Home KRYESORE Ushqim falas pacientëve?! TFL dhe “Shëndet+” sjellin provat që hedhin poshtë pretendimet...

Ushqim falas pacientëve?! TFL dhe “Shëndet+” sjellin provat që hedhin poshtë pretendimet e kontraktorit të dializës

Nga Arlinda Gjypi, gazeta “Shëndet+”

“Ushqimi dhe lavanderia për pacientët që marrin shërbimin e hemodializës në Spitalin Amerikan janë pjesë e kostos për secilin pacient e si rrjedhojë, një detyrim për spitalin, jo dëshirë.” – Kështu u shpreh avokati i gazetës “Shëndet” dhe shoqatës “Together for Life”, Erjon Kanxheri, i cili rrëzoi pretendimin e avokatëve të kontraktorit të dializës (Spitali Amerikan) se ushqimin pacientëve të vet ua jap falas.

Për të mbështetur deklaratën e tij avokati i dorëzoi gjykatës edhe konfirmimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku qartësohen të gjithë zërat që përfshihen në koston prej 11.204 lekësh të një seance dialize për çdo pacient.

Ky konfirmim nënkupton që Spitali Amerikan ka detyrimin t’u sigurojë pacientëve të tij ushqimin, pavarësisht se në padinë kundër gazetës dhe shoqatës, kontraktori i dializës ka pretenduar se ushqimin pacientëve ua jep falas (lexo këtu).

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës, me palë kontraktorin e dializës (Spitalin Amerikan) kundër gazetës “Shëndet+” dhe shoqatës “Together for Life”, avokatët e të dyja palëve dhanë shpjegime, si dhe u paraqitën provat.

Avokatët e Spitalit Amerikan sollën disa deklarata të noterizuara të pacientëve, deklarata të cilat u kundërshtuan nga avokati Kanxheri. Ai u shpreh se deklaratat që rezultojnë me të njëjtat fjalë, të njëjtën datë dhe ditë, nuk janë të besueshme dhe se indirekt kuptohet që janë marrë në kushte “imponimi” ndaj pacientëve. Pacientët, sipas avokatit, duhet të vinin dhe të dëshmonin në seancë përpara gjykatës.

“Duke qenë se këta pacientë marrin shërbim tre herë në javë nga katër orë në këtë spital, sigurisht që ata ndiejnë imponimin për të firmosur diçka që u jepet e gatshme”, u shpreh avokati Erjon Kanxheri. – “Si rrjedhojë ne kërkojmë që pacientët të thirren para gjykatës dhe të japin dëshminë e tyre”. Për këtë çështje gjykata vendosi që të shprehej në seancën e ardhshme, më 12 dhjetor 2016, ku pritet të vendoset për thirrjen ose jo të dëshmitarëve, kërkesë e paraqitur nga pala e paditur.

Gjashtë muaj më parë gazeta “Shëndet+” publikoi ankesat e pacientëve që marrin shërbimin e dializës në Spitalin Amerikan, të cilët ankoheshin për ushqimin e papërshtatshëm për sëmundjen e tyre dhe për shërbimin e lavanderisë (lexo këtu).

Pas kësaj, kontraktori privat vendosi paditjen e gazetës dhe shoqatës duke kërkuar heqjen e shkrimit dhe duke pretenduar se nuk ishte detyrim i tij t’u siguronte pacientëve ushqim dhe lavanderi.

Nga ana e gazetës “Shëndet+” dhe shoqatës “Together for Life” është theksuar se në gjykatë do të sillen të gjitha faktet që tregojnë se shkrimi është i vërtetë.

Share: