Home KRYESORE Tensionet me Athinën, Rama i telefonon Tsipras

Tensionet me Athinën, Rama i telefonon Tsipras

Tensionet e krijuara kohët e fundit mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për çështjen çame apo prishjen e disa ndërtimeve nga Bashkia Himarë, vazhdojnë të prodhojnë të tjera zhvillime. Lapsi.al mëson se kryeministri shqiptar, Edi Rama i ka telefonuar sot homologut të tij grek, Axis Tsipras.

Telefonata e Ramës vjen pak orë pasi në televizionin grek Sky Tv të transmetohet sonte intervista që ai ka dhënë për emisionin “Historitë”. Sipas zyrës së shtypit të kryeministri grek, iniciatori i telefonatës ka qenë shefi i qeverisë shqiptare.

Njoftimi i publikuar në Athinë, vë fillimisht në dukje se të dy kryeministrat kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, gjë për të cilën Tsipras e Rama janë pajtuar se kjo është në dobi jo vetëm të të dy popujve, por edhe të gjithë rajonit.

Gjithmonë sipas njoftimit, kryeministri grek ka nënvizuar nevojën për hapa esencialë dhe rezultate konkrete në bashkëpunimin dypalëshe, për të cilin siç tha, Greqia ka promovuar një sërë iniciativash. Tsipras theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj këtij objektiv, nënvizohet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit grek.

Por kryeministri grek ka theksuar ndërkaq se incidentet e javëve të kaluara, por edhe retorika nacionaliste përherë në rritje e palës shqiptare, minojnë krijimin e klimës së besimit që është e domosdoshme për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në fund, Tsipras ka nënvizuar se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek përbën një çështje madhore në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe kusht bazik për progresin në integrimin europian të Shqipërisë.

Kjo telefonatë e Ramës me Tsipras është një përpjekje për të zbutur ngricat e kohëve të fundit në raportet midis Tiranës e Athinës. Por ndërkohë po sot Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur për sqarim ambasadoren greke në Tiranë lidhur me deklaratat e fundit të Ministrisë së Jashtme greke.

“Deklaratat e përseritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar. Bazuar në sa më siper e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Puneve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqise ne Tirane duke shprehur qëndrimin e mësipërm”, thuhet ne reagimin e MPJ.

Nuk dihet ende se cfarë Rama ka thënë në intervistën që do të transmetohet sonte, por gjasat janë që përgjigjet e tij të mos jenë shumë ndryshe nga qëndrimet e kohëve të fundit. Kjo ndoshta do të shkaktojë të tjera reagime nga Athina zyrtare dhe mediat helene.

Tensioneve për cështjen came apo prishjen e ndërtimeve në Himarë, i është shtuar së fundi edhe ndalimi e më pas dënimi nga Gjykata e Janinës i dy shoferëve të Ministrisë së Jashtme që transportonin libra shqip drejt Greqisë.

Të gjitha këto episode kanë krijuar një klimë të rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve, aq sa është folur shumë për një veto të Greqisë ndaj hapjes së negociatave të vendit tonë me BE-në. Kjo mbetet për t’u parë gjatë muajit dhjetor. /LAPSI.AL/

Share: