Home KRYESORE Transferohet shefi i antidrogës që zbuloi magazinën me hashash në Rrëshen

Transferohet shefi i antidrogës që zbuloi magazinën me hashash në Rrëshen

Dy oficerë të policisë së Lezhës që zbuluan magazinën me 4.2 ton hashash janë transferuar menjëherë nga detyra. Ilir Sula, shef i sektorit të krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së Lezhës është dërguar në Elbasan. Ndërsa Agron Cullhaj, me detyrë shef seksioni i drogës në drejtorinë e policisë së Lezhës është transferuar si specialist në një sektor tjetër në Lezhë.

Në vend të Ilir Sulës është emëruar Klodian Shahini.

Sula dhe Cullhaj ishin në krye të operacionit të policisë së Lezhës që zbuloi magazinën me drogë. Zyrtarisht policia nuk jep asnjë të dhënë për transferimin e tyre. Por burime të rezervuara të lapsi.al thanë se kjo lëvizje ka qenë “shpërblimi” për oficerët që zbuluan sasinë e madhe të drogës në magazinën ku punonin 31 persona, 9 prej të cilëve gra.

Ditën e zbulimit të magazinës, zyrtarë të opozitës njoftuan për një përplasje mes policisë së Lezhës dhe asaj të Rrëshenit. “Vendi është rrethuar nga një grup i policisë së krimit të organizuar të drejtorisë së policisë së Lezhës. Policia e Rrëshenit nuk pranon të ndërhyjë dhe i ka braktisur ndërkohë dhe uniformat blu të drejtorisë së Lezhës nuk po ndërhyjnë. Pritet të vijë RENEA”, thuhej në një deklaratë të ish ministrit të brendshëm, Flamur Noka.

Policia nuk e përgënjeshtroi këtë deklaratë të opozitës. Vetëm një ditë më pas ajo publikoi të dhënat e operacionit “Befasia” dhe tha se sasia e drogës në proces tharje ishte 4.2 ton.

Pronari i magazinës, me inicilet K.R. është shpallur në kërkim. Burime nga prokuroria e krimeve të rënda thanë për lapsi.al se ai nuk është personi i vetëm që dyshohet se qëndron pas këtij akvititeti kriminal. Deklarata e opozitës e bërë gjatë zhvillimit të operacionit implikon policinë e Rrëshenit.

Veprimet e uniformave blu gjatë operacionit do të jenë pjesë e hetimeve të prokurorisë. Me lëvizjen e dy oficerëve të antidrogës së Lezhës këtij sektori që zbuloi sasinë rekord të drogës në këtë zonë i jepet një goditje e fortë. Ishte ky sektor i drejtuar nga Sulaj që ra në gjurmët e këtij aktiviteti kriminal që zhvillohej vetëm pak metra larg policisë së Rrëshenit, në magazinat e ish –pularisë.

Në këto magazine punonin prej javësh të paktën 31 persona që hynin e dilnin në orare të ndryshme. Aktiviteti ishte shtuar dhe u kishte rënë në sy edhe banorëve të zonës, njoftimet e të cilëve duket se janë bërë indicie për hetimet e antidrogës së Lezhës.

Rrjeti që drejtonte këtë aktivitet kishte punësuar edhe një “specialist” nga Lazarati për të mësuar punëtorët si ta përgatisnin dhe paketonin hashashin. Romeo Gaba nga Lazarati ishte mes të arrestuarve. /Lapsi.al

Share: