmin ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

“25 vite pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri ka një tjetër të majtë të re”, thuhet në reportazh.

Pika e tyre e takimit është “Qendra Sociale”.

Bëhet fjalë për një apartament të vogël ku mblidhen militantët e rinj të majtë të asaj që njihet si Organizata Politike.

“Prej vitesh ata luftojnë kundër privatizimit të universiteteve,” vijon reportazhi.

Deni, një 30-vjeçare aktive me këtë grupim, thotë: “Është gallatë, në fillim njerëzit spekulonin për qendrën tonë, pyesnin se çfarë bëhet aty. Disa mendonin se është një bordello, të tjerët mendonin mos jemi ndonjë sekt fetar”.

“Më pas i kanë parë fytyrat tona në televizion pas protestave. Tani janë në fakt miqësorë, madje nuk ankohen as për zhurmën, pasi ndonjëherë jemi të zhurmshëm”.

Ata thonë se lëvizja e tyre nisi pikërisht më 21 janar 2011, pas vrasjes së 4 protestuesve opozitarë në qendër të Tiranës.

“Ishte një moment kur ndjen se nuk je askushi. Dikush vritet në rrugë dhe askush nuk kërkon drejtësi. Sepse askush nuk të përfaqëson, askush nuk interesohet për ty”.

Mes aktivistëve është edhe Bora, 24 vjeç.

Ajo thotë se ata mblidhen deri 24 orë në ditë për një politikë më ndryshe.

Në qendrën e tyre organizojnë netët e filmit, diskutojnë për të drejtat e punëtorëve në fabrika, flasin për teoritë e majta, oranizojnë festa.

Megjithatë thonë se distancohen nga regjimi i Enver Hoxhës.

“Stalinizmi kishte për qëllim centralizimin, represionin, shkeljen e të drejtave të njeriut. Ajo që kemi pasur në atë kohë në Shqipëri ishte një diktaturë”.

Në fund, të rinjtë thonë se politika duhet t’i marrë parasysh ata dhe aksionet e tyre./Lapsi.al

Share: